Politike

Kuvendi do të votojë një rezolutë/ Ministri Hasani përplaset me opozitën per qëndrimin ndaj Kosovës

Nga Gazeta Si- Sulmi terrorist në Banjskë nga serbët ka qenë objekt i përplasjes mes qeverisë dhe opozitës në Kuvend.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mbajtur qëndrimin e Tiranës zyrtare mbi këtë ngjarje, të cilin e dënuar ashpër.

“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmin e dhunshëm të armatosur ndaj policisë se Republikës së Kosovës, më 24 shtator, në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm agresioni kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, rendit dhe sigurisë së Kosovës, por jo vetëm. Ai është, gjithashtu, një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja direkt për Evropën tonë të përbashkët", tha Hasani.

Më tej ai shtoi se Serbia i fryu zjarrit me vendimin për të mbajtur ditë zie për agresorët serb.

Në vend të kësaj, duke shpallur këtë ditë zie, Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur, si kurrë më parë që nga viti 1999.

Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme në kohën e sotme, por edhe e dënueshme me gjithë forcën e fjalëve dhe instrumenteve në dispozicion të bashkësisë Euro-Atlantike”, tha ai duke shtuar se dialogu është e vetmja zgjidhje.

Kryediplomati shtoi se një draft për asociacion është domosdoshmëri që dialogu mes dy vendeve të funksionojë. Ai shprehu nevojën e një konference ndërkombëtare për Kosovën.

Por qëndrimi i tij u kontestua nga deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili theksoi se ministri i Jashtëm, nuk mund të vijë në Kuvend me tezat e Ramës, pasi ai përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. 

"Nuk mund të hidhni teza që mund të kenë pasoja dhe pastaj të fshihni kokën si struci", tha Shehu, i cili dënoi qëndrimet e mbajtura nga kryeministri deri tani.

Ndërsa deputetja demokrate Jorida Tabaku tha Shqipëria duhej të ishte koordinuar me Kosovën për qëndrimet që duhej të mbante.

"Java e kaluar ka qenë dramatike për  Kosovën. E dëgjova me vëmendje ministrin e Jashtëm. Nuk e di a jeni koordinuar me qeverinë e Kosovë me propozimet për shtimin e trupit të KFor-it", theksoi Tabaku.

Kryetarja e komisionit të Jashtëm, socialistja Mimi Kodheli tha se në konferencën e kryetarëve është vendosur që të dilet me një rezulotë për Kosovën, duke shpresuar që mazhoranca e opozita të arrinin në një qëndrim.

"Edhe grupi PD-së ka paraqitur një rezolutë shpresoj që ajo të diskutohet në komisionin e Jashtëm parlamentar në mënyrë që të dalim me një qëndrim", theksoi Kodheli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë