Marrëveshja e paralajmëruar prej kohësh tashmë është zyrtarizuar. Portieri belg, Tibot Kurtua, do të veshë fanellën e kampionëve të Europës për 5 sezonet e ardhshme. Lajmin e ka zyrtrizuar vetë klubi madrilen me anë të një komunikate për shtyp. Reali i Madridit arriti akordin me Çelsin për shumën e 40 milionë eurove. Portieri belg do të zëvendësojë te Reali Kejlor Navasin, jo shumë i pëlqyer në Madrid, edhe pse me të në portë “Los Blancos” fituan Championsin sezonin e fundit.
Çelsi nuk u gjend i papërgatitur në këtë rast, pasi siguroi portierin e Atletiko Bilbaos, Kepa, për shifrën rekord të 80 milionë eurove. Vetëm 20 ditë zgjati rekordi i Alisonit, që kaloi nga Roma te Liverpuli për 71 milionë euro. Tashmë është qartësuar edhe situata e portierit Kurtua, që së fundi e kishte bezdisur jo pak trajnerin Mauricio Sarri. Në fakt, blutë e Londrës kërkuan me ngulm sllovenin Jan Oblak për portën, por ai refuzoi, duke i qëndruar besnik Atletikos së Madridit dhe trajnerit Simeone. Shifra e ofruar nga Çelsi për Oblak, sipas shtypit spanjoll, ishte monstruoze, plot 100 milionë euro.
Tashmë të gjitha palët janë të kënaqura, veçanërisht presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili ia arriti qëllimit që për një shumë të pranueshme, duke parë çmenduritë në tregun e sotëm, të marrë në ekip një nga portierët më të mirë në botë. Kurtua shkëlqeu në Botëror me Belgjikën, ndërkohë që vlerat e tij i ka treguar edhe me klubet ku ka luajtur, Atletikon e Madridit dhe Çelsin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.