Mendim

Kur Mevlan Shanaj të bën të ndjehesh në faj

Nga Zefina Hasani - Pak ditë më parë më kishte ardhur në inboks e Facebook-ut një link, që nëse do ta klikoja do të më shfaqte një dokumentar të realizuar nga “Zig Zag Film”, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Radio Televizionit Shqiptar, për regjisoren e filmave për fëmijë, Xhanfize Keko. Më ndodh shpesh, që kur një mesazh nuk e hap dot në momentin që më vjen, mund edhe ta harroj fare që ta hap e ta shikoj më vonë. Ngatërruar e harruar nëpër punët apo kotësitë e ditës ndodhi që vërtet e harrova ta hapja e ta shikoja atë dokumentar, derisa Mevlan Shanaj, regjisori (edhe) i këtij dokumentari më vuri në një siklet të paparë, ndërsa me atë sinqeritetin e babaxhanllëkun e tij e sidomos me të drejtën që i japin gjithë ato kohë bisedash e kuriozitetesh mbi botën magjike të filmit, që bëheshin mes regjisorit e gazetares së kulturës, më dërgoi fiks pas 10 ditësh një mesazh të dytë, po aty në inboksin, ku linku i dokumentarit nuk ishte klikuar ende. “Moj Zefina më çudite që nuk paske gjetur kohë për të mësuar kush është Xhanfize Keko?!?!” - lexova duke u ndier direkt në faj sepse e di që, Mevlani s’do të ma falte kurrë mua e shumë kolegeve të mia të humbasim interesin për artin e vërtetë e njerëzit që kanë dhënë shpirtin për të, pa fituar asgjë veç kënaqësisë.

Gazetarja Zefina Hasani duke intervistuar regjisoren Xhanfize Keko


Direkt u justifikova se në fakt s’kisha guxuar ta hapja menjëherë atë link nga frika se mos vjen ndonjë nga ato viruset që të sjellin belanë e vjedhjes së të dhënave të FB. Pastaj e pashë dokumentarin që më nxori mallin për teta Xhanfizenë, që siç ia shkrova dhe Mevlanit e kam njohur e takuar që në vitet e mia të para në gazetari, sepse më pëlqenin shumë filmat që ajo ka bërë e me të cilat jemi rritur dhe sepse kisha kuriozitet të paparë të takoja Benin, Moza llasticën, Tomkën dhe shokët e tij, Taulantin që kërkonte një motër e gjithë karakteret që ajo ndërtoi me aq mençuri e dashuri.

https://vimeo.com/251703080?ref=fb-share


E pashë dokumentarin pa e lejuar veten të më shkëpuste asnjë Whatsapp apo telefonatë, siç na është bërë zakon këto kohë (gjasme) të lexojmë libra a shohim filma. E pashë dhe u kënaqa me zërin e Xhanfizesë, me gjithë rrëfimin e saj prej zonje , që ka mençurinë ta zgjedhë me kujdes atë çfarë mund të bënte më mirë në jetën e saj, në fushën e kinematografisë- abosultisht filmat për fëmijë që askush s’ do t’i kishte bërë më mirë se ajo. Faleminderit Mevlan Shanaj që ma solle në inboks dokumentarin. E më fal njëmijë herë që se pashë me herë të parë. Duhet të më falësh, sepse në fund të fundit e humbura isha unë. Unë, ish-gazetarja e kulturës, që dikur kisha gjithë kohën për ju e që s’duhet të gaboj me indiferencën time ndaj jush. Unë,  vajza që i përkas brezit,  i cili beson ende se pa të shkuarën,  e reja nuk vjen dot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë