Dikur vullgariteti bëhej shkak për distancimin nga shoqëria, madje në epokën e gjyshes sime, çdo person që shkelte normat shoqërore i lahej që goja me sapun. Por sot, vulgariteti është më në modë se kurrë.
Sot femrat flasin në një mënyrë që "do të skuqnin” të gjithë meshkujt e botës dhe shprehjet që dikur ishin të ndaluara për damat e edukuara të shoqërisë, janë sot pjesë e çdo bisede normale.
Javën e kaluar në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, një "komediane" i panjohur me emrin Michelle Wolf u ngjit në skenë dhe filloi të sulmonte me fyerje personale Presidentin Trump, sekretaren e shtypit, Sarah Huckabee Sanders dhe ndihmësen e tij të lartë Kellyanne Conuay, duke shkelur me këmbë dhe ato pak standarde mirësjelljeje që kanë mbetur.
Wolf gjithashtu shpërtheu me referenca groteske për abortin dhe përdori fjalë vulgare për të përshkruar organet gjenitale femërore. Mund t'i kërkoni fjalët, por ishin aq vulgare sa nuk mund t’i përmendimin në këtë artikull. Michele u tregua aq vulgare se Margaret Talev, presidentja e organizatës së korrespondentëve, u detyrua të publikonte një deklaratë për të kërkuar falje.
"Programi i natës së kaluar synonte të ofronte një mesazh unifikues për angazhimin tonë të përbashkët për një shtyp të fuqishëm dhe të lirë si dhe për gazetarë të shkëlqyer. Për fat të keq, monologu i artistes nuk ishte në frymën e këtij misioni”, shkruante ajo.
Për fat të keq? Talev duhet ta priste atë që ndodhi që në momentin që ftoi Wolf.
Është e vështirë të përcaktohet kur filloi degjenerimi i gazetarisë. Ende kujtoj darkën e Shoqatës së Korrespondentëve një vitin 1996. I ftuari kryesor ishte Don Imus. Ndërkohë që Presidenti Clinton dhe Zonja e Parë ishin ulur në tavolinën kryesore, Imus shpërtheu me një sërë "shakash" rreth sjelljes seksuale të presidentit dhe problemeve ligjore të Hillary Clinton. Unë nuk jam fanse e Klintonve, por ajo darkë më la një shije të keqe.
Ditën tjetër thirra sekretaren e shtypit Dee Dee Myers dhe e pyeta nëse ishte dakord, duke menduar se po tregohesha “mendjembyllur”, por edhe ajo ishte e të njëjtit mendim me mua.
Të fyesh një president para hundës së tij, ose në mungesë, meqë Trump u tregua i mençur dhe e shmangu darken, është bërë tanimë demode.
Ku ishin zërat feministë kur Wolf iu referua "syve të skuqur" të Sarah Sanders dhe e quajti atë dhe Conuay gënjeshtare?
A nuk u interesojnë këtyre korrespondentëve se çfarë mendon publiku për ta? A nuk kanë asnjë shqetësim për vlerësimet e ulëta mbi kredibilitetin? Apo mos vallë shqetësohen më shumë për përforcimin e besimeve të tyre politike sesa raportimin e balancuar dhe integritetin profesional?
Njerëzit që panë darkën ose lexuan rreth saj duhet të kenë hasur edhe më parë pikëpamjet e tyre në "mediat liberale", por Sanders dhe Conuay duhet të kishin dalë nga ajo dhomë.
Do të kisha qeshur nëse do të merrnin gotat e ujit dhe do t'ia hidhnin në fytyrë zonës Wolf ndërkohë që dilnin, por kanë shumë klas për ta bërë këtë.
Pas darkës së vitit 1996, kreu i Shoqatës së Korrespondentëve shkroi një letër ku i kërkonte falje Presidentit Clinton, por është mëse e sigurt se askush nuk do t’i kërkojë falje Trump, Sanders dhe Conuay.
Mendoj se mund të themi me siguri se shumica e audiencës dhe e gazetarëve pajtohen me Wolf, jo për vulgaritetin, por me siguri për pikëpamjen liberale që ajo pasqyron.
Zonja Wolf tani ka të ngjarë të kthehet sërish në shpellën e saj dhe pas 15 minutash fame, t’i harrohet sërish emri.
Nëse Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë vazhdon të përqafojë varfërinë intelektuale dhe vulgarin, duhet të mos mbahet me. Për sa kohë që Donald Trump të jetë president, askush nga Shtëpia e Bardhë nuk do të marrë pjesë sërish./Washington Times/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.