Politike

Kuvendi që (s)duam / 63 përjashtime, 41 deputetë memecë, buxheti votohet duke ngarë makinën, ligje të ‘porositura’ për interes vetjak

Nga Gazeta Si - Në një raport monitorues për aktivitetin parlamentar shtator – dhjetor 2023, Instituti i Studimeve Politikë vëren se kjo periudhë u dominua nga konfliktualiteti politik dhe incidentet e shumta duke bërë që rreth 50% e aktivitetit parlamentar të ishte formal, me një mazhorancë që miraton akte ligjore pa debat dhe një opozitë që tenton të pengojë fizikisht dhe me mjete joparlamentare funksionimin e Kuvendit.

Seancat plenare, sipas ISP, shënuan rekord historik për minutazhin minimal, vetëm në 8 minuta u votua edhe buxheti i shtetit 2024 dhe mesatarisht një ligj/vendim kaloi çdo 2 minuta seancë plenare.

Sipas raportit përmbledhës, Kuvendi nuk miratoi asnjë reformë të rëndësishme gjatë sesionit të vjeshtës.

Aktet e miratuara janë kryesisht në funksion të agjendës ditore dhe nevojave të Këshillit të Ministrave, i cili ishte iniciues i 100% të ligjeve të miratuara.

41 deputetë nuk patën asnjë diskutim dhe rreth 30 deputetë nuk dëshmuan ndonjë kontribut real në komisione ose në seancat plenare.

Sipas ISP, Kuvendi nuk shënoi progres në funksionin kushtetues të kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv.

Kërkesa zyrtare për interpelancat, pyetje, mocion me debat ishte e ulët.

“Shumica parlamentare rrëzoi kërkesat e pakicës për ngritje të dy komisioneve hetimore me arsyetimin se objekti dhe fusha e veprimit nuk respektojnë standardet dhe parimet kushtetuese, ndërkohë që nuk pati asnjë përpjekje nga ky krah politik për të propozuar formulime alternative dhe për t’i dhënë mundësinë pakicës që të riformulonte kërkesën e saj, sikurse vlerëson Gjykata Kushtetuese”, vëren ISP

Kuvendi gjithashtu ka krijuar 23 vakanca, përfshirë vakancën për Avokatin e Popullit dhe Komisionerin kundër Diskriminimit.

Raportohet gjithashtu edhe për raste të ligjeve “të porositura”.

“Për shembull, në dhjetor një drejtues institucioni të pavarur konfirmoi publikisht se nisma ligjore për ndryshimin e një ligji në favor dhe interes të tij personal ishte shkruar nga ai vetë, ndonëse formalisht nisma u paraqit në Kuvend në emër të dy deputetëve të mazhorancës”, vëren ISP.

Nismat e veçuara ligjvënëse të deputetëve, përjashtuar ato për buxhetin, u dominuan jo nga përpjekje për të iniciuar reforma apo për të zgjidhur problematika të qeverisjes, por kryesisht për nevoja politike ditore dhe kundër rivalëve politikë siç është rasti i ligjit për komisionet hetimore dhe nisma për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Arben Ahmetaj gjithashtu vijoi të ushtrojë funksionin parlamentar, ndonëse prej korrikut është në kërkim ndërkombëtar i akuzuar për korrupsion. ISP vëren se Kuvendi nuk kishte mekanizma trajtimi të praktikave të tilla dhe në kontrast me standardet e dekriminalizimit dhe integritetit, partia politike refuzoi ta përjashtojë atë edhe nga grupi parlamentar.

Rreth 39 vendime të Kuvendit u morën në kundërshtim me procedurat parlamentare të përcaktuara në Rregullore, si dhe rreth 32% e mbledhjeve të komisioneve parlamentare u zhvilluan online, përmes një vendimi të pabazuar ligjor të ndërmarrë nga Kuvendi, vendim i cili siç rezultoi nga hetimi i ISP, ishte marrë pas “faktit të kryer”, pra pasi kishin filluar mbledhjet online.

Votimi nga makina i deputetëve u bë trend në së paku 12 raste, përfshirë edhe në votimin për buxhetin e shtetit 2024.

Kuvendi vendosi rekord historik me 63 penalizime disiplinore ndaj deputetëve, ku përfshihen 55% e deputetëve të opozitës. Rastet e penalizimeve gjatë vitit 2023 shënojnë statistikë më të lartë sesa legjislaturat 2005.

Kuvendi injoroi me vetëdije disa procedura dhe rregulla të rëndësishme të aktivitetit parlamentar, duke sjellë vendime me procedurë të përshpejtuar apo duke shkelur afatet ligjore në nismat e tjera.

“Stafi i ISP evidentoi disa raste kur drejtues të komisioneve parlamentare zhvilluan konsultime individuale në zyrat e tyre me drejtues të institucioneve dhe të grupeve të interesit, të pa protokolluara dhe të pa raportuara ato në dokumentacionin parlamentar. Praktika të tilla krijojnë dyshime mbi integritetin e vendimmarrjeve në parlament dhe ndikimet negative që mund të sjellin lobimet informale”, thuhet në raportin e ISP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë