Politike

Berisha sulmon Ramën: Po zbaton planin e Vuçic për Kosovën

Nga Gazeta Si- Ngjarja e rëndë e ndodhur në Kosovë ishte pjesë e diskutimit në Parlamentin e sotëm. Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama për qëndrimet e mbajtura në lidhje me ngjarjen në Kosovë, duke u shprehur se po zbaton planin e Vuçiç.

"Edi Rama pasi dështoi në projektin e copëtimit dhe ndarjes së Kosovës, si argat i Vuçiç u angazhua me të gjithë potencialin e tij për projektin ruso-serb të Ballkanit të Hapur. Ai vuri në darë Kosovën, vetëm e vetëm për ta nënshtruar atë në një projekt që shënonte vendosjen e hegjemonisë serbe dhe në shekullin e 21, mjerisht përsëri pas 100 vitesh në rajonin e Ballkanit. A ka argat më të shpifur, më të shpërfytyruar se ky. A ka albanofob me të madh në historinë shqiptare se Edi Rama", tha Berisha.

Më tej ai theksoi se Rama nuk i shprehu ngushëllimet  për familjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku.

“Çdo shqiptar sot duhet të ndihet tmerrësisht i lënduar. Dy ditë më parë, njëri nga gazetarët më të shquar të botës gjermane do të bënte krahasimin e shekullit në historinë e Ballkanit. Gazetari Michael Martens do të cilësonte Edi Ramën si kryeministrin më të mirë të Serbisë, pas Nikola Pashiç. Nuk ka në historinë e Ballkanit, të Rajonit një krahasim damkosës si ky dhe më kuptimplotë", tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë