Politike

Shkarkimi i Metës, Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin Hetimor

Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur paraditen e kësaj të mërkure ka vendosur që Komisionin Hetimor Parlamentar kundër presidentit Ilir Meta ta drejtojë Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Pjesë e Komisionit Hetimor do të jenë 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re parlamentare.
Anëtarë të këtij komisioni nuk do të jenë ata që firmosën kërkesën për shkarkimin e presidentit. Mazhoranca nisi procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, pas dekretit të tij për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
Në 90 minuta mbledhje, Kryesia ka diskutuar edhe post 30 qershorin. Gjatë mbledhjes mësohet se është bërë një analizë të gjerë për të gjitha degët e PS në rrethe.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat u shpreh se po vijojnë normalisht procedurat për shkarkimin e presidentit Meta.
Balla tha se nisma e 55 deputetëve është marrë tashmë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve.
“Në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe Rregullores se Parlamentit jemi në fazën kur Komisioni i Ligjeve ka diskutuar nismën e 55 anëtarëve të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit”, u shpreh ndër të tjera Balla.

Hajdari: Të shtyhet ngritja e Komisionit
Kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta ka dalë kryetarja e Grupit të Demokratëve, Rudina Hajdari.
Ajo e ka cilësuar si personal konfliktin mes Ramës dhe Metës, dhe kërkon që të shtyhet ngritja e komisionit hetimor për shkarkimit e kreut të shtetit.
Sipas saj, kjo procedurë duhet të diskutohet kur të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese.
“Ne e shohim konfliktin mes Ramës dhe Presidentit si një përplasje personale dhe prandaj ne kërkojmë që ky komision hetimor të shtyhet dhe të ridiskutohet kur të kemi një Gjykatës Kushtetuese funksionale”, tha Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë