Politike

‘Kosova’ Rama dhe Plenkoviç në Kroaci: Sulmi në veri dhe heroizimi nga Beogradi kërkojnë përgjigje, BE të marrë masa

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dënuan  dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe “heroizimin” e tyre nga Beogradi, duke kërkuar nga BE dhe Perëndimi të marrin masa kundër Serbisë.

“Samiti i Berlinit do të ketë një temë diskutimi edhe për Ballkanin, duke nisur edhe nga situata e vështirë në veri të Kosovës. Por i takon BE dhe NATO që të dënojë atë aktin, të ndalohet dhe të shmanget përsëritja apo larg qoftë të jetë më keq se kaq.

Na duhet një qëndrim i unifikuar lidhur me atë që ndodhi kjo jo vetëm në fjalë por me fakte...

Masat të merren edhe për Serbinë. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Europës dhe një rajoni, një grup kriminal i armatosur gjer në dhëmbë ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetë një polici e ti gëzohet nderit më të lartë zisë kombëtare. Ky është kulmi e papranueshme” tha Rama

Edhe Andrej Plenkoviç, kryeministër i Kroacisë ka dënuar vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga grupe të armatosura që dukej se ishin të strukturuara.  Kjo ngjarje është një incident shumë serioz. Tregon se ka forca që duan të destabilizojnë situatën në hapësirën e Evropës Juglindore. Nuk mund të mos e shohim jashtë këtij kontekstit. Reagimet e BE-së duhet të jetë të qarta dhe të forta dhe të përkrahin institucionet e Kosovës...” tha Plenkoviç.

Plenkoviç përsëriti se duhet të marrë masa edhe ndaj Serbisë.

Ndërkohë, Rama tha ndër të tjera se shfaqja e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën nxit tensionet duke e cilësuar pozitive tërheqjen.

“Shqipëria për herë të parë në të paktën këto 10 vite të fundit ka vendosur të mos linjëzohet me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së që ishte deklaratë që pasonte takimin mes dy liderëve Kosovë e Serbi e që për arsye proceduriale duhej të bëhej publike në kohën që ndodhën zhvillime dramatike e krejtësisht të papranueshme. Ne shprehëm pamundësinë tonë për të mbështetur deklaratën.

Ne konsiderojmë se të dyja, vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i veshur ushtarakisht në Kosovë dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe të dënueshme në të gjitha nivelet. Ky është qëndrimi ynë.

Shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona që ishin të përfshirë në vrasjen e një efektivi policie e të veshur ushtarakisht me uniforma jo shtetërore ishte diçka po kaq e rëndë sa vetë i parapriu. Në këtë pikë jemi shumë të keqardhur që e çon pas procesin e normalizimit. Jemi të bindur se e vetmja rrugë është dialogu dhe padiskutim jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën që nxisin vetëm tensione e rrisin frymën e dasive.

Pozitive që ushtrua serbe po zbrapset por është negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata apo këtij momenti kur rajoni duhej të jetë i bashkuar në BE"

 Rama tha gjithashtu se Kroacia është shembull frymëzimi për rrugëtimin europian të Shqipërisë.  Ai tha se kanë kërkuar mbështetje direkte nga qeveria kroate në procesin e integrimit.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se, “do korrektojmë mënyrën e administrimit të fondeve të BE për bujqësinë”, duke marrë shembull Kroacinë. Deklarata e Ramës vjen pas pezullimit të fondeve të IPARD për bujqësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë