Lajme

Lleshaj në Durrës: Do dokumentohen të gjitha provat për çdo pallat

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas inspektimit të disa objekteve që do të shemben në Durrës u shpreh se do të merren provat, fotot e materialet e duhura për çdo pallat. Lleshaj shtoi se aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë.
“Të gjitha pallatet ku ka pasur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar.
Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë. Pra gjithçka është bërë me një skrupolozitet të paqortueshëm dhe sot për çdo godinë që është rrëzuar përfundimisht, provat janë të administruara sipas procesit përkatës procedural ligjor.
Ndërkohë që një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të na japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur, sepse kemi diferenca”, u shpreh ministri Lleshaj.
Lleshaj tha se pas provës materiale, tani është hetimi i dokumentacionit.
“Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia, çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale. Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive”, tha ndër të tjera Lleshaj.
Ai tha se “kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin”.
Ministri Lleshaj është caktuar nga kryeministri Rama që bashkë me policinë kriminale të identifikojnë përgjegjësit, ata që janë abuzuar me ndërtimet që u shembën nga tërmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë