Nga Gazeta 'SI' - Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prodhuesve të birrës për të shfuqizuar ligjin e akcizën, që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.
Shoqata e prodhuesve të birrës pretendon se ky ndryshim, i cili në thelb dyfishonte tarifën e akcizës për prodhuesit deri në 200.000 HL në vit, cënon lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës, parimin e sigurisë juridike, si dhe detyrimet që rrjedhin në zbatim të nenit 70 të MSA-së.
Gjykata vlerësoi se unifikimi i akcizës përbën ndërhyrje në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kjo ndërhyrje plotëson kriteret kushtetuese “të vendosur vetëm me ligj” dhe “për interes publik”, të parashikuara në nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës.
"Për sa i përket analizës së kritereve të parimit të proporcionalitetit, Gjykata mbajti në konsideratë diskrecionin e shtetit në fushën fiskale dhe kohëzgjatjen prej 15 vjetësh të akcizës së diferencuar si një mjet i përzgjedhur nga ligjvënësi për të lehtësuar barrën tatimore për kategorinë e prodhuesve të produktit të birrës nga malto. Gjykata çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional", shkruhet në vendim.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200.000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Prodhuesit e birrës kundërshtuan ndryshimin ligjor duke thënë se do të sjellë falimentimin e sektorit, sidomos prodhuesit e vegjël dhe do të favorizojë importin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.