Futboll

Kur futbolli të kërcënon me vdekje!

Futbolli është ai sporti i magjishëm, që ngre peshë gjithë botën, që bashkon miliona njerëz pa dallim race dhe besimi, të madh e të vogël, burra dhe gra, pleq dhe fëmijë, që sjell emocione pa fund, lot gëzimi dhe trishtimi, por në ndonjë rast të dënon apo kërcënon me vdekje, siç është bërë modë tashmë në Botërorin e Rusisë. Janë tre rastet e kërcënimit me vdekje për lojtarë të kombëtareve të ndryshme, i fundit për dy lojtarët e Kolumbisë që humbën penalltitë ndaj Anglisë, Mateus Uribe dhe Karlos Baka.

Në këtë aspekt të shëmtuar të futbollit, Kolumbia është shembulli më i keq. Të gjithë e kujtojnë dramën e 2 korrikut të vitit 1994, kur mbrojtësi Andres Eskobar u ekzektua nga kartelet e drogës në Medelin, një ditë pas kthimit të kombëtares së tij nga Amerika, ku u organizua Kupa e Botës. Lojtari kolumbian shkaktoi një një autogol pikërisht në ndeshjen me Amerikën, ku Kolumbia humbi 2-1. Hakmarrje ndoshta për dollarët e humbur në baste, por edhe për faktin se Kolumbia u mund një vend armik si Amerika.

Karlos Baka, pasi humbi penalltinë ndaj Anglisë

Pas eliminimit me penallti me Anglinë ditën e martë, vëllai i Andres Eskobarit lëshoi alarmin se dy lojtarët që humbën penalltitë, Baka dhe Uribe, do të kërcënoheshin me vdekje. Dhe në fakt kështu ka ndodhur: të dy lojtarët në fjalë kanë marrë kërcënime me vdekje në rrjetet sociale. Edhe Karlos Sançez, i ndëshkuar me karton të kuq për penalltinë e shkaktuar në fillim të ndeshje me Japoninë, është kërcënuar. Policia ka nisur hetimet ndërkohë për këto kërcënime.

Por çudia është se kërcënime kanë marrë edhe dy lojtarë të tjerë, që u përkasin kombëtareve të vendeve shumë më të zhvilluara se Kolumbia në këtë drejtim, vende me një standard shumë të lartë social si Suedia dhe Danimarka. Xhimi Durmaz, i aktivizuar si zëvendësues në ndeshjen me Gjermaninë, shkaktoi faullin ndaj Vernerit në sekndat e fundit, që solli golin e Toni Krosit dhe humbjen e Suedisë. Pas ndeshjes në fjalë, Durmaz është kërcënuar me jetë. Kombatarja e Suedisë ka dënuar aktin dhe ka dalë menjëherë në mbrojtje të lojtarit të saj e bashkuar. Ka pasur fyerje edhe me karakter racist, duke qenë se Durmaz është me origjinë siriane. Edhe për këtë rast policia ka hapur një çështje.

Kombëtarja e Suedisë, e bashkuar në mbështetje të Durmaz, pasi ai u kërcënua me vdekje

Rasti tjetër i kërcënimit me jetë është ai për sulmuesin e Danimarkës, Nikolai Jorgensen, i cili humbi penalltinë vendimtare ndaj Kroacisë, duke i kushtuar skuadrës së tij eliminimin. Diçka e tillë mund t’i ndodhë çdo futbollisti, por që tashmë, duke përfituar edhe nga rrjetet sociale, protagonistët negativë në fushë bëhen edhe objekt kërcënimi nga tifozët apo segmente të tjera. Përveç huliganizmit, futbollit i shtohet tani një tjetër fenomen negativ: kërcënimet me vdekje. Po, futbolli tani mund të të sjellë edhe probleme serioze…

Nikolai Jorgensen, pasi humbi penalltinë vendimtare për Danimarkën ndaj Kroacisë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë