Analize

“Lajthitja” kriminale e shifrave të Astirit!

Projekt i Unazës së Madhe të Tiranës ka nxjerrë në pah jo vetëm përplasjet e brendshme dhe çorganizimin e institucioneve përgjegjëse por edhe “lajthitjen e shifrave” nga ana e Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili nëse nuk do të ishte protesta e banorëve do të kishte shembur 122 shtëpi shtesë.

Si ARSH-ja ashtu edhe ALUIZNI kanë dhënë shifra mjaft kontradiktore për numrin e banesave që preken nga ky projekt. Që kur vendosën kryqet mbi shtëpitë e zonës së Astirit , Autoriteti i Rrugor Shqiptar doli më një njoftim, ku tregonte se 317 banesa do të shembeshin për ndërtimin e Unazës së Madhe .

Prej tyre, 163 janë në procesin e legalizimit por nuk do të legalizohen shkruhet në njoftimin e datës 11 nëntor të ALUIZNI-t. Kjo shifër u konfirmua nga të gjitha autoritetet edhe nga Drejtoria e Autoritetit Rrugor edhe nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Hipoteka, Agjencia e Legalizimeve dhe nga Bashkia e Tiranës.

Banorët e Astirit protestojnë para Bashkisë

Ndërkohë nisën protestat e para. Banorët thanë se nuk do të lejonin shembjen e shtëpive të tyre, me ose pa legalizimin, nëse nuk do të dëmshpërbleheshin.

Por siç u mësua, në projektin unazës numri i saktë i objekteve që do të prekeshin nuk ishte përcaktuar. Pati edhe të paktën 7 kategori të ndryshme pronësie, të cilat sic pranoi ALUIZNI, do të ishin gabim të shembeshin pa kompesim.

Vetëm pasi protesta kulmoi me përplasje në kryeministri, rreth një muaj pasi u vendosën kryqet e parë për shembjen e 317 objekteve, Drejtoria a Autoritetit Rrugor, doli me një vlerësim të ri, duke deklaruar se në fakt numri i banesave që do të shemben është 195.


 Pesë institucione: Drejtoria e Autoritetit Rrugor, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Hipoteka, Agjencia e Legalizimeve dhe Bashkia e Tiranës, në një dalje publike të përbashkët

Sipas ARSH-së, 71 prej banesave që preken nga projekti rezultojnë të jenë të pajisura me dokumentet e pronësisë ndërsa 124 objekte janë pa dokumente pronësie. Por në asnjë nga njoftimet zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk sqaron lajthitjen e këtyre shifrave dhe as si u kryen verifikimet fillestare të cilat mund të kishin qëlluar fatale për 122 banesat që shpëtuan nga shembja. Edhe pse momentalisht projekti i Unazës së Re është pezulluar, prapë shqetësimi që mbetet është pse lista ishte e fryrë në fillim?

Sa herë që fliste për protestën, drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro sqaronte mediet se në fazën e evidentimit do të shembeshin rreth 317 objekte dhe se se autoriteti rrugor ka biseduar me qytetarët, objektet e të cilëve preken pjesërisht nga projekti. Por befas ARASH më një njoftim publik të ditës së premte korrigjon listën më një numër më të vogël. Ky është një lajm i mirë për qytetarët apo familjet që shpëtuan nga ndëshkimi i kryqeve mbi pasuritë e tyre të projektuara për t’u shkatërruar, por ende nuk ka përgjigje pse kjo listë nuk ishte e saktë që në fillim.

Saktësia e listës, le të shpresojmë kështu, nisi vetëm pas protestës në Bulevard. Atëherë Hipoteka e Tiranës filloi të tregojë se ka bërë evidentimin e pronave që prek ky projekt, të cilat janë të pajisura me dokument pronësie si certifikatë apo vërtetim sipas rastit. “Për pjesën tjetër jemi në proces e sipër të identifikimit” tha në 26 nëntor drejtori Valdrin Pjetri.

Ndërkohë deri tani ALUIZNI flet vetëm për 107 banesat që nuk do të legalizohen e për pasojë as shpronësohen.

Gjithsesi deri tani kanë shpëtuar nga shembja 122 familje që nëse nuk do të protestonin, pasuria e tyre do të shkërmoqej nga një “nxitim” i pakuptimtë në kufijtë e krimit të institucioneve shqiptare. Por kjo "lajthitje" shifrash mund të jetë edhe dëshmia e një plani të kurdisur keq që u ndal nga protesta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë