Kinema

Kur letërsia takon kinemanë – Romanet shqiptare që u bënë filma

Aktorja Rajmonda Bulku në filmin "Të paftuarit", bazuar në romanin "Prilli i thyer të Ismail Kadaresë

Suadela Balliu - Për shumë prej nesh, përshtatjet e filmave nga veprat letrare, përmblidhen me një fjali: “Filmi nuk ishte aq i mirë sa libri.” E megjithatë bashkëpunimi i kinemasë dhe letërsisë vazhdon të jetë i ngushtë, që me lindjen e kinemasë. Viti 2018,  i propozoi të pasionuarve pas kinemasë përshtatje të letërsisë, në filma si “A do të më falësh ndonjëherë”, bazuar në memoarin e autores Lee Israel, ku interpreton aktorja Melissa Mçarthy, “Bashkëshortja” e bazuar në romanin e Meg Wolitzer, ku protagonistja Glenn Close u nderua edhe me një Golden Globe, si aktorja më e mirë apo “Sikur Rruga Bale të mund të fliste”, mbështetur në veprën e autorit James Baldwin. Kinemaja botërore i është referuar vazhdimisht veprave të autorëve të mëdhenj si Shekspir, Tolstoi, Dostojevski, Dikens, Flober, Kafka, Heminguej, Stejnbek, Folknerit, Fitzxheraldit, Xhejn Austinit apo Artur Konan Dojlit me të famshmin Sherlok Holmes. Nuk është për t’u habitur që filmat më të suksesshëm të viteve të fundit i kanë rrëmuar subjektet nga faqet e librave – mjaft të përmendim serinë e filmave të Harry Potter apo Kryezoti i Unazave – e nga ku tjetër do të dilnin filmat e mirë?! Nëse për kinemanë botërore Shekspiri është autori, veprat e të cilit janë përshtatur më shumë në kinema, në kinematografinë shqiptare veprat e Ismail Kadaresë mbajnë padyshim rekordin e ekranizimeve.

E para vepër që do të përkthehej në një film artistik, të prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” e shkrimtarit, i cili është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës, ishte romani “Dasma”, të cilën në vitin 1969 regjisori Piro Milkani, do ta merrte si subjektin e filmin “Përse bie kjo daulle”. Për të dy burrat kjo ishte vepra e dytë. Për Kadarenë ishte libri i dytë, për Milkanin, filmi i dytë. Në librin e tij autobiografik, “E pabesueshme, por e vërtetë”, regjisori Piro Milkani përshkruan me hollësi sesi u ngjiz bashkëpunimi dhe kritikat që morën para dhe pas përfundimit të tij.

Romani “Dasma” do të vinte pas botimit të romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili kishte nisur të përkthehej në gjuhë të huaja. “Ndërsa unë kërkoja skenar për filmin tim të dytë. Ja, për shembull “Dasma” do të ishte një roman që mund të përshtatej për një skenar filmi, por, ah! Ksenofon Dilo, piktor në Kinostudio, veç të tjerash botonte në gazetën “Drita” shkrime interesante dhe kishte vendosur ta provonte transkriptimin e romanit “Dasma” në skenar filmi”, shkruan Milkani.  Pikërisht në atë kohë, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, diskutohej për romanin “Dasma”. Skenari i filmit u përshtat nga Ksenofon Dilo dhe vetë autori, ndërsa filmi rrëfen historinë e Katrinës dhe Xhavitit, dy të rinj vullnetarë, të cilët bien në dashuri gjatë ndërtimit të një hekurudhe dhe vendosin të martohen. Por babai i Katrinës, një malësor që e ka fejuar vajzën pa pëlqimin e saj, nuk mund ta pranojë këtë martesë. Ai shkon në ceremoninë e dasmës për të vrarë të bijën... Libri, i njohur edhe si “Dasmë e Çuditshme” apo “Lëkura e Daulles” u radiodramatizua nga BBC e Londrës, me titullin “Dasma dhe Fantazma”.

Nga filmi "Të Paftuarit"


Regjisori Piro Milkani, do të mbështetej sërish në veprat e Kadaresë, për një tjetër film. Sëbashku me regjisorin Kujtim Çashku, në vitin 1979, do të realizonin filmin “Ballë për Ballë”, mbështetur në romanin “Dimri i Madh”. Nëse Ernest Hemingueji do t’i urrente ekranizimet e librave të tij, kur i ndiqte në kinema si shikues i thjeshtë, Ismail Kadare e bënte vetë përshtatjen e skenarit për film, ashtu si edhe në rastin e këtij filmi, i cili sillet rreth protagonistit Besnik Bermema, përkthyes në konferencën e partive komuniste të mbajtur në Moskë në vitin 1961. Ai ishte dëshmitar i thyerjes më të madhe midis dy partive komuniste që i përkisnin respektivisht një kombi të madh dhe një kombi të vogël. Ngjarjet dramatike në konfliktin ushtarak ndodhin në një bazë detare në territorin shqiptar, në Pashaliman, të cilën sovjetikët nuk arritën ta përvetësonin.

Po atë vit, Kadare do të ishte i angazhuar me përshtatjen e një skenari tjetër të një prej romaneve të tij. Rikard Ljarjes i ishte besuar regjia e filmit “Radiostacioni” i mbështetur në  romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, ku ngjarjet janë të vendosura në nëntor të vitit 1944. Një skuadër partizane, ku bën pjesë edhe një partizane e re Teuta, merr urdhër të ringrejë Radio Tiranën. Partizanët mbledhin punonjësit e mëparshëm të Radio Tiranës, mes të cilëve ka njerëz të ndershëm që kanë mbështetur luftën, por edhe "borgjezë" të cilët partizanët i shpallin "armiq". Gjithsesi, në fund, Teuta e interpretuar nga Elvira Diamanti, bëhet folësja e parë për Tiranën e çliruar. Në vitin 1985, regjisori Kujtim Çashku do të realizonte filmin “Të Paftuarit”, bazuar në romanin “Prilli i Thyer” dhe sërish Kadareja do të kujdesej për përshtatjen e skenarit. Prilli i vitit 1939 është muaji i mjaltit dhe në të njëjtën kohë një muaj tragjik për shkrimtarin Besian Vorpsi dhe të shoqen Diana.

"Kthimi i Ushtrisë së Vdekur"

I tillë është ky muaj edhe për Gjorg Berishën,  i cili endet nëpër malësi duke shijuar ditët e tij të fundit të lirisë. Sipas Kanunit, ai ka një muaj liri para se të ngujohet në kullën e tij. Jeta e Gjorgut rrezikohet, sepse ai u hakmor për vdekjen e të vëllait. Ekranizimi i romanit të parë të Ismail Kadaresë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i botuar në vitin 1963, do të vinte vetëm në vitin 1989, kësaj here me regji të Dhimitër Anagnostit, i cili kishte tentuar të realizonte edhe filmin “Përse bie kjo daulle”, në vitin 1969. Aktorja Roza Anagnosti spikati me portretizimin që i bëri plakës Nicë, ndërsa filmi u vlerësua me çmimin e dytë për skenarin, në Konkursin Kombëtar Letraro-Artistik dhe skenari dhe regjia u nderuan me çmim  të parë në në Festivalin e IX të Filmit Artistik Shqiptar, 17 Nëntor 1991, ndërsa aktori Bujar Lako u nderua me Kupën e Festivalit si aktori më i mirë në rolin e Gjeneralit.

Në vitin 1991, është radha e regjisorit Llazi Serbo, i cili realizon filmin “Kush e Solli Doruntinën”, prodhim tashmë i “Albafilm Studio”, emërtimi i ri i Kinostudios, ndërsa kishte nisur të ndihej era e ndryshimeve dhe regjimi ishte në agoni të tij. Ishte vit kur u realizuan edhe zgjedhjet e para pluraliste. Bazuar në legjendën e Konstandinit dhe Doruntinës dhe në romanin e Ismail Kadaresë, me të njëjtin titull, i përshtatur edhe në teatër, Llazi Serbo do të merrej vetë me skenarin, pasi shkrimtari Ismail Kadare në atë vit ishte larguar drejt Parisit.

Edhe pas viteve 2000, regjisorët shqiptarë – megjithëse më rrallë – kërkonin skenarë nga romanet e shkrimtarit, i përfolur disa herë edhe si kandidat për Nobelin e Letërsisë. Në vitin 2008, regjisori Fatmir Koçi do të realizonte filmin “Koha e Kometës”, një prodhim privat, i bazuar në romanin “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, me ngjarjet të vendosura, në Shqipërinë e 1914, në kohën kur mbret i shqiptarëve u caktua princi gjerman Vilhelm Vidi.

"Krevati i Perandorit"

Një tjetër shkrimtar që ka parë ekranizimet e veprave të tij është edhe Dritëro Agolli, ndërsa poema e tij mbi hyrjen e partizanit Meçe ditën e parë të çlirimit, në pallatin ku më parë ka jetuar mbreti, u shndërrua në filmin “Krevati i Perandorit” , me regji të Endri Kekos. Vetë poeti ishte kujdesur sëbashku me regjisorin për përshtatjen e skenarit, ndërsa aktori Pandi Raidhi shkëlqen në rolin e partizanit Meçe. Një tjetër vepër e Agollit që pa ekranizimin ishte edhe “Njeriu me Top” realizuar me regji dhe skenar të Viktor Gjikës, në vitin 1977, ku personazhet e Mato Grudës dhe plakut Mere u përjetësuan në kinema dhe u bënë të njohur nga të gjithë shqiptarët, të cilët i përdorin edhe sot në shprehje frazeologjike emrat e personazheve.  

Një tjetër film i mbështetur tek letërsia është edhe “Beni ecën vetë”, i realizuar nga regjisorja shumë e dashur e filmave për fëmijë Xhanfise Keko, ndërsa skenari u shkrua nga autori Kiço Blushi, i cili më pas e botoi edhe si roman për fëmijë, shoqëruar me ilustrime nga filmi. Shkrimtari thuhej se ia kishte kushtuar skenarin të birit, Ben Blushit, i cili ka rrëfyer shumë vite më pas se ishte shtatë apo tetë vjeç kur i ati shkruante skenarin e filmit. Në Festivalin e I të Filmit Artistik Shqiptar, në prill  të 1976-ës, “Beni ecën vetë” u shpall filmi më i mirë, së bashku me filmin “Në fillim të verës” , mori çmim të veçantë në Festivalin e VIII Ndërkombëtar të filmave për fëmijë në Giffoni Vale Piana, në Salerno, Itali në vitin 1978 dhe çmim të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, Beograd 1976.

Përballimi

Në vitin 1976, filmi “Përballimi” me regji të Viktor Gjikës do të mbështetej në romanin e Teodor Laços, me të njëjtin titull. Ishte vetë Laço që shkroi dhe përshtati skenarin. Pas përfundimit të luftës njerëzit e rinj që kanë marrë pushtetin fillojnë të përballohen me urinë. Sekretari i partisë së qytetit Martin Kreka niset nëpër fshatra dhe udhëheq fushatën për grumbullimin e drithit që shitet në tregun e zi. Ai ndihmohet nga drejtori i grumbullimit i cili ka bluar për bukë edhe drithin e farës. Romani i Skënder Drinit u ekranizua në po të njëjtin vit që u botua. Më 1977, regjisori Piro Milkani do të realizonte filmin “Shembja e Idhujve”, ndërsa vetë autori shkroi skenarin, që sillej rreth një mësuesi fshati që ka përballë një kryeplak fanatik, priftin Engjëll dhe një kapter policie që i shkaktojnë shumë vështirësi në punën e tij për edukimin e fëmijëve. Më 1978-ën, ishte radha e novelës “Nusja e Humbëtirës” së Ruzhdi Pulahës të përshtatej për ekran. Regjisori Mark Topallaj do të realizonte filmin "Dollia e Dasmës Sime", e cila sillet rreth Belës dhe Ganiut, ndërsa ngjarjet në sfond janë të vendosura gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Komedia e Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës” do të ekranizohej nga Ismail Zhabjaku më 1980-ën, ndërsa aktori Mirush Kabashi do të vlerësohej me medaljonin e Festivalit të IV të Filmit Artistik Shqiptar për rolin e Nikollaqit. I shkruar nga Andon Zako Çajupi, në fillim të viteve 1900, “Klubi i Selanikut” do të vinte në kinema me titullin “Pas Vdekjes”, realizuar nga Kujtim Çashku, në vitin 1980. Në vitin 1908, disa pseudopatriotë shqiptarë formojnë një klub me pretendimin se punojnë për të mirën e Shqipërisë. Secili nga ta ka një ëndërr: Të jetë i famshëm dhe i pavdekshëm.

"Përrallë nga e Kaluara"

Një tjetër vepër e Çajupit, “14 Vjeç Dhëndër” do të interpretohej në gjuhë kinematografike nga regjisori Dhimitër Anagnosti në filmin “Përrallë nga e Kaluara”, në vitin 1987. Sot mbetet një nga filmat më të dashur të të gjithë kohërave, me batuta të paharrueshme të secilit prej personazheve të filmit. Filmi u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin dhe me një çmim të dytë, në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dytë dhe të tretë. Filmi mori edhe një çmim të dytë, në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990. Sfondi mesjetar i tregimit “David Selenikasi” me autor Sotir Andonin, do të vinte në ekran nga regjisori Spartak Pecani, më 1983-shin, me titullin “Kohë e Largët”. Filmi flet për aspektet dramatike të mesjetës të personifikuara në fatin e piktorit Andrea Selenica. Ai ka një fund tragjik, i cili bie pre e pabesive të klerikëve, të cilët “në emër të zotit” nuk hezitojnë të përdorin edhe helmin vetëm sepse Andrea guxoi të ngrihej kundër ligjeve të Kishës. Tregimi i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, “Marathonomaku Ynë”, ku trajtohen ngjarje që lidhen me 8 nëntorin e vitit 1941, ditën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, do të vinte si kino-novelë në vitin 1985, me titullin  “Vjeshtë e Nxehtë e ‘41”, me regji të Albert Xholit dhe Eduart Makrisë, ndërsa skenari u përshtat nga Viktor Gjika.

Filmi "Kohë e Largët"

Ndërsa që prej themelimit të Kinostudios “Shqipëria e Re”,  në vitin 1952 e derisa ajo u shndërrua në “AlbaFilm”, filmat realizoheshin në një punë kolektive, shpesh edhe me dy regjisorë e ku skenaristët ishin shpesh shkrimtarë të mirëfilltë, pas viteve ’90, ekranizimi i veprave letrare nisi të rrallohej e të zbehej, duke ua lënë vendin filmave autor, ose skenarëve të frymëzuar shpesh nga ngjarjet e tranzicionit. Megjithatë kishte ende disa që vazhdonin të kërkonin materiale tek veprat letrare. I tillë është edhe filmi “Dasma e Sakos”, me regji të Vladimir Priftit, realizuar më 1998-ën, bazuar në një novelë të Vath Koreshit, me të njëjtin titull, shkruar në vitet ’80, ku ngjarjet vijnë përmes mjegullash mesjetare në një qytet fantazmagorik. Nën çatitë e gurta dhe muret kështjellarë ndodhin drama të mëdha... Megjithatë puna e Koreshit në kinema, daton edhe më herët, pasi është skenarist dhe bashkëskenarist i një numri të konsiderueshëm filmash, realizuar nga Kinostudioja.

Parullat

Edhe regjisori Gjergj Xhuvani për një nga filmat e tij, mbështetet në bashkëpunimin e një shkrimtari. Skenari i filmit “Parullat”, i vlerësuar me disa çmime në Europë mban firmën e shkrimtarit  Ylljet Aliçka. Filmi u realizua më 2001-shin, ndërsa Aliçka do ta botonte librin, më 2006-ën. Ngjarjet zhvillohen në vitet e diktuarës komuniste, në një shkollë fshati. Të gjithë ishin të detyruar t'u bindeshin urdhrave që vinin nga lart. Nxënësit dhe mësuesit ishin të detyruar të shkruanin me gurë parulla nëpër kodra duke i thurur lavde regjimit në fuqi. Filmi mori pjesë në Festivalin e Venecias, të Bratislavës, Kanës, të Cotbus e deri Tokio, ku u vlerësua me dica çmime. Një tjetër regjisor, Pluton Vasi, sapo ka përfunduar xhirimet e filmit  artistik “Ndërkombëtarët”, i cili bazohet në novelën e Aliçkaj, titulluar “Rrëfenja e një ndërkombëtari”, subjekti i së cilës trajton gjendjen e shoqërisë shqiptare në tranzicioni. Regjisori është shprehur  në këtë film ai flet për marrëdhëniet e vështira të shqiptarëve mes tyre.

Ashtu si i ati, dikur, edhe Eno Milkani zgjodhi të mbështetet në një vepër letrare, për filmin e tij të 2008-ës. Subjekti i filmit “Shenjtorja” bazohet në një tregim të shkurtër të shkrimtarit Teodor Keko e që trajton historinë e një dashurie të pamundur në vitet ’80-’90. Regjisori Spartak Pecani prej pak muajsh ka nisur punën për realizimin e filmit “Bolero në Vilën e Pleqve”, me subjekt të mbështetur në romanin e shkrimtarit Fatos Kongoli, me po të njëjtin titull. Ky film rikthen në ekran aktorin e mirënjohur Robert Ndrenika, ndërsa skenari është përshtatur nga vetë Pecani, në bashkëpunim me Lindita Fejzaj.

Regjisori Besnik Bisha ka realizuar filmin “Vera pa Kthim” që sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në listën e filmave artistik me metrazh të gjatë, mbështetur nga ky institucion e rendit këtë të fundit, në fazë pas prodhimi. Subjekti i tij është i bazuar në romanin me të njëjtin titull, të shkrimtarit Besnik Mustafaj, ndërsa vetë regjisori Bisha është kujdesur për përshtatjen e skenarit. Për regjisorin, në romanin “Vera pa Kthim”, dashuria përvijohet si sakrificë sublime, që e bën njëheri roman të dashurisë dhe vetmisë së madhe.

Një tjetër prodhim i fundit është edhe filmi “Portreti i Pambaruar i Klara Belinit” me regji të Namik Ajazit, ku interpreton aktori i njohur italian Remo Girone. Subjekti është i bazuar jo në libër, por në një ngjarje të vërtetë të një historie dashurie të një djali shqiptar dhe një vajze italiane, lënë në mes për shkak të regjimit komunist në Shqipëri, por që regjisori ka zgjedhur shkrimtarin Ruzhdi Pulaha për të shkruar skenarin.

Filmi "Bota"

Një tjetër film shqiptar i bazuar në ngjarjet e një vepre letrare është edhe “Bota” i Iris Elezit, aktualisht drejtore e Arkivit Qendor të Filmit Shqiptar, edhe pse ajo nuk ia ka njohur kreditet novelës “Klubi Karavasta” si frymëzim i skenarit të filmit, ku ajo është regjisore dhe skenariste. Kjo ka çuar që sot regjisorja të jenë në një konflikt gjyqësor me autorin e librit, Maks Velo.

Nëse më parë kishte një seleksionim rigoroz të subjekteve dhe skenarëve, gjatë gjyqit të Maks Velos kundër Iris Elezit mbi subjektin e filmit “Bota”, një punonjëse e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë do të thoshte se tanimë, ky institucion nuk ka ekspertë që shqyrtojnë skenarin, për të shmangur edhe rastet e përplasjes me të drejtën e autorit apo akuzat e plagjiaturës, pasi filmi është shfaqur në kinema.

Ekranizimet më të mira botërore

Megjithëse një film nuk i kënaq pothuajse kurrë pritshmëritë e imagjinatës së lexuesve, që e gjejnë veten regjisorë ndërsa zhyten në botët e fantazuara të shkrimtarëve, ka nga  ata filma – edhe pse fare pak – që kanë arritur të jenë në mos në të njëjtën lartësi, të paktën fare  pranë – që janë vlerësuar si më të mirë e ekranizuar nga kryevepra të letërsisë, klasike dhe moderne. Një prej tyre është “Pritshmëri të mëdha”. Libri i  Çarls Dikensit  u botua më 1861-shin, ndërsa përshtatja në film erdhi në vitin 1946, me regji të David Lean. Asnjë version filmik i Dikensit nuk ka kapur një realizim aq superlativ sa ai i Lean-it me “Pritshmëri të mëdha”. Një tjetër film i vlerësuar është “Lartësi të Stuhishme” e shkrimtares Emili Brontë, i shkruar  më 1847-ën dhe i përshtatur nga  regjisori William Wyler, në vitin 1939. Të vrasësh zogun përqeshës”, e shkrimtares Harper Li, botuar në vitin 1960 –vitet e fundit është përkthyer edhe në gjuhën shqipe - u përshtat për ekran dy vjet më vonë, nga regjisori Robert Mulligan. Filmi i bazuar në romanin  e autores fituese të çmimit Pulitzer  rreth Alabamës raciste, fitoi me meritë tre çmime Oscar.

"Pritshmëri të Mëdha"

Rusia është atdheu i disa prej shkritmarëve më të mëdhenj, veprat e të cilëve vazhdojnë të frymëzojnë kineastët në të  gjithë botën sot e kësaj dite. Mjaft të përmendim dhjetëra ekranizimet e “Ana Karenina” apo “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit apo ndikimet e veprave të Dostojevskit në shumë filma, që edhe pse nuk e kanë bazuar tërësisht skenarin në to, i kanë të dallueshëm elementët e huazuar prej tij. Por një nga filmat e denjë për madhështinë e veprës është “Doktor Zhivago”. Regjisori David Lean do ta kthente romanin që e bëri Pasternakun të fitonte Nobelin e Letërsisë, në një kryevepër të kinemasë. Megjithëse nuk u shpall dot filmi më i mirë në çmimet Oscar, ky realizim nderon kompleksitetin  emocional dhe politik të romanit të  Boris Pasternak.

Regjisori i madh, Luchino Visconti do t’i referohej shpesh kryeveprave botërore të letërsisë në krijimtarinë e tij, por filmi “Leopardi”, i bazuar në veprën e e italianit Xhuzepe Tomasi di Lampeduza, është renditur si një nga njëzetepesë ekranizimet më të mira të letërsisë. Trilleri psikologjik i Tomas Harrisit, titulluar “Heshtja e qengjave” do të shndërrohej në një gur miljeje të zhanrit  në kinema, nga regjisori Jonathan Demme. Personazhi inteligjent por shumë i brishtë i Clarice Starlingut,  interpretuar nga Jodie Foster është kontrapunkti i përsosur për vrasësin e frikshëm Hanibal Lecter, interpretuar nga Anthony Hopkins. Një tjetër film i vlerësuar si një nga më të mirët, me subjekt të marrë nga një libër është “Lidhje të Rrezikshme” e autorit Pierre Choderlos de Laclos, ekranizuar  më 1988-ën, me regji të Stephen Frears.

Leopardi

Regjisori e ka mbërthyer në mënyrë të përsosur shpirtin e shekullit të 18-të të romanit, me seks dhe manipulim. Agonia e regjimit të vjetër paraqitet  nga perofmrancat seksi nga Glenn Close  dhe John Malkovich,  duke e bërë filmin 118 minuta kënaqësie të pamoralshme. Një  tjetër përshtatje e librit u bë në vitin 2003, në serialin ku interpreton edhe violinisti shqiptar, Tedi Papavrami. Një tjetër ekranizim i arrirë është ai që regjisori Alfred Hitchcock, një nga njerëzit me më shumë ndikim në kinemanë amerikane, i bëri nëvitin 1935 romanit “Tridhjetenëntë Hapat” shkruar nga Xhon Bukan. Kryevepra e Herman Melvilit, “Mobi Dik”, shkruar më 1851-shin, u përshtat për ekran mëamë 1956-ën, nga John Huston.

Një tjetër film i suksesshëm është “Drakula”, e regjisorit Tod Browining, e vitit 1931, me protagonist aktorin Bela Lugosi, të cilit ky film i dha famë botërore. “Drakula”  e autorit Bram Stoker, është një nga librat që ka parë ekranizime të panumërta e që së bashku me “Frankenshtajn” të  shkruar nga shkrimtarja Meri Shelli, renditen si dy nga dhjetë librat më të ekranizuar. Romanet e Eri Maria Remarkut kanë parë në disa raste ekranizime në kinema, por “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, realizuar më 1930-n nga regjisori Lewis Milestone, mbahet si përshtatja më e mirë.

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit

Milestone ishte pionier i përdorimit të kranit që kapte fragmentet e tmerreve të luftës, duke pasqyruar qëllimin epik, por edhe grafik të romanit të Remarkut mbi luftën me pasoja shkatërrimtare. “Perandoria e Diellit”, e shkruar nga J.G. Ballard, më 1984-ën, do të vinte në kinema nga regjisori Steven Spielberg më 1987-ën. Edhe autori Stephen King, ka parë me dhjetëra ekranizime të librave të tij, por më i arriri cilësohet “Rrezatimi, me regji të Stanley Kubrick dhe me një aktrim të jashtëzakonshëm të  Jack Nicholson, i cili e fut audiencën në ankth. Korridoret e hoteleve kurrë nuk kanë qenë aq të frikshëm.

Filmi "Doktor Zhivago"

Jeta e të rinjve që sillen rrugëve të Edinburgut dhe eskeprimentojnë me drogat, do të dilte nga faqet e romanit të Irvine Welsh, drejt filmit “Trainspotting”, me regji të Danny Boyle, vetëm tre vjet pas botimit. Ky film ringjalli kinemanë britanike dhe i dha tjetër frymëmarrje letërsisë artistike të shkrimtarit skocez. “Zemra e Errësirës” së Xhozef Kondradit, shkruar më 1902-shin, do të ekranizohej nga Francis Ford Coppola, më 1979-ën, në filmin “Apokalispi tani”. Coppola ka korrur gjithashtu sukses edhe me ekranizimin e  “Kumbarit”, të shkruar nga Marip Puzo. “Nuk është vend për pleq” i Cormac Mçarthy,  doli për lexuesin më 2005-n, por dy vjet më pas, vëllezërit regjisorë Joel dhe Ethan Coen e sollën në  kinema me një kastë tëjashtëzakonshme aktoresh si Javier Bardem, Tommy Lee Jonesdhe  Josh Brolin.

Lista e Shindlerit

Regjisori James Ivory do të sillte në kinema një nga veprat e Nobelit të Letërsisë, Kazuo Ishiguro, më 1993-shin, titulluar “Mbetjet e Ditës”, film që i kënaq prishtmëritë e librit. Edhe “Trashëgimtarja” e autorit Henri Xhejms, gjithashtu është sjellë mjaft bukur në kinema nga William Wyler, më 1949-ën. Një tjetër film, po aq i dashur sa edhe libri është “Lista e Shindlerit”, shkruar nga Thomas Kenneally më 1982-shin, të cilin Steven Spielberg e përshtati për kinema, më 1993-shin, duke e  bërë në nga filmat më të mirë të Holokaustit, me shtatë çmime Oscar. Mes ekranizimeve më të mira renditen edhe saga e Harry Potter, shkruar nga shkrimtarja J.K.Rowiling, sagë që ka ardhur në ekran me regji të  disa regjisorëve si 

Chris Columbus, Alfonso Cuaron, Mike Neëell dhe David Yates.  Edhe seria e “Kryezotit të Unazave”, nga J.R.R Tolkien, përshtatur në kinema nga Peter Jackson është një nga filmat e përshtatur më mirë. Megjithëse filmi i detyrohet shumë përdorimit të efekteve soeciale për të sjellë botën magjike të shtatë mbretërive, është aftësia e Jacksonit si rrëfimtar pamor,  që u jep filmave fuqinë e vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë