Analize

Lindja apo Perëndimi? Vaksinat e kthyen Ballkanin në epokën e Luftës së Ftohtë

Nga Xhuliana Toci - Për shumë vende në Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, dilemat e furnizimit me vaksina janë krahasuar me ato që ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë. Ekspërtet thonë se pandemia i ka vënë në provë vendet e rajonit ashtu si gjatë periudhës së pas-luftës, duke i detyruar të zgjedhin mes Lindjes dhe Perëndimit, zgjidhje që sipas tyre po mbahen shënim nga të dyja palët.

Qeveritë e rajonit po përballen me pyetjet: Cila vaksinë është më e mira? Cila mund të jetë në dispozicion shpejt? A rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet me Perëndimin nëse marrim doza nga Rusia ose Kina?

"Ajo që më kujton Luftën e Ftohtë janë pasojat ideologjike që po lë pandemia për Ballkanin, sepse mendoj se diplomacia e vaksinave ka të bëjë me zgjidhje shumë më të rëndësishme sesa me vaksina" thotë Allison Carragher, një studiuese në Carnegie Europe.

Specialistja e politikave të Ballkanit e sheh zgjedhjen për blerjen e vaksinave në vendet e Europës Lindore si një "përplasje e dy sistemeve të vlerave", me vaksinat kineze dhe ruse në njërën anë dhe vaksinat perëndimore në tjetrën. "Nuk ka të bëjë vetëm me drejtimin gjeopolitik, por edhe me vlerat që qëndrojnë në themel të këtyre programeve të vaksinave" shtoi ajo.

“Por tani, ekziston një spektër më i gjerë i aktorëve kryesorë sesa gjatë Luftës së Ftohtë dhe shumë vende, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, iu drejtuan Kinës”, thotë Joanna Hosa, zv / drejtoreshë e Programit për Europën në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

Ajo pajtohet që vendet e Ballkanit preferojnë vaksinat nga perëndimi, por shtoi se ashtu si gjatë Luftë së Ftohtë, është momenti i zgjedhjeve të vështira dhe shpesh here të pa dëshirueshme.
Rusia ishte e para që hyri në portën e Ballkanit duke ofruar vaksina anti-Covid, duke deklaruar që në gusht të vitit 2020 se kishte zbuluar vaksinën, por shumë shkencëtarë në vend dhe jashtë vunë në dyshim provat klinike.

Por kur disa qeveri në Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor panë se dhe vaksinat ruse dhe kineze ishin më të lehta për tu marrë, ata filluan të ndryshojnë mendje. Në të vërtetë, edhe disa vende të BE kanë marrë vaksinën e Sputnik V para se të miratohet nga rregullatori i BE-së, me Hungarinë dhe Sllovakinë po vaksinojnë tanimë popullsinë.

"Gjermania ka konsideruar gjithashtu prodhimin e vaksinave Sputnik, duke përsëritur se është në interesin e të gjithëve që të ketë sa më shumë njerëz të vaksinuar në Europë dhe rreth Europës," tha Hosa dhe më 9 Mars, ndërsa Dhoma e Tregtisë Italo-Ruse njoftoi se e para se do të prodhojë Sputnik V.

Marrëdhëniet gjeopolitike midis vendeve janë po ashtu të rëndësishme kur bëhet fjalë për kombet që dhurojnë doza për ato në nevojë. Serbia është mbajtur si një nga vendet me fushatën më të suksesshme të vaksinimit në botë dhe qeveria serbe këmbëgul se sigurimi i vaksinës nuk ishte një çështje politike. Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi kohët e fundit se "disa vaksina që vinin nga Lindja ishin edhe më të sigurta se ato që morëm nga Perëndimi. “Duhej të kujdeseshim për veten”, tha presidenti serb. "Nuk mund të presim duarkryq perëndimin”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas Carragher, Serbia ka bërë zgjedhje të forta politike gjatë pandemisë, duke e treguar më haptazi se kurrë se është e para në rajon e gatshme të radhitet mes vendeve të Lindjes.

"A po shpëton Vuçiç jetë me vaksina? Po, ka shumë të ngjarë dhe askush nuk e kundërshton atë, por ka implikime politike. Ne jetojmë në një botë të egër politike dhe Serbia duhet të përgatitet për implikimet e blerjes së miliona dozave nga Kina dhe Rusia" tha ajo.

Ekspertja thotë se presidenti serb është treguar mjeshtër në diplomacinë e vaksinave, duke punuar me Europën, SHBA-në, Kinën dhe Rusinë dhe duke i përdorur të gjitha këto vende në avantazhin e tij.
Ai ka dhuruar vaksina brenda rajonit, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe ka dërguar vaksina për popullatën serbe në Kosovë, duke zgjeruar ndikimin në rajon.

"Për presidentin serb, vaksinat janë një mjet politik", shpjegoi Carragher. “Kryeministrja e Serbisë i ka lidhur këto dhurime vaksinash me integrimin më të madh rajonal, por Aleksandër Vuçic nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për rritjen e ndikimit mbi vendet sllave”, vijon ajo.

Nga ana tjetër, Hosa thotë se nuk ka kaluar pa u vënë re që Serbia ka "luajtur disa lojëra gjeopolitike brenda duke punuar me Kinën dhe Rusinë edhe para pandemisë, ndërsa ishte kandidate për anëtarësim në BE, duke ngritur shqetësime se ku po shkon gjeopolitikisht Beogradi: në krahët e Brukselit, Moskës apo Pekinit?

Plani i vaksinimit të Komisionit Europian ka qenë nga ana tjetër një katastrofë, duke bërë që shumë vende të BE-së të mbeten prapa Serbisë. Për këtë arsye, Hosa nuk mendon se vendimet e disa qeverive të Europës Lindore për të anashkaluar EMA-n do të ndikojnë negativisht në pozitën e tyre në bllok ose pranimin në union.

Në Ballkanin Perëndimor, vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u lodhën duke pritur nga COVAX dhe e dinin shumë mirë se ishin të varura nga dërgesat e BE-së. Por panë se vaksinimi në BE po zhvillohej ngadaltë, vendet e rajonit vendosën të zgjoheshin. Megjithatë, sipas Carragher drejtimi që morën vendet e Ballkanit Perëndimor kthehen pasqyroi më pas prirjet e tyre të vërteta gjeopolitike.

“Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi qëndruan krah Perëndimit, duke kërkuar vaksina nga BE, ndihmë nga institucionet e Brukselit dhe duke qenë më serioze ose të përkushtuar për të qenë NATO, BE dhe pjesë e vendeve perëndimore" tha ajo. “Ndërsa Serbia ka qenë plotësisht e gatshme të punojë me këdo që mund t'i shërbejë më së miri agjendës së saj të brendshme", vijon argumentin ekspertja.

Ajo mendon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është bllokuar në mënyrë të përsëritur në rrugën e tij drejt BE-së dhe pandemia ka shërbyer vetëm për të përkeqësuar "ndjenjën se ato janë harruar", jo vetëm për sa i përket diplomacisë së vaksinave, por edhe shpenzimeve të mëdha fiskale për të mbajtur ekonomitë në këmbë.

Ndërsa diplomacia e vaksinave mund të duket si një temë e nxehtë në kontekstin e pandemisë, Hosa mendon se në të ardhmen, BE do të harrojë se nga kush zgjodhën të blejnë vaksina vendet e Ballkanit. "Ajo që ndodh në Vegas qëndron në Vegas," tha ajo. "Shumë gjëra do të falen sepse shtetet po reagonin ndaj një krize globale”, shton më tej ekspertja.

Por Carragher shprehet se zgjedhjet e bëra gjatë pandemisë do të kenë pasoja afatgjata.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me sigurimin e vaksinave," tha ajo. "Nëse bëheni prodhues i një vaksine kineze ose ruse, ky është një partneritet afatgjatë. Nuk mendoj se Perëndimi se do të harrojë shumë nga kritikat dhe gjuhën anti-europiane të vendeve të rajonit. Kjo krizë tregoi identitetin e shumë prej vendeve të rajonit”, përfundon ajo.

Burimet: "Euractiv", "Euronews", "Politico.Eu"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë