Futboll

Laçi ruan “nderin” e Shqipërisë, Partizani dhe Luftëtari për turp

Mbrëmjen e së enjtes në fushë zbritën katër skuadra shqiptare në kompeticionin Europa League. Partizani në transfertën e Mariborit në Slloveni, Laçi priste në shtëpi Anorthosisin, Luftëtari gjithashtu luante në “Elbasan Arena” me Vintspils dhe Prishtina kërkonte kualifikimin për herë të parë, me Fola në “Adem Jashari”. Por nga këto katër ekipe shqiptare, tre të Superligës dhe një e kampionatit kosovar, vetëm Laçi e ka mbajtur lart “nderin shqiptar”.

Me pak fat, shumë punë dhe sakrifica të vazhdueshme, skuadra kurbinase ka bërë historinë. Laçi u kualifikua për në raundin tjetër të Europa League, pas fitores në shtëpi 1-0 me ekipin qipriot, Anorthosis. Kurbinasit në ndeshjen e parë në Qipro ishin mundur në shifrat 2-1 dhe falë golit në fushën kundërshtare ia kanë dalë të presin biletën për në raundin pasardhës të Ligës së Europës.

Kjo është fitorja e parë në kompeticionet europiane dhe për herë të dytë që kalon në raundin e dytë. Me këtë triumf për Laçin njëkohësisht vijnë dhe përfitimet financiare që tani dyfishohen me ato të raundit të parë.

Por nëse në Laç ka festë për këtë kualifikim historik dhe për më tepër ndaj një ekipi me peshë si Anorthosis, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Partizanin. “Skuadra e Kuqe” është eliminuar pas humbjes edhe në Slloveni me Maribor. Ashtu siç ishte parashikuar që në fillim, ekipi i Skënder Gegës e ka mbyllur që në fazën e parë aventurën e tij në Europa League. Me këtë rezultat të ditës së enjte, Partizani largohet nga Europa League me rezultatin e përgjithshëm, 3-0, duke lënë shumë për të dëshiruar, sidomos në fazën ofensive.

Me këtë disfatë Partizani kthehet në Tiranë me dështim edhe për këtë sezon në Europë dhe tani duhet të fillojë të bëjë llogaritë për kampionatin që starton vetëm pas katër javësh.

Por nëse mund të shërbejë si ngushëllim për Partizanin edhe Luftëtari ka bërë një paraqitje skandaloze në debutimin e tij në Europa League. Skuadra gjirokastrite e ka mbyllur paraqitjen e parë në Europa League me 8 gola të pësuar dhe tre të shënuar të dhëna që lënë shumë për të dëshiruar dhe ka zhgënjyer tifozët e këtij qyteti. Në përballjen e kthimit të zhvilluar në “Elbasan Arena” blu zinjtë kanë barazuar 3-3 me Vintspils. Pas kësaj performance, te Luftëtari duhet të ndërhyjnë dhe të përgatiten pasi kampionati është afër dhe gara për çdo sektor ka për të qenë e ethshme.

Por edhe skuadra tjetër shqiptare që luan në Superligën Kosovare, Prishtina është eliminuar në fazën e parë të Europa League nga Fc. Fola. Skuadra e Mirel Josës, i shkoi shumë pranë kualifikimit, por në shortin e penalltive, miqtë nga Luksemburgu janë treguar më të saktë. F.C Fola ka siguruar kalimin në raundin tjetër edhe pse në të dyja ndeshjet nuk arriti dot ta gjente rrugën e rrjetës dhe për Prishtinën ky skualifikim në këtë mënyrë mund të konsiderohet dështim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë