Politike

Kur flet ambasadorja Kim…

Plot një javë më parë, anëtarët e opozitës në Këshillin Politik do të harxhonin energji boshe për të bërë objekt diskutimi, jo një draft konkret, por një letër dërguar OSBE-ODIHR për të cilën PS-ja nuk kishte rënë asfare dakord.

“PS sërish refuzoi që t’i drejtohemi OSBE/ODHIR, edhe pse ishim të gatshëm të vazhdonim derisa të gjendej një konsensus mbi çfarë do t’i çojmë ODHIR-it”, tha Oerd Bylykbashi.

Pas 24 orësh nga kjo deklaratë, kur palët nuk i bashkonte askund qasja për konsensus, reagon ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me një deklaratë të zhveshur nga çdo dykuptimësi.

“I kujtojmë Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqësve të tjerë për zotimet që kanë bërë përsa i përket 5 qershorit dhe çdo ndryshimi tjetër përtej kësaj marrëveshjeje. Angazhimi, propozimet dhe kundërpropozimet duhet të bëhen me mirëbesim...”, tha ambasadorja Kim.

Një mesazh sa për Ramën ashtu edhe për Bashën, ku secili të bënte lëshimet e veta; Rama nuk mund të thoshte thjesht “jo” dhe Basha duhet të vinte me draft konkret

Dhe ja ku erdhi. Në mbrëmjevonën e 27 shtatorit, vetëm disa orë nga fillimi i mbledhjes së komisionit të Ligjeve për ndryshimet në Kod, PD-ja depoziton tinëz në Këshill draftin e saj, as me shumë e as më pak se  propozimet që ajo kish trumbetuar këtu e dy muaj më parë; që listat të hapeshin 100% dhe koalicionet parazgjedhore të mos prekeshin.

PS, në anën tjetër, mblodhi komisionin e Ligjeve me deputetet e opozitës parlamentare për të nisur rrugën pa kthim. Të paktën kështu lanë të kuptohej fillimisht.  Si Ulsi Manja ashtu edhe Damian Gjiknuri u hallavitën nëpër fjalë, duke i dhënë përgjigje indirekte propozimeve të PD-së, se listat parazgjedhore nuk do të pranoheshin, se hapjen e listave 100% e ka bërë edhe PS-ja dhe se draftin, PD-ja duhet ta sillte në komision dhe jo këshill. Madje madje, të gjithë palët në komision u angazhuan se të martën do të nisnin nen për nen diskutimin e një drafti të integruar mes PS-së dhe opozitës parlamentare, duke bërë fakt të kryer kalimin e një nisme pa atë, opozitën jashtëparlamentare.

Dhe ja ku futet në lojë sërish Kim.

“Jam e kënaqur që opozita jashtë Kuvendit ka marrë përgjegjësinë e saj për të qenë e angazhuar dhe dhënë kontributin e saj. Disa ditë më parë theksova se është me rëndësi për opozitën që të jetë e angazhuar dhe të gjitha palët të shtyjnë përpara propozime dhe kundërpropozimet reale”, tha Ambasadorja Kim nga Himara.

Jo pa qëllim, ambasadorja amerikane kujtoi se kishte marrë sinjale nga Partia Socialiste se do ta shqyrtonte draftin e PD-LSI, duke çuar një mesazh të drejtpërdrejtë për PS-në, e cila, e mbufatur vetëm disa orë nga entuziazmi i kot, u detyrua të dorëhiqej, (pas deklaratës së Kim), duke shtyrë diskutimin e draftit.

Në faqen zyrtare të Kuvendit lajmërohet të martën  për një mbledhje të komisionit te Ligjeve, por vetëm për ratifikimin e një memorandumi bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kaq. Asgjë më shumë.

PS e ka shtyrë diskutimin (për pasojë edhe miratimin me 1 tetor) duke paralajmëruar në vend të saj mbledhje të tejzgjatura të Këshillit Politik.

Sepse edhe për gjetjen e një gjuhe të përbashkët në Këshill (ende e largët) do të duhet me gjasë të flasë sërish ambasadorja amerikane Kim...  Vetëm atëherë drejtuesit politik kapen në grackën e vetë logjikës së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë