Mendim

Lojërat e rrezikshme të spiunëve serbë në Ballkan!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj përparimit më të madh diplomatik në Ballkanin Perëndimor në dy dekadat e fundit: marrëveshjes  midis Maqedonisë dhe Greqisë. Por a qëndroi po aq e rezervuar inteligjenca serbe përpara përpjekjeve ruse për të penguar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nëpërmjet bojkotimit të referendumit?

Duke komentuar rezultatet e referendumit në Maqedoni, presidenti serb vlerësoi se Europa duhet të veprojë më me përgjegjësi ndaj rajonit dhe shtoi se disa njerëz nga jashtë "i nënvlerësojnë vazhdimisht popujt e Ballkanit".

"Nuk është detyra ime të ndërhyj në çështjet e brendshme të një vendi sovran. Kam frikë dhe më duket se disa njerëz nga jashtë i nënvlerësojnë njerëzit nga Ballkani dhe mendojnë se mund të arrijnë gjithçka që dëshirojnë. Ata mendojnë se mund ti anashkalojnë qytetarët e Ballkanit dhe të arrijnë qëllimet e tyre duke u bërë presion deputetëve dhe qeverive të Ballkanit", tha Vuçiç.

Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është të respektojë çdo marrëveshje midis Greqisë dhe Maqedonisë, por "vullneti i popullit nuk mund të anashkalohet dhe se asgjë nuk duhet të imponohet nga fuqitë e huaja ". Vuçiç tha se sipas mendimit të tij, do të ishte e pamundur të festohej suksesi i referendumit nëse pjesëmarrja është më e ulët se 50 për qind. Sipas tij populli maqedonas foli qartë dhe tha se "nuk pajtohej me rezultatin". Më shumë se 91 për qind e votuesve në referendumin e së dielës mbështetën marrëveshjen e ndryshimit të emrit. Pjesëmarrja, megjithatë, ishte vetëm 37 përqind, gjë që e bën të ardhmen e marrëveshjes më të pasigurt së kurrë.

Por ndryshe nga ai, mediat serbe duket se kanë kremtuar më zë të lartë dështimin e referendumit, me titujt si "Rënia e NATO-s në Maqedoni", "Zaev nuk do ta përballojë humbjen", "Hipokritët amerikanë: maqedonasit i thonë jo referendumit", etj.  Përpara referendumit, të gjitha vendet e rajonit përgëzuan dhe mirëpritën marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë, por Serbia nuk doli kurrë me një reagim zyrtar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, kishte deklaruar para referendumit, se Beogradi nuk e ka përgëzuar Maqedoninë dhe Greqinë sepse tij  "nuk kanë bërë asgjë për t’i përgëzuar". “Kjo nuk do të thotë se Serbia është kundër çdo marrëveshjeje”, tha Daçiç. “Përkundrazi, ne do të mbështetim çdo marrëveshje që gjen zgjidhje paqësore të problemeve në Ballkan.”

Kryeministrja serbe Ana Brnabić dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev 

Duket se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Maqedonisë janë ftohur që kur Zaev dhe LSDM-ja erdhën në pushtet, gjë që mund të vërehet edhe nga deklaratat e zyrtarëve të lartë dhe mungesa e komunikimit ndërmjet dy fqinjëve. Ato kanë pësuar ulje e ngritje të papritura në vitet e fundit. Në këtë kontekst, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë kërcënoi vitin e kaluar se Beogradi mund të ndryshonte pozitën zyrtare mbi emrin kushtetues të Maqedonisë, për shkak të abstenimit të kësaj të fundit në votimin mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Dy vjet më parë, u zhvillua një mbledhja e përbashkët e dy qeverive, ku u ra dakord për bashkëpunim ambicioz në fushat e ekonomisë dhe infrastrukturës. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev bëri një vizitë zyrtare në Serbi më 20 dhe 21 nëntor të vitit 2017, gjatë së cilës u ra dakord se mbledhja e tretë e dy qeverive do të mbahej në shkurt ose mars të 2018-ës. Madje ishte edhe vendi, qyteti i Nishit, nuk u zhvillua për shkak të “angazhimeve” të kryeministres serbe, Ana Brnabić.

A ndërhynë spiunët serbë?

Vitin e kaluar, një ekip gazetarësh hulumtues nga disa media publikuan disa dokumente të inteligjencës maqedonase, ku raportohet se anëtarët e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA) të Serbisë mbështetën qeverinë e Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-në përmes propagandës dhe angazhimit të anëtarëve së inteligjencës serbe para se Zaev të merrte pushtetin.  Dokumentet e publikuara nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) tregojnë se spiunët rusë kanë provokuar prej vitesh mosmarrëveshje të brendshme dhe të jashtme në Maqedoni. Një përmbledhje e raporteve të inteligjencës maqedonase përshkruan gjithashtu edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët anti-perëndimorë dhe pro-rusë në vendin fqinj. Sipas raporteve të inteligjencës, përpjekjet ruse dhe serbe kanë ndezur një krizë të madhe politike në Maqedoni, duke shkaktuar përçarje të mëdha midis partive kryesore politike, si dhe duke rritur tensionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në raportet e publikuara nga OCCR-ja shkruhet se aktivitetet e inteligjencës ruse janë kryer nga ambasada e saj në Shkup, nëpërmjet tre agjentëve të Shërbimit Informativ Rus (SVR), të mbikëqyrur nga baza e tyre në Beograd.

Vitin e kaluar, Goran Živaljević, anëtari i BIA-s dhe këshilltar në Ambasadën Serbe në Shkup, udhëhoqi një grup të maskuar që sulmoi fizikisht anëtarët e partive opozitare në parlamentin maqedonas.  Pas këtyre ngjarjeve, Živaljević tha se kishte një leje për të hyrë në parlamentin maqedonas gjatë protestave të dhunshme, fakt i cili u konfirmuan nga vetë Vuçiç në një konferencë shtypi. Pa akuzave se Rusia u përpoq të bllokonte referendumin e shtatorit, për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë, disa ekpertë perëndimorë ngriitën shqetësimin se edhe agjentët serbë mund të jenë bërë pjesë e kësaj përpjekjeje  Duke folur në avion me një grup gazetarësh që e shoqëronin gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Sekretari Amerikan i Mbrojtje, James Mattis deklaroi se Moska po financonte organizatat pro-ruse në Shkup, për të penguar referendumin. Pjesë e rëndësishme e këtyre strukturave të organizatave janë edhe shumë zyrtare serbë, të cilët dyshohen se mund të kenë zhvilluar një fushatë të gjerë influencimi në opinionin publik maqedonas.


Protestuesit maqedonas sulmojnë parlamentin, duke dhunuar Kryeministrin Zaev dhe dhjetëra deputetë të tjerë.

Pak para referendumit, Kryetari i Bordit Drejtues të Qendrës së Politikave Europiane, Srgjan Majstoroviç, deklaroi se Serbia "humbi një mundësi unike" që nuk njohu rëndësinë e momentit historik që përfaqëson marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë.

"Dua të kujtoj se procesi i asociimit dhe pranimi në BE, përfshin si një nga kushtet më të rëndësishme zhvillimin e bashkëpunimit rajonal. Është e qartë se asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të përparojë i vetëm në rrugën e BE-së. Suksesi i fqinjëve duhet të konsiderohet një sukses për të  gjithë rajonit ", tha Majstoroviq.

Duke komentuar "heshtjen" e qeverisë serbe mbi marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, Majstoroviç tha se kishte dëgjuuar disa "komente të pajustifikuara" në rrugë jozyrtare. Sipas tij, Beogradi, si një nga dy vendet që ka bërë më shumë përparim në procesin e integrimit në BE, ka përgjegjësinë të ndajë përvojën me fqinjët. Ai shtoi se fakti që shumica e shoqërisë civile në Serbi përshëndeti dhe uroi arritjen e marrëveshjes nënkuptonte se ajo e tregon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal më mirë se zyrtarët serbë.

I këtij mendimi ishte edhe drejtori i Qendrës për Rajonin në Novi Sad, Aleksandar Popov. Ai thotë pas referendumit maqedonas, Serbia po vepron në kundërshtim me "interesat e përbashkëta"

"Gjithçka është kthyer me kokë poshtë. Stabiliteti rajonal duhet të jetë në interesin e Serbisë dhe është e qartë se arritja e një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Maqedonisë përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Duhet të kujtojmë se Maqedonia ishte në prag të një lufte civile vetëm një vit e gjysmë para këtyre ngjarjeve. Veprimet e Serbisë bien në kundërshtim me interesant e përbashkëta. Serbia duhet të brohorasë normalizimin e marrëdhënieve në rajon ", tha Popov për agjencinë e lajmeve Beta.

Burimet: "Western Balkans", Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OÇRP)

 

 

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë