Kryeministri Edi Rama e cilësoi një vendim të detyruar dhe detyrim për çdo deputet që të votojë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit. Ai e cilësoi Metën si të çekuilibruar nga frika e drejtësisë.
“I çekuilibruar prej frikës nga drejtësia, hakërryes dhe qesharak njëkohësisht, ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë figurinën në Presidencë, edhe më të pakënaqurit do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vjetësh. Ilir Meta i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, është shëmbëlltyra i të tremburve nga reforma në drejtësi, që na turpëron të gjithëve”, deklaroi Rama.
Rama ironizoi me deklaratën e Presidentit pak ditë më parë, kur sulmoi Sorosin dhe e paralajmëroi se ishte gati të sakrifikohej si Mic Sokoli, Avni Rustemi dhe Vojo Kushi, për të mbrojtur, sipas tij, Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Një Mic Sokol mbi çatinë e ambasadës së BE dhe që e imagjinon Ambasadën Amerikane si topi ku vendos gjoksin me kostum banjoje”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi reagimin e Metës dëshpërues prej disfatës së turpshme të planit për destabilizimin e zgjedhjeve dhe të vendit.
“Lufta e tyre do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte që të shpallnin fitoren e radhës. E vetmja gjë që s’kam menduar është që do të numëronin gabim. S’ka më keq se kur humbësit të sillen si fitimtarë”, vijoi ai.
Këshillën “reflekto”, që Meta i ka dhënë Ramës në disa dalje publike, Kryeministri ja ktheu mbrapsht.
"I bëj thirrje të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë. Të ndërpresë çdo sulm ndaj SHBA, çdo sulm ndaj parlamentit. Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm me postin e tij ku duhet të sillet në zbatim të kushtetutës. Të ndalojë paralelizmat me figurat të njohura të historisë, por kjo mbetet një vërejtje miqësore. Çdo deputet duhet ta votojë komisionin për të mos zhytur veten e tij në batakun ku Presidenti do ta zhysë këtë Parlament", u shpreh Rama.
Duke u ndalur tek Kodi Zgjedhor, Rama tha se mazhoranca do të ndryshojë para zgjedhjeve të 2021, duke mundësuar votën e emigrantëve dhe duke depolitizuar administratën zgjedhore.
“Ritheksoj me bindjen tonë se emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës, duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme. Duan, s’duan ata ne do ta përfshijmë votën e emigrantëve në Kodin Zgjedhor. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike dhe duan apo nuk duan bojkotuesit ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore”, premtoi Rama.
Sipas Kryeministrit, pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri të socialistëve. “Ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash sesa kishte koalicioni fitues i zgjedhjeve në 2015, kemi marrë shumë më tepër vota”, u shpreh ai.
Kryeministri interpretoi edhe raportin e OSBE/ODIHR. Ai tha se raporti ka pasqyruar me korrektesë një proces zgjedhor krejt anormal dhe shtoi se raporti në vetvete kritikon vendimin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Parlamenti u mblodh në orën 17:00 për të diskutuar mbi kërkesën e socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, që mazhoranca e akuzon për shkelje të rënda kushtetuese. Socialistët janë përplasur me Presidentin Meta pas dekretit të këtij të fundit që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Shumica e cilëson nul këtë dekret dhe nisi menjëherë procedurat e shkarkimit.
Në fund, me 102 vota pro Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj Presidentit Meta. 7 vota ishin kundër dhe 2 të tjera abstenuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.