Politike

‘Halli’ i kujt është Berisha? Basha e Rama ‘e shesin’ në Kuvend. Kryetari i PD shpërthen: Fundërrinë, plehrë, qelbësirë, horra, uturak…

Kuvendi u mblodh në seancë plenare me disa çështje të rëndësishme për të diskutuar, që nga dekrete të Presidentit për kthim ligjesh, te kandidaturat e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës, deri te komisionet hetimore.

Por, një episod që përfshiu Lulzim Bashën dhe Eduard Shalsin që në fillim të seancës përcaktoi diskursin mes Bashës dhe Ramës. Përplasja nisi kur deputeti i PD, Luçiano Boçi kërkoi fjalën për procedurë, kërkesë që u refuzua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në vend të tij ajo ja dha fjalën kreut të Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.

Shalsi e nisi fjalën duke qortuar deputetët e opozitës që po flisnin nga vendi. “Keni një zakon të tmerrshëm, durimi për të dëgjuar. Është çështje edukate. Nëse nuk do të jeni në gjendje të duroni, të mësoni, prandaj jeni katandisur kështu”, tha ai.

Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Lulzim Bashës. “Pushoni mor plehra. Ta kërcas kokës. Dilni flisni këtu si derra. Hajdut! Plehër! Gjysma juaj duhet të jetë në burg! Je bërë uturaku i atij sipër (Ramës). Fundërrinë! Plehrë! Qelbësirë!”, tha Basha.

Përgjigjen nuk e mori nga Shalsi, por nga Kryeministri Edi Rama, që u shfaq “i zhgënjyer” nga fjalori i Bashës. Rama e këshilloi Bashën që të mos imitojë Sali Berishën.

“Mos hy në garë me atë të foltores duke e bërë gojën qenef, se në atë fushë është më i mirë ai se ty, se ai është origjinali, ti je kopja. Për qenefe ai është botërisht qenefi i Shqipërisë. Mos bëj konkurrencë qenef me qenef se nuk je. Si ai nuk bëhesh dot dhe nuk bëhesh kurrë. Ngrihu në lartrësinë e flokëve të krehura me kujdes dhe buzëqeshjes. Je i dalluar se i fsheh mirë ato që mendon, por të paktën jo me gojë. Nuk mund të bëhesh ti goja më shthurur e këtij Parlamenti. Për mua njëherë që të konsideroj mik, këto janë zhgënyese”, tha Rama.

Kryeministri akuzoi se gjuha e përdorur mund të jetë edhe e kushtëzuar nga përplasja e brendshme në PD me Sali Berishën. “Ai është halli yt! E di që e ke hall, por ne nuk ta zgjidhim dot. Atë hall zgjidhe vetë”, tha Rama.

Kryeministri s'e la me kaq, madje herën e dytë e këshilloi Bashën "si mik".

“Lulzim ta kam thënë që unë hallexhinjve nuk u shtoj hallet, je hallexhi sot, unë po të ndjek dhe më vonë kemi kohë prapë, ti je hallexhi për momentin. Zgjidh hallet, por një gabim mos bëj të hysh në garë me atë të “Foltores” duke e bërë gojën “qenef” se nuk ta zgjidh hallin kjo, se në atë fushë është më i mirë ai, ai është origjinali, ti je kopja.Ai është botërisht “qenefi” i Shqipërisë. Ti nuk je, je shumë pllakë majolike për të qenë si ai. Komisionin në fjalë ju duhet ta harroni, nuk bëhet. Shqipëria vazhdon betejën në territor asnjëanës. Ju keni një hall tjetër, kush në krye ku!", tha ai.

Basha u kundërpërgjigj duke deklaruar se Berisha nuk është halli i tij, por është halli i Edi Ramës.

“E ka mendjen te dikush tjetër dhe flet për dikë tjetër. (Edi Ramës) Zemra i rreh për ustain që nuk ia ka kaluar kurrë për gjërat e mira, por për të këqijat ia ka kaluar 500 herë. Unë në këtë sallë nuk jam për të qenë dikush tjetër, përveç vetes. Sa herë më sheh, të del para vetes ora e rërës. Thuaj langonjve të tu që të vetëpërmbahen kur i drejtohen opozitës së vendit”, deklaroi Basha.

Kreu demokrat theksoi gjithashtu se mund të marrë leksione prindërimi nga kushdo në Shqipëri, përveç Edi Ramës.

“Halli yt është se të ka mbaruar vaji i kandilit dhe këtë ti e di shumë mirë. Nuk ke më me çfarë të merresh dhe e di që nuk ka më dhjamë shqiptarësh për të shtrydhur. Foltorja nuk është halli im, po halli yt. Bëhu gati edhe ti për Foltore”, shtoi Basha.

Oligarkë apo sipërmarrës? Basha flet me emra, Rama: Mos i përdor për gjobë! Çoji në SPAK!

Përplasja Rama-Basha në Kuvend këtë të enjte përshkallëzoi në emra konkretë biznesmenësh, që për kreun e PD-së janë oligarkë të lidhur me Ramën dhe për Qeverinë janë sipërmarrës që punësojnë shqiptarët.

“Ta them unë meqenëse bën sikur s’e kupton diferencën mes sipërmarrësve të ndershëm dhe oligarkëve të tu, të cilët nga 12 shkuan në gjashtë dhe tani janë katandisur sa gishtat e njerëz dorë. Një nga një t’i marr unë! Pse të ra heshtja ty në mbledhjen e kaluar (të Qeverisë) kur të thanë se 30 për qind e karburantit futet kontrabandë?! (I drejtohet Ramës) Do emra ti? Emra do? T’i them unë! Të mori baca Çet ty?! Samiri të mori për tunelin e Llogarasë?! Se janë futur edhe ca të tjerë që nuk dihet se ku fillojnë paratë e tyre dhe ku mbarojnë paratë e tua dhe të zyrtarëve të tu, se gjysmën e gropave i paguan droga në Tiranë dhe gjysmën e paguani me paratë që u keni vjedhur shqiptarëve. Se Tirana sot nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari, apo administratori i pasurive të tua”, deklaroi Basha.

Rama iu kundërpërgjigj duke akuzuar Bashën se po i përmend për “t’i gjobitur”, ndërsa e ftoi Bashën që t’i çonte në SPAK akuzat e bëra ndaj tyre.

“Ndryshimi mes meje dhe teje është që unë nuk marr njerëz nëpër gojë, asnjëherë! Nëse ju e nxirrni këtu që unë jam marrë me njerëz dhe të kem përdorur të tjerë për të bërë politikë, hajde ma thoni kur! E di e gjithë Shqipëria se këto janë gjoba Lulzim. Nuk është se nuk e di, këto janë gjoba. E di gjithë Shqipëria se si ndodh që goditet një person me emër si oligark, peshkaqen, peshkatar dhe papritur dhe pakujtuar mbaron sulmi. Atë emrin që përmende, formulo denoncimin dhe shko e dili për zot te SPAK-u dhe çoja ti këto të dhënat e kontrabandës te SPAK”, iu përgjigj Rama.

Por, sipas Bashës, drejtësia sot është në koma dhe SPAK është nën ndikimin e Ramës.

“Së pari, jashtë kësaj salle, e pastaj kur t’i rriten kicat SPAK-ut, që mesa duket ka nevojë për më shumë steroide nga vendi i “Pfizer” dhe nga vendet e “Astrazenekës” e të “Modernës”, por jo të “Sinovakut” e të “Sputnikut”, se do na ngrej dhe satelitë zotëria jote, pastaj edhe vendin do ta tregojë pushteti i tretë, të cilin për momentin duket se e ke vënë nën gjuhë dhe e kontrollon”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë