Analize

Gabimi metaforik i Europës…

Brukseli po e sheh gjithnjë e më shumë ekonominë si të ngjashme me luftën...

Nga Gazeta ‘Si’- Edhe pse teknikisht nuk ndodhet në luftë, Bashkimi Europian në shumë mënyra tashmë funksionon si në një gjendje konflikti të armatosur- veçanërisht në mënyrën se si e interpreton vetë realitetin e tij politik dhe ekonomik.

Gjuha e përplasjes është veçanërisht e pranishme në Bruksel, ku zyrtarët dhe komentuesit e BE-së duket se e kanë gjithnjë e më të vështirë të trajtojnë çdo temë-dhe sidomos ekonominë- pa përdorur terma me ngarkesë ushtarake.

Sipas këtij diskursi, Shtetet e Bashkuara dhe Kina po fitojnë terren ndaj Europës. Sanksionet perëndimore po shkatërrojnë ekonominë ruse.

Eksportet kineze po dëmtojnë bazën industriale europiane. Rregulloret po mbytin bizneset në BE. Ndërsa tarifat e Donald Trump po godasin eksportuesit europianë.

Edhe zgjidhjet politike artikulohen në të njëjtin ton. Sektori i mbrojtjes duhet forcuar. Siguria ekonomike duhet përmirësuar. Burokracia duhet reduktuar. Dhe “bazuka tregtare” e Brukselit mund të vihet në përdorim.

Një militarizim i tillë konceptual është deri diku i kuptueshëm. Pas më shumë se katër vitesh, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon; tensionet SHBA-Iran dhe Izrael-Iran mbeten të ndezura; ndërsa luftërat tregtare me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të marrin përmasa më serioze.

Megjithatë, kjo mënyrë e të menduarit nuk është gjithmonë e justifikueshme.

Së pari, vetë metaforat shpesh janë të diskutueshme ose të pasakta. Tarifat, për shembull, janë taksa që zakonisht paguhen nga importuesit dhe jo nga eksportuesit.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e tarifave të vendosura nga Donald Trump: sipas Institutit Kiel, një think-tank gjerman, rreth 96% e barrës së tyre është përballuar nga konsumatorët dhe kompanitë amerikane. Në këtë kuptim, nëse dikush “goditet”, ai është vetë tregu amerikan.

Më e rëndësishmja, megjithatë, është se tarifat nuk “godasin” askënd në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Siç ka argumentuar ekonomisti Ha-Joon Chang, ato kuptohen më mirë si një formë “edukimi ekonomik”.

Në veçanti, tarifat kanë një histori të gjatë si instrument për mbrojtjen e industrive të reja- të ashtuquajturën “mbrojtje të industrive foshnje”- pra për të mbështetur sektorët në zhvillim derisa të jenë të aftë të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar.

Kur kombinohen me politika efektive industriale, ato shpesh kanë dhënë rezultate pozitive, si në rastin e Britanisë gjatë shekujve XVII dhe XVIII, apo të Shteteve të Bashkuara deri në vitet 1930, kur vendi ishte ndër më proteksionistët në botë.

“Dhënia e mbrojtjes tarifore është si të dërgosh një fëmijë në shkollë,” ka thënë Chang në një intervistë. “Por fëmija duhet të mësojë nëse dëshiron të bëhet produktiv… prandaj nevojitet edhe politika industriale.”

Sipas tij, edhe përpjekjet e Donald Trump për të ringjallur industrinë amerikane janë të destinuara të dështojnë, pikërisht sepse mungon një qasje e tillë e koordinuar industriale.

E njëjta logjikë mund të zbatohet edhe në raste të tjera. Eksportet e lira kineze, për shembull, në disa sektorë-si industria diellore- mund të shihen më shumë si përfitim për konsumatorët europianë sesa si kërcënim për industrinë vendase.

Këtë pikë e ka theksuar edhe Mario Draghi në raportin e tij të vitit 2024 mbi “konkurrueshmërinë”, një term që vetë pasqyron prirjen e BE-së për të përdorur gjuhë të ngarkuar strategjike dhe “luftarake”.

Kjo lidhet me një problem më të thellë. Tendenca për të parë çdo zhvillim në terma militarë – si një garë me zero përfitues – rrezikon të përkeqësojë vetë problemin që pretendon të adresojë. Nëse bota konceptohet si thelbësisht konfliktuale, ajo mund të fillojë të funksionojë pikërisht në atë mënyrë.

Ky shqetësim është ngritur më herët. Paul Krugman ka paralajmëruar që para më shumë se tri dekadash se obsesioni me “konkurrueshmërinë” mund të çojë në konflikte tregtare dhe, në skenarin më ekstrem, në një luftë tregtare globale.

Duke parë realitetin nga viti 2026, ky paralajmërim duket gjithnjë e më i justifikuar.

Përzierja e metaforave

Por a ka qenë ndonjëherë ndryshe?

Në fund të fundit, njerëzit kanë përdorur prej kohësh metafora ushtarake për të kuptuar botën. Siç theksojnë George Lakoff dhe Mark Johnson në librin e tyre “Metaphors We Live By”, argumentet “sulmohen”, “shkatërrohen” dhe “rrëzohen”, ndërsa inflacioni shpesh paraqitet si një armik që duhet luftuar.

Kjo mënyrë të menduari nuk është domosdoshmërisht e gabuar. Në shumë raste, ajo ndihmon për t’i dhënë kuptim fenomeneve komplekse ekonomike dhe politike.

Sipas autorëve, metafora e inflacionit si “armik” ka një fuqi shpjeguese që e bën atë të kuptueshme për publikun e gjerë. Kur njerëzit përballen me humbje ekonomike të shkaktuara nga faktorë kompleksë dhe të vështirë për t’u kuptuar, një kornizë e tillë konceptuale ofron një narrativë koherente për atë që po ndodh.

Problemi në Bruksel sot nuk është përdorimi i metaforave në vetvete, por përdorimi i tyre i tepruar dhe shpesh i pakontrolluar. Në dokumente dhe deklarata zyrtare, fjalë si “agresion”, “agresor” apo “bazukë tregtare” shfaqen me frekuencë të lartë, shpesh pa një përkthim të qartë ekonomik apo politik.

Lakoff dhe Johnson vënë në dukje gjithashtu se argumentet mund të konceptohen edhe si udhëtime ose si struktura, jo vetëm si beteja. Por në diskursin europian është e rrallë të dëgjosh metafora të tilla alternative, si për shembull trajtimi i tarifave si “edukim ekonomik”, apo pranimi se eksportet e lira kineze mund të jenë përfitim për konsumatorët evropianë.

Një shembull interesant i përdorimit të metaforës ushtarake është edhe fjalimi i presidentit amerikan Jimmy Carter në vitin 1977, kur shpalli “ekuivalentin moral të luftës” kundër krizës energjetike, duke kërkuar sakrifica të mëdha nga qytetarët. Vetëm tre vite më vonë, ai humbi presidencën.

Në një kontekst ku ekonomia globale po përballet sërish me tensione të mëdha dhe pasiguri gjeopolitike, liderët europianë do të bënin mirë të reflektonin mbi mënyrën se si e formësojnë gjuhën e tyre politike.

Përndryshe, rrezikojnë që në vend të analizës së ftohtë ekonomike, të mbeten peng i metaforave të luftës me pasoja që mund të ndihen edhe në kutitë e votimit./ Euractiv


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë