Sport

Lojërat Olimpike, 68% e sportistëve amerikanë votojnë për shtyrjen

Lojërat Olimpike të Tokios duhet të shtyhen. Rreth 68% e sportistëve amerikanë janë shprehur qartë se “Tokio 2020” nuk duhet të zhvillohen në gusht, por verën e vitit të ardhshëm. Komiteti Olimpik Amerikan ka dalë dje me një deklaratë zyrtare, ku shkruhet: “Është më e qartë se kurrë se shtyrja e Lojërave Olimpike të Tokios është vendimi më i përshtatshëm.”

Ditët e fundit, federatat e atletikës, notit dhe gjimnastikës në Amerikë kishin shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me “Tokio 2020”, duke kërkuar shtyrjen e aktivitetit. Komitetit Olimpik Amerikan ka bërë me dije se nga rreth 4000 sportistë të pyetur, më shumë se 1780 i janë përgjigjur sondazhit dhe 68% ka qenë dakord që Olimpiada duhet shtyrë. Pavarësisht shpirtit sportiv, ata kanë pranuar se ky është aktivitet është në rrezik.

Pjesa më e madhe e sportistëve të Amerikës kanë pohuar se përgatitjet për Lojërat Olimpike janë kushtëzuar ndjeshëm nga masat e marra për pandeminë. Madje, 25% e këtyre sportistëve është shprehur se nuk po stërvitet aktualisht. “E inkurajojmë CIO-n të marrë të gjitha masat e nevojshme që Lojërat Olimpike të zhvillohen në kushte të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit”, - shkruhet gjithashtu në njoftimin e Komitetit Olimpik Amerikan.

Ditët e fundit është rritur ndjeshëm fronti që kërkon me ngulm shtyrjen e Lojërave Olimpike për vitin e ardhshëm. Kanadaja mbajti një qëndrim më të prerë, duke refuzuar dërgimin e sportistëve të saj në muajin gusht në Tokio. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pritet të marrë një vendim zyrtar deri më 15 prill, por me zhvillimet e fundit me siguri ky vendim do të vijë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë