Mendim

Kuvendi, e vetmja “Foltore” e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbizotëroi punimet e Kuvendit të enjten, duke folur më shumë në kohë minutazhi se ç’ka folur publikisht këto dy muaj nga zyra e PD-së.

Nën presionin e vazhdueshëm të zërave kritik por edhe bashkëpunëtorëve të tij se ai duhet të flasë, të zbresë në bazë, të bëjë kryetarin, të mos i bie më “qylit”, të sqarojë strukturat, më pak fjalë t’i vihet përballë Sali Berishës që po bën revansh në degë, Lulzim Basha ka vendosur të heshtë.

Mbledh deputetët, bën ndonjë shkarkim, kalon ndanë shkallëve të selisë, flet me fjali të shkurtra dhe përsëritëse, ndërsa në thelb problemi me Berishën mbetet aty.

E kundërta ndodhi për të në Kuvend, aty ku Basha sa duket ndihet “komod” për të folur, ose së paku kjo u kuptua nga seanca e të enjtes.

Në mungesë të një strategjie politike  në parti, Basha ka vendosur të bëjë politikën e tij në Kuvend.

Aty ka vendosur të tregojë (më shumë për të vetët) se nuk po bën koalicion me Ramën, se kjo qeveri po bën “tendera luksi”, po ngre “kompani konsulente fantazëm”, ka ngritur në majë klientelizmin e punësimet politike, ka vjedhur përmes energjisë e rritur borxhin publik, se po përgatit për të gjitha këto kallëzime në SPAK, se kjo qeveri është fund e krye e korruptuar (duke përmendur emra ish-ministrash dhe atyre aktuale) ngritur zërin me fjalor të tipit “plehrë” “rrugaç”  “hajdut”, “maskara”, “fundërrinë” e deri të sqarohet edhe për pozicionin e tij ndaj Berishës, për të cilën Rama kinse po e ç’ponte në reagimet e tij të shkurtra se “nuk mund të hynte në garë me atë të ‘foltores’ (Berishën) duke e bërë gojën qenef”.

“Mos e imito atë se po e imitove re në gropë, si ai nuk bëhesh dot. Ji në lartësinë e kostumit, e flokëve të krehu me kujdes, ji në lartësinë e buzëqeshjes dhe mos u bëj si ai i foltores sot se tregon se je në hall. Nuk mund të bëhesh ti njeriu me gojën më të shthurur në Kuvend. Unë një herë nuk mund ta pranoj që të kam konsideruar dhe të konsideroj mik".

Duke ngrënë karremin e Ramës, Basha reagoi në Kuvend për Berishen  

“Pastrimi i PD do të vijojë. Unë nuk pështyj në bashkëpunimin tim 16-vjeçar me Sali Berishën. Pyes veten time se çfarë duhet të bëj që Partia Demokratike të jetë sërish valvula e shpresës jo vetëm për demokratët. Dhe unë e di rrugën. Por ajo rrugë do të marrë poshtë edhe ty (Rama) dhe nuk ka zot që të shpëton”, replikoi ai.  

“Unë nuk jam në këtë sallë për të qenë dikush tjetër veç vetes”, këmbënguli Basha, me fjali të shkëputura sipas reagimit të kundërshtarit për të përçuar atë që ai synon të bëjë, por në vendin e gabuar...

Basha fitoi protagonizmin e kërkuar me ngulm nga ai në Kuvend, por e ka humbur në PD... Deri tani


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë