Politike

Kim: Po s’patët nder, shkeleni 5 Qershorin

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim përshëndeti Opozitën e Bashkuar për propozimin e draftit për hapjen e listave dhe koalicionet. Kryediplomatja amerikane kujtoi se pikërisht angazhimi dhe marrja e përgjegjësive kishte qenë edhe kërkesa e saj për opozitën pak ditë më parë.

“Jam e kënaqur që opozita jashtë Kuvendit ka marrë përgjegjësinë e saj për të qenë e angazhuar dhe dhënë kontributin e saj. Disa ditë më parë theksova se është me rëndësi për opozitën që të jetë e angazhuar dhe të gjitha palët të shtyjnë përpara propozime dhe kundërpropozimet reale”, u shpreh Ambasadorja Kim.

Kim tha se kishte marrë sinjale nga Partia Socialiste se do ta shqyrtojë këtë draft të PD-LSI dhe do të mundohet që të bjerë dakord deri sa të jetë e mundur me propozimin e opozitës.

Duke u ndalur tek 5 qershori, Ambasadorja amerikane theksoi se më shumë se sa detyrim ligjor, respektimi i asaj marrëveshjeje është çështje nderi për vetë palët që e nënshkruan.

“5 qershori është një shfaqje gjithpërfshirjeje dhe transparence dhe çdo palë që ka nënshkruar atë letër, duhet t’i qëndrojë asaj letre, sepse është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet në atë letër. Ata që e nënshkruan atë letër janë personat përgjegjës për zbatimin e saj. Por, nëse palët bien dakord për masa të tjera përtej 5 qershorit ne do t’i mbështesim ato”, u shpreh ajo.

Deklaratat e Ambasadores amerikane u bënë nga Himari, ku ndodhej në një takim me kryebashkiakun e këtij qyteti, Jorgo Goro, ndërsa në vizitë parashikohej edhe një ndalesë tek Zyra e Kadastrës. Kim sqaroi se i shërbente objektivit të vënë prej saj për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë