Rend dhe Ligj

Prokuroria për Veliajn: Mos prish asnjë objekt. Zbulohet arsyeja pse po prishen në Durrës

Prokuroria e Tiranës i kërkon bashkisë së kryeqytetit që të ngrijnë procesin e prishjes së banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Një ditë pasi prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur hetimet prej disa ditësh lidhur me ndërtesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin të martën e shkuar, organi i akuzës i është drejtuar me një shkresë të dytë brenda pak ditësh bashkisë së Tiranës ku i kërkon listën e plotë të banesave të prekura nga tërmeti dhe në të cilat janë konstatuar dëmtime. “Për nevoja të kryerjes së veprimeve hetimore në funksion të procesit penal kërkojmë: Listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekur nga tërmeti dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime; Për çdo lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit, të njoftohet paraprakisht Prokuroria e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve; Dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti”, thuhet në shkresën e nxjerrë nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.

Kryebashkiaku Erion Velia duke asistuar në shembjen e shkollës në Pezë

Në kërkesën e dytë drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj i ka lënë afat bashkisë deri më 5 dhjetor që të depozitojë të gjithë informacionin mbi këto ndërtesa.

Ndërsa prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet e nga ana e saj për pallatet e shembura ka sekuestruar dosjet e lejeve të ndërtimit të objekteve që janë dëmtuar dhe rrënimi i tyre ka shkaktuar viktima nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mësohet janë sekuestruar të gjitha dosjet e lejeve të ndërtimit të dhëna në 10 vitet e fundit kryesisht në zonën e plazhit dhe në zona të tjera të zonës së Durrës, ku tërmeti shkaktoi dëme. Sipas informacioneve prokurorët kanë mbërritur edhe në zyrën e ALUIZNIT. Prokuroria e Përgjithshme sqaron se lidhur me rastin në fjalë grupi i hetimit të çështjes po kryen veprimet hetimore përkatëse siç parashikon Kodi i Procedurës Penale dhe një ndër to është dhe këqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Gjithashtu jepen edhe arsyet se pse nuk po realizohen sekuestro të godinave në Durrës.

“Sipas parashikimeve ligjore këqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas. Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, por është çmuar që pas kryerjes së veprimeve procedurale në vendngjarje, ata (grupi hetimor), të jenë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdojnë dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë