Nga Fatjon Rupi - Mbyllet në raundin e dytë të Europa League aventura europiane e Laçit, që përballë Moldes ka qenë krejtësisht i pafuqishëm. Një tjetër humbje për skuadrën bardhezi në fushën e saj, duke bërë që rezultati i përgjithshëm të shkojë në 0-5. Dominim total i norvegjezëve, të cilët mund të kishin shënuar edhe më shumë, nëse nuk do ta kishin ulur ritmin në pjesën e dytë, ndërkohë që për kurbinasit goli mbeti vetëm një dëshirë. Laçi ishte i detyruar të mendonte më shumë për mbrojtjen, për të shmangur goleadën në portën e kapitenit Selmani.
Në fundin e pjesës së parë, kroati i huazuar nga Skënderbeu, Marko Radas, shaktoi 11-metërsh dhe Aursnes e ktheu në gol, ndërsa në minutën e fundit të pjesë së parë Strand dyfishoi për norvegjezët. Ndryshimet e bëra nga trajneri Besnik Prenga në pjesën e dytë nuk sollën asgjë të re, kurbinasit nuk mundën të shënonin as golin e nderit në sfidën e dyfishtë me Molden. Laçi pësoi 5 gola në total, 2 nga të cilët me 11-metërsh.
Ndeshjen e parë Laçi e kishte humbur me rezultatin 3-0 dhe shanset e kualifikimit ishte thuajse zero.Trajneri Besnik Prenga konfirmoi largimin nga Laçi pas ndeshjes, pasi kontrata e tij me këtë ekip ishte vetëm për Kupat e Europës.
Bëhen tre kështu skuadrat shqiptare që kanë mbyllur aventurën europiane, por ndryshe nga Partizani dhe Luftëtari, që u eliminuan që në turin e parë, kurbinasit arritën të kualifikoheshin ndaj qipriotëve të Anorthosis. Molde ishte një kundërshtar shumë i fortë për Laçin dhe diferencat në fushë ishin të dukshme. Shqipëria në vazhdim do të përfaqësohet vetëm me Kukësin në Europa League. Skuadra veriore do të ndeshet në turin e tretë me gjeorgjianët e Torpedo Kutaisi.
Drita, skuadra kampione e Kosovës, është eliminuar nga Europa League, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e saj përballë Dudelange të Luksemburgut. Kosovarët ishin pranë kualifikimit, pasi pjesën e parë e mbyllën në avantazhin që do t’u mjaftonte, pas golit të Limanit, por nuk mundën ta ruanin këtë avantazh. Me fillimin e pjesës së dytë, miqtë barazuan dhe më pas misioni u bë i pamundur. Dritës i duheshin dy gola për të kaluar më tej, ose të paktën një gol për ta çuar ndeshjen në shtesë, sepse ndeshjen e parë e kishte humbur 2-1. Nervozizmi nuk i lejoi kosovarët të shënonin sërish. Ata erdhën në Europa League, pasi u eliminuan nga Championsi, por edhe në këtë kompeticion nuk mundën ta kalonin turin, edhe pse shorti i kishte favorizuar.
Pjesë e Europa League kanë qenë edhe disa lojtarë të Kombëtares me skuadrat e tyre. Portieri Etrit Berisha ka shijuar fitoren e thellë të Atalantës, 0-8, ndaj Sarajevës. Portieri kuqezi ishte titullar, por më shumë kishte rolin e spektatorit në këtë ndeshje. Ka kaluar në turin tjetër të Europa League edhe mesfushori i Kombëtares, Kamer Qaka, i cili aktivizohet me Steauan e Bukureshtit. Qaka luajti si vendësues, duke hyrë në fushë në minutën e 60-të. Elis Bakaj luajti 64 minuta në ndeshjen mes ekipit të tij, Shakhtar Soligorsk dhe Lech Poznan, ku biellorusët u eliminuan pas kohës shtesë nga polakët dhe Bakaj e mbyll këtu Europa League.
Janë kualifikuar thuajse të gjitha skuadrat e mëdha për në turin tjetër, me përjashtim të Spartës së Pragës, që u eliminua nga serbët e Spartak Suboticës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.