Analize

Kush do të jetë Presidenti i ri i KE-së, që do të ketë në dorë fatin e Ballkanit?

Një ditë pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, udhëheqësit kryesore të unionit janë mbledhur tanimë në Bruksel për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët pritët të përcaktojnë edhe fatin e Ballkanit për pesë vitet e ardhshme. Posti kryesor që duhet të plotësohet është ai i Presidentit të Komisionit Evropian, shefi ekzekutiv më i fuqishëm i unionin, i mbajtur aktualisht nga Jean-Claude Juncker. Më pas do të duhet të zgjidhet presidenti i Këshillit Europian dhe Përfaqësues i ri i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, një post i mbajtur aktualisht nga Federika Mohgerini.

Emrat e rinj që do të udhëheqin unionin, do të kenë në dorë edhe agjendën e zgjerimit dhe integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor. 2025-ta është përcaktuar nga shumë ekspertë si viti kur Serbia dhe Mali i Zi do të anëtarësohen në BE, për t’u pasuar më pas nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por më shumë se sa nga reformat e ndërmarra nga vendet e rajonit, procesi i integrimit duket se do të varet nga vullneti i kreut të ri të Komisionit Europian dhe atmosfera e përgjithshme brenda BE-së. Emri kryesor është Manfred Weber, aleati i ngushte i kancelares Angela Merkel, por edhe vetë eurodeputeti gjerman ka qenë tejet skeptik për sa i përket zgjerimit të BE-së brenda një periudhe të shkurtër kohe.

Sipas rregullave, Këshilli Europian emëron Presidentin e ri të Komisionit dhe më pas parlamenti i ri prej 751 anëtarësh ratifikon zgjedhjen e tyre. Por procedura, megjithëse duket e drejtpërdrejtë, bëhet edhe më e ndërlikuar mes një luftë komplekse pushteti midis shteteve rivale dhe blloqeve ideologjike dhe midis udhëheqësve dhe parlamentit vetë. Ky duel ka nisi të martën, kur presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk priti krerët e BE-së në një samit në Bruksel.

Në vitet e mëparshme koalicioni i Social Demokratëve dhe Partitë Popullore Europiane kishin shumicën, por të djathtët kishin “fjalën e fundit” kur vinte puna tek udhëheqësi i ri i Komisionit. Por tanimë PPE-ja nuk mund të marrë asnjë vendim pa marrë mbështetjen e liberalëve të ALDE-s apo të Gjelbërve.

Manfred Weber

Si kandidati kryesor i PPE-së, e cila edhe pse humbi terren mbetet grupi më i madh parlamentar, konservatori bavarez Weber është përfolur prej muajsh si udhëheqësi i ri i Komisionit.

"Ne fituam zgjedhjet dhe kandidati i PPE-së, Manfred Weber, do të jetë kryetari i Komisionit", këmbënguli presidenti i këtij grupi parlamentar, Joseph Daul.

Por përkundrejt vetëbesimit të tij, partia ka humbur terren dhe zgjedhja e Presidentit të ri ka të ngjarë të vijë pas një periudhe të gjatë negocimi.

Gara e ashpër

Tetë nga 28 krerët e BE-së vijnë nga partitë e PPE-së, por kryeministri hungarez Viktor Orban është përjashtuar dhe kancelari austriak Sebastian Kurz u shkarkua të hënën. Parlamenti austriak hodhi poshtë qeverinë e Kurz me anë të një mocioni mosbesimi ndaj 32-vjeçarit dhe gjithë qeverisë së tij.

Përveç, Weber, ish-ministri holandez, Frans Timmermans, politikan më shumë përvojë ekzekutive ka marrë tanimë mbështetjen e S & D dhe ALDE.

Një tjetër emër i mundshëm është komisionerja daneze, Margrethe Vestager, e cila ka marrë tanimë mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron. Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel është e patundur në mbështetjen e saj për Weber.

Por, sipas një zyrtari të lartë europian, nëse vjen një përplasje franko-gjermane, për të shmangur një krizë të mundshme, udhëheqësit mund të zgjedhin Timmermans, si një kandidat kompromisi.

Tre grupet e mëdha janë të bashkuar përballë euroskeptikëve të ekstremit të djathtë, por ka sinjale se të Gjelbrit, ALDE dhe S & D nuk preferojnë një kandidat që vjen nga radhët e PPE-së.

Frans Timmermans

Shefja e konkurrencës së BE-së, Margrethe Vestager, ka një profil mjaft të përshtashëm dhe njihet në Bruksel si gruaja që udhëhoqi negociatat e vështira me kompanitë amerikane të internetit. Po ashtu ajo do të ishte presidentja e parë femër e Komisionit Europian.

Por ajo vjen nga Danimarka, një anëtar jo-themelues i BE-së, dhe ndoshta nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë së saj në shtëpi. Ajo mund të ketë mbështetjen e Macron, por humbja përballë partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, e ka dobësuar tej mase pozicionin e presidentit francez

Presidenti i ri dhe perspektiva e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor

Një nga detyrat kyçe të kreut të ri të Komisionit do të jetë edhe përmirësimi i perspektivës së zymtë së integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo perspektivë nuk është lënë pas dore vetëm për shkak të rritjes së populizmit dhe euroskepticizmit, por edhe për shkak të qëndrimit skeptik të konservatorëve, liberalëve dhe partnerëve të tyre në të majtë.

Zgjerimi i BE-së nuk ka qenë ndër prioritetet e axhendës së BE për vite me radhë dhe për shumë ekspertë, pavarësisht kreut të ri të KE-së, do të mbetet kështu pas zgjedhjeve. Shumica e aktorëve politikë në Europën Perëndimore, qoftë të majtë, qoftë të djathtë, nuk janë në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

"Vendet kandidate pretendojnë se duan të reformohen dhe ne pretendojmë se duam që ata të bashkohen me BE", deklaronte disa ditë më parë, një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian për “Euroactiv”, një fjali që përshkruan si kurrë më parë se çfarë po ndodh midis BE dhe rajonit të Ballkanit.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Angela Merkel

Shumica e vendeve anëtarë e justifikojnë qasjen e tyre të kujdesshme për zgjerimin e mëtejshëm me përvojën negative me anëtarët e rinj dhe regresin e tyre demokratik. Është e vërtetë se disa anëtarë të rinj luftojnë me populizmin autoritar, të tjerët, si shtetet baltike, Sllovenia apo Malta, kanë bërë një rrugë të gjatë për t'u integruar plotësisht në strukturat e BE.

Rritja e partive populiste si në Lindje dhe në Perëndim, po formëson diskutimin politik dhe po ndryshon peizazhin politik në BE.

Populistët e ekstremit të djathtë shfrytëzojnë në mënyrë efektive shqetësimet e njerëzve lidhur me emigracionin e paligjshëm, fluksin e punëtorëve të huaj dhe problemet e sigurisë me qëllim që ta mbajnë zgjerimin sa më larg agjendës së BE-së.

Përballë kësaj sfide, shumica e partive tradicionale kanë mprehur retorikën e tyre ndaj zgjerimit të mundshëm. Vetë Weber ka zgjedhur fjalë shumë të kujdesshme për sa i Ballkanit Perëndimor, duke thëne se thellimi vjen para zgjerimit, prandaj për pesëvjeçarin e ardhshëm dera e BE-së do të duhet të jetë e mbyllur për vende të reja. Sipas tij, Ballkani Perëndimor shihet me perspektivë të qartë në BE, por se kërkohen rezultate më pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, anëtarësimi sipas tij duhet të jetë i merituar, e jo thjesht si argument për të ruajtur paqen.

Për ish-Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schultz, as Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nga Ballkani Perëndimor nuk do të anëtarësohet në BE, për të paktën 15 vjet.

Duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme, Schultz, deklaroi disa javë më parë se asnjë shtet i ri nuk do të pranohet në union dekadën e ardhshme pa plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit.

“Nuk do të ketë asnjë pranim të ri në BE dhe për këtë po mendon qeveria austriake. Anëtarësimi i vendit të parë të Ballkanit Perëndimor, i cili do të plotësojë kriteret për anëtarësim në BE do të zgjasë edhe 15 deri në 20 vjet”, u shpreh deputeti gjerman.

Këmbëngulja e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së do të ishte e kotë nëse nuk mbështetet nga anëtarët ekzistues të bllokut. Vetëm unioni i bashkuar mund të përshpejtojë reformat e nevojshme apo të gjenerojë ndryshimet e shumë pritura në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë