Rend dhe Ligj

Kryeprokurori Çela identifikon defektet e rekomandimeve antikrim të Qeverisë

Prokuroria e Përgjithshme thotë se rekomandimet e Qeverisë për luftën kundër krimit në 2020 kanë mbërritur me vonesë dhe kjo e bën të vështirë si përpunimin, ashtu edhe marrjen e masave për ndjekjen e tyre.

“Koha në të cilën ato mbërritën në prokurori mendoj se bën të vështirë përpunimin dhe marrjen e masave për ndjekjen e tyre. Është shumë e rëndësishme që ky proces të kryhet në nisje të çdo viti, për t’i mundësuar prokurorisë hartimin e planeve dhe strategjive për vlerësimin dhe përçimin e tyre në mënyrë efikase”, deklaroi kryeprokurori, Olsian Çela në një aktivitet të zhvilluar online për prezantimin e këtyre rekomandimeve.

Rekomandimet e Qeverisë i adresohen Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse peshën kryesore në luftën kundër krimit e ka Prokuroria e Posaçme. Në këtë pjesë, Çela vuri re një vakuum ligjor.

“Brenda sistemit të prokurorisë veprojnë të pavarura nga njëra tjetra dy degëzime të institucionit, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm që kanë si organ më të lartë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme. Në ligj parashikohet se rekomandimet e Këshillit të Ministrave i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk ka asnjë instrument ligjor me të cilin ky i fundit t’ja përcjellë ato Prokurorisë së Posaçme. Ekzekutivi duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të rregulluar këtë anomali, pasi struktura kompetente për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është Prokuroria e Posaçme, drejtuesi i së cilës raporton në Kuvend”, tha Çela.

Kryeprokurori vuri tha se organi që ai drejton po përballet edhe me vështirësitë e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, ku i jepet një rol thelbësor gjykatësit edhe në drejtimin e hetimit nga ana e prokurorit.

“Kodi i ri i procedurës penale ka ndryshuar raportet tradicionale të hetimit, duke i dhënë gjyqtarit të seancës parapake kompetenca jo vetëm në vendimarrjen në fund të hetimit paraprak, por edhe mbi ecurinë e hetimit. Ky ndryshim i rëndësishëm ka krijuar një dualitet mes prokurorit dhe gjyqtarit në hetim. Gjyqtari, përveç kontrollit të ligjshmërisë në fazën e hetimit ka marrë rolin e kontrollit mbi organin e prokurorisë gjatë kësaj faze, madje edhe drejton hetimet dhe vendos afate për kryerjen e tyre, ndërkohë që nuk ka një përgjegjësi institucionale për efikasitetin e veprimtarisë së tij në fazën hetimore dhe as bën vlerësime të natyrës organizative mbi kapacitetet njerëzore apo teknike të nevojshme në kryerjen e një hetimi”, theksoi ai.

Në konferencë merrnin pjesë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kreu i SPAK, Arben Kraja. Në fjalën e saj, Gjonaj tha se rekomandimet e qeverisë janë ndarë në disa kryesore, që lidhen me luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, përmirësimin e cilësisë së hetimeve, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër narkotikëve, kultivimit dhe trafikimit të tyre, forcimin e bashkëpunimit me institucionet e tjera dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë