Politike

A ka lidhje turi i Ramës në Greqi me arrestimin e Fredi Belerit? Klosi: E kemi njoftuar më herët

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në një dalje të posaçme për mediat, foli mbi takimin e pritshëm të kryeministrit Edi Rama në Athinë, turin që do të mbajë më tej dhe zhvillimet organizative brenda partisë.

“Edi Rama fillon nga Athina turin e takimeve me diasporën. Do jenë në katër faza. Më 12 maj do jemi në Athinë, 26 maj në Milano, 2 qershor në Londër dhe 16 qershor në Düsseldorf”, tha Klosi.

I pyetur nga mediat nëse data e takimit në Greqi është rastësi apo ka lidhje me shënimin e një viti nga arrestimi i Fredi Belerit, ai u përgjigj: “Ne nuk kemi komente për vendime që do marrë drejtësia, por jeni të qartë që kushdo që është kërkuar të japë informacione para organeve të drejtësisë, nuk ka pasur pengesë nga PS.

Sa i përket lidhjes që bëni me kapjen në flagrancë të Belerit, ne turin e kemi deklaruar që në 8 dhjetor. Pasi bëmë proceset zgjedhore dhe turet brenda vendit, i erdhi radha diasporës, s’ka lidhje me datën e një viti të arrestimit me kandidatin Himarës”, tha Klosi.

Klosi foli gjithashtu edhe për votën e emigrantëve.

“Vullneti nga ne për votën është i shprehur, falë votës së deputetëve të PS ndryshimet që janë bërë në mandatin e kaluar, është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita ka të bëjë edhe me këtë dimension, për të pasur një rienergjenzim të raporteve të emigrantëve me shtetin shqiptar.

Do ishte mirë që komisioni bipartizan të zbatonte kushtet teknike që kjo votë duhet të realizohet. Ne jemi ata që kemi shprehur vullnet politik për të realizuar votën e emigrantëve”, tha Klosi.

Gjatë konferencës, ai foli edhe për zgjedhjen e delegatëve të kongresit të qershorit përmes parimit “një anëtar një votë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë