Portieri spanjoll, Pepe Reina, i blerë tashmë nga Milani, si dhe Paolo Kanavaro dhe Salvatore Aronika, duhet të pezullohen nga aktiviteti sportiv, pasi kanë pasur lidhje me organizatën kriminale italiane “Kamorra”.
Prokuroria Federale ka kërkuar 10 muaj skualifikim për Paolo Kanavaron, vëllanë e Fabio Kanavaros, katër muaj për Salvatore Aronikën dhe tre muaj për Pepe Reinën. Ish-lojtarët e Napolit akuzohen se kanë pasur raporte dhe kanë shkëmbyer favore me tifozët e lidhur me organizatën e njohur mafioze.
Për Paolo Kanavaron, që luan në Kinë aktualisht, Prokurorët bazohen në rrethana të ndryshme, ku veçohet ajo që ka të bëjë me faktin se dy tifozë të Napolit kanë përdorur kartën e tij të kreditit për shitjen e biletave për në stadium. Edhe portieri Reina është i përfshirë në këtë çështje, por prej tij gjithçka është konsideruar një keqkuptim.
Ka edhe të akuzuar të tjerë, mes të cilëve edhe menaxheri i skuadrës, De Mateis, për të cilin kërkohet pezullimi për katër muaj. Tani pritet vendimi i Gjykatës për tre ish-lojtarët e Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.