Lexo me "Si"

Laureati i Nobelit 2021, Abdulrazak Gurnah: Pse shkrimi është një kurë për shpirtin

Kur ai u përgjigjet pyetjeve, Abdulrazak Gurnah duket se rilidh plagët e hershme, duke i tretur ato në qetësinë e zërit të tij. Pas marrjes së çmimit Nobel tetorin e kaluar, këtij akademiku serioz, pak i mësuar me qendër të vëmendjes, i është dashur të mësojë të pushtojë mediat. Gurnah nuk ka poste profesori, pavarësisht se ka dhënë mësim anglisht dhe letërsi postkoloniale në Universitetin e Kentit për vite me radhë. Ai është ulur pas një tavoline të thjeshtë në dhomën e tij të punës në shtëpinë e Canterbury-t. Në romanet e tij ai tregon për mërgimtarët dhe refugjatët. Në romanin “Parajsa”, nga ana tjetër, ai ndjek peripecitë e Jusufit, një djalë i dhënë peng nga babai i tij një tregtari.

Kur vendosët që do të braktisnit tokën tuaj?

Ishte një vendim që merrej ditë pas dite. Prej disa kohësh kam menduar se si të gjej guximin. Qëndrimi atje ishte i pamundur. Doja të studioja, të zhvilloja veten, të jetoja. Rreth e rrotull pashë vetëm mjerim. Nuk ishte e lehtë të lija familjen, miqtë. Kur isha 18 vjeç u largova me vëllain tim.

Romani "Parajsa" nga Abdulrazak Gurnah

A ishte shumë e dhimbshme ndarja?

Në atë kohë, nuk e kuptova se çfarë do të thoshte ai vendim. Nuk është kurrë vetëm një destinacion gjeografik: ajo që po lini pas do t’ju ndjekë për pjesën tjetër të jetës tuaj.

A duhet ta kujtojmë këtë kur mendojmë për refugjatët?

Ata ikin nga luftërat, nga dhuna. Ata nuk vijnë kurrë duarbosh. Ata duan të punojnë, kanë aftësi për të vënë në vend, aftësi që mund të jenë të dobishme. Shumë janë të rinj dhe plot energji.

Pse zgjodhët Anglinë?

Në fakt mendova se do të isha i lumtur diku tjetër, por nuk e dija se ku. Por Zanzibari ishte kolonizuar nga britanikët dhe prejardhja ime ishte angleze, kështu që të shkoja në Angli ishte më e lehtë sepse ajo kulturë ishte e njohur për mua.

Ju i shkruani librat tuaj në anglisht. Si u përgjigjeni atyre që iu thonë se është gjuha e kolonizatorëve?

Anglishtja që flitej njëqind vjet më parë ishte e mbushur me përbuzje për njerëzit joeuropianë. Por gjuha ndryshon, ajo evoluon. Gjuha që përdor, si ish-person i kolonizuar, është rezultat i ndërgjegjësimit dhe rezistencës sime. Nuk më pushton. Për më tepër, sot që anglishtja është e përhapur kudo, ajo ka pushuar së përfaqësuari një komb dhe u përket atyre që e përdorin atë.

A ju zhgënjeu afrimi juaj i parë në Europë?

Me mbërritjen time në Angli gjeta një vend tjetër, jo atë që na kishin thënë. Kuptova se kolonializmi kishte formësuar imagjinatën tonë përmes një narrative jo reale, të cilën më duhej ta hiqja qafe për ta parë botën me sy të tjerë.

Filluat të shkruanit për të fituar një vështrim të ri?

Të shkruarit më ndihmoi të shikoja brenda vetes, të kuptoja mendimet e mia. Fillova të shkruaj jo sepse doja të bëhesha shkrimtar, por sepse kur kisha mendime të trishtuara më bënte të ndihesha më mirë. Gradualisht ato shkrime filluan të marrin formë artistike.

E mbani mend ditën që thatë: do të shkruaj një roman?

Një ditë dola nga shtëpia për të shkuar të blej një fletore në dyqan me një shpirt ndryshe nga zakonisht. Thellë brenda vetes e dija që kur të kthehesha do të ulesha në tavolinë për të provuar të shkruaja trillime. Isha në të njëzetat, po ndiqja Letërsi në Universitetin e Canterbury-t.

Pse zgjodhët të studioni për Letërsi?

Nuk ishte një zgjedhje e menjëhershme. Fillimisht unë dhe vëllai im kishim filluar të studionim shkencën, por më pas na mbaruan paratë dhe u detyruam të shkonim në punë. Gjeta një punë në spital si asistent në një sallë operacioni. Në atë fazë të vështirë i thashë vetes: sa të mundesh do studiosh letërsi. Ishte lënda që më pëlqeu më shumë nga shkolla.

Çfarë librash keni lexuar si i ri në Zanzibar?

Në Zanzibar qarkullonin pak libra, nga njëra anë sepse kushtonin shumë, nga ana tjetër sepse nuk kishte ndërgjegjësim për vlerën e tyre. Kam lexuar pak nga të gjitha, por më pëlqeu Saul Belloë, Bernard Malamud, James Baldëin. Unë u përpoqa ta kuptoja historinë time përmes shkrimeve të njerëzve të tjerë.

A kanë qenë prindërit tuaj ato që ua kanë transmetuar pasionin për leximin?

Njerëzit e brezit të tyre nuk ishin analfabetë, dinin të shkruanin, por nuk ishin të shkolluar në shkolla publike dhe nuk lexonin. Ata gjithmonë përdornin alfabetin arab, edhe kur shkruanin në suahilisht.

Çfarë pune kanë bërë?

Babai im ishte tregtar. Ai shiste në dyqane produkte që vinin nga Oqeani Indian si: perime, peshk, vezë. Ai nuk kishte dyqanin e tij, ai punonte për të tjerët.

A keni pasur një fëmijëri të lumtur?

Fëmijëria dhe rinia ishin argëtuese, të paktën deri në Revolucionin e vitit 1964 që pasoi pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Deri atëherë shkoja në shkollë, luaja futboll në rrugë, isha i rrethuar nga shokët.

Në roman ju tregoni histori për shtypjen e grave dhe fëmijëve dhe i afroni ato me skenarë qiellorë.

Në gjuhën farsi, parajsa është një kopsht i rrethuar me mure i quajtur ‘pairidaeza’. Është një ide e lashtë, në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për t’i dhënë dëshirës sonë për paqe një pamje fizike, të prekshme.

Marrë nga La Repubblica, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë