Analize

Ligji i ri, Greqia lehtëson procedurat për emigrantët shqiptarë

Greqi ka miratuar tanimë ligj të ri për marrjen e nënshtetësisë, i cili pritet të lehtësojë procedurat për marrjen e pasaportave greke, sidomos nga të rinjtë.

Ligjin e ri për nënshtetësinë ka kaluar me shumice votash në parlamentin grek dhe do t’u ofrojë më në fund emigrantëve shqiptarë mundësinë e punësimit në sektorin shtetëror dhe atë publik, duke rritur kështu ofruar kështu mundësi edhe më të mëdha në punësimin e tyre në vendin fqinj. Ligji po ashtu përmban dispozita që i shërbejnë racionalizimit, thjeshtëzimit dhe unifikimin e procesit të natyralizimit (politografisi).

Po ashtu, ligji i ri,parashikon uljen e tarifës se nënshtetësisë (tarifa e re do të jetë 550 euro, dhe jo 700 euro) si dhe lehtësira të tjera në provimin e gjuhës greke për moshat e treta dhe personat me aftësi të kufizuara. Ai parashikon një sërë dispozitash lidhur me mënyrën e marrjes së këtij provimi, të cilat tashmë do të jenë më të qarta dhe më me pak kontakt personal mes të intervistuarit dhe komisionit.

Më konkretisht, aplikuesit do të ftohen të përgjigjen në 20 pyetje nga 30 që do t’u bëhen gjithsej. Pyetjet do të jenë rreth gjuhës, gjeografisë, historisë, institucioneve politike dhe zhvillimeve aktuale politike. Pyetjet do të përzgjidhen rastësisht nga një “bankë” prej 300 pyetjesh të parapërgatitura, përgjigjet e të cilave do të jenë të gjitha të disponueshme për të interesuarit, në një faqe interneti. Hartuesit e ligjit të ri thonë se kjo është një praktikë që zbatohet gjerësisht në SHBA dhe në mjaft vende të Europës.

Parlamenti grek

Po ashtu, për herë të parë unifikohen shërbimet e dhënies së nënshtetësisë dhe si rezultat koha e shqyrtimit të kërkesës do të ulet një vit e gjysmë. Në dispozitat e reja përfshihen edhe ato që kanë të bëjnë me përshtatjen e legjislacionit grek me kuadrin institucional europian. Në këtë drejtim, ka dispozita që u japin të drejtën e marrjes së nënshtetësisë personave me moshë të shkuar, personave me të meta mendore, apo të sëmurëve psikikë.

Megjithatë, edhe pse ligji i ri ka lehtësuar proceduarat për nënshtetësinë e brezit të dytë të emigranteve, marrja e nënshtetësisë nuk do të jetë aq e thjeshtë për brezin e parë të tyre, veçanërisht për moshat më pak se 65 vjeç.

Ata do të duhet të lexojnë shumë,madje do t’u nevojitet certifikimi i gjuhës greke në nivelin A2. Një tjetër vështirësi e këtij ligji,është edhe pezullimi i dhënies së nënshtetësisë për emigrantet që largohen për një periudhë më të gjatë se 18 muajsh nga Greqia. Nëse ata kishin aplikuar më përpara për marrjen e nënshtetësisë, procedura pezullohet dhe aplikimi mund të rishqyrtohet në rast se këta vendosen sërish në Greqi.

Ky ligj prek në veçanti emigrantët shqiptarë, të cilët përbëjnë numrin më të lartë të huajve që kanë marrë shtetësinë greke gjatë vitit 2017. Të dhënat e publikuara së fundi nga Agjencia Evropiane e Statistikave EUROSTAT bëjnë me dije se 86.8% e rreth 34 305 personave që morën shtetësinë greke në 2017 ishin qytetarë shqiptarë, 1.3% ukrainas dhe 1.1% nga Moldavia. Sipas të dhënave evropiane lëshimi i shtetësisë në vitin 2017 ishte në Greqi 3% më shumë se në vitin 2016. Madje pas të dhënave zyrtare, janë rreth 200.000 qytetarë të ardhur nga Shqipëria që kanë përfituar nënshtetësinë greke.

Në fakt, Greqia ka lehtësuar prej kohësh procedurat për të gjithë emigrantët shqiptarë që marrin nënshtetësinë greke. Madje tanimë, procedura për kryerjen e shkëputjes nga leja e qëndrimit, mund të kryhet automatikisht, pa pasur nevojë që emigrantët të shkojnë në Qendrën e Emigracionit që të marrin nënshtetësinë.

Po ashtu përgjatë muajve të fundit janë krijuar lehtësira edhe për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Nëse më parë, emigrantët duhet të dorëzonin dokumente vërtetimi se kishin qëndruar në Greqi për më shumë se 7 vite, ku përfshiheshin edhe kontratat e qirasë apo të punës, tashmë duhet të dorëzojnë vetëm një vërtetimin të thjeshtë.
Sipas kritereve, nënshtetësia greke mund të merret nëse jeton 7 vjet ligjërisht në Greqi,
nëse jeton 3 vjet rresht në Greqi dhe ke ardhur nga një vend i Bashkimit Europian, nëse je homogjen, nëse je refugjat politik, nëse ke buletin personi pa shtetësi dhe nëse ke një fëmijë, i cili është shtetas grek.

Ndërkohë, për marrjen e shtetësisë greke me natyralizim, aplikuesit duhet të jenë moshë madhore në kohën e deklarimit të natyralizimit dhe të mos jetë në pritje një vendim deportimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë