Sport

Kur djaloshi u bë peshkaqen: Majkëll Felps, 19 vjet nga rekordi i parë botëror

Në sytë e tij dukej vullneti për të arritur majat, ndërsa në fizikun e tij manifestohej siguria se mund t’ia dilte. Që në moshën 15-vjeçare, Majkëll Felps, e tregonte qartë se mund të bëhej notari më i fortë i të gjitha kohërave. E tregoi së pari në Teksas, në Austin, në kampionatin amerikan, 19 vjet më parë, saktësisht më 30 mars 2001.

Majkëll Felps pozon me medaljet e fituara. Gazeta Si, 5 prill 2020

Kthehemi një hap pas. Në Sidnei të Australisë zhvilloheshin Lojërat Olimpike 2000. Të zotët e shtëpisë arrin suksesin me Grant Haket dhe Ian Thorp. Ishte edhe Felps në atë edicion të Lojërave Olimpike. Ai ishte notari më i ri në moshë amerikan që shkonte në Olimpiadë që prej vitit 1932. E siguroi pjesëmarrjen falë vendit të dytë që zuri në 200 metra flutur në Indianapolis, ku fitoi kampioni i botës, Tom Malkou. Ishte 15 vjeç e disa muaj, vetëm një djalosh shkolle. Por i kishte shpatullat e gjera dhe nuk dukej keq në mes të gjigantëve të notit. U kualifikua për në finale, ku u rendit i pesti, vetëm tre të dhjetat larg medaljes së bronzit. Fitoi Malkou me rekord olimpik, por ishte e qartë se e ardhmja quhej Majkëll Felps.

Majkëll Felps në "Pekin 2008", ku fitoi 8 medalje ari. Gazeta Si, 5 prill 2020

Të gjithë ekspertët e notit filluan të flisnin për atë djalosh 15-vjeçar që synonte të thyente një rekord botëror. Nuk ishte e lehtë, duke parë konkurrencën e madhe. Në “Sidnei 2000” filloi të lindte një gjenerate e re notarësh, e përbërë nga Haket, Thorp, por edhe sportistë kalibri si Aron Peirsol dhe Pieter van den Hogenband.

Pas një fëmijërie të vështirë, për shkak të divorcit të prindërve, me jo pak deficite, djali nga Baltimora kur futej në ujë bënte diferencën. Dy ishin udhëheqësit në jetën e tij: nëna Debi dhe trajneri i tij Bob Bauman, i cili e bindi të braktiste çdo lloj sporti tjetër për t’iu dedikuar vetëm notit. Një zgjedhje e goditur, por edhe e natyrshme, sepse fenomene si Felps lindin pak. Talenti i tij, i shoqëruar me një fizik perfekt për notin: 193 cm dhe 88 kg, duar dhe këmbë për NBA, me një hapje krahësh thuajse dy metra. Numra që në atë moshë nuk janë normalë, por pak rëndësi kishte për të. Më 30 mars të 19 viteve më parë, ylli i Felps filloi të ishte më i shndritshmi në llojin e vet.

Felsp gjatë një gare. Gazeta Si, 5 prill 2020

Në Austin kundërshtar ishte Malkou, gara 200 flutur: një djalosh 15 vjeç e 9 muaj kundër kampionit olimpik, një sfidë e mundur për t’u realizuar vetëm në ëndrrat e një adoleshenti. Por ai adoleshent ishte Felps, i cili ëndrrat i bëri realitet. Malkou imponoi ritmin e tij për 175 metra, pastaj ajo finale impresionuese e djaloshit që u bë burrë: 1'54”92, rekord botëror. Askush më parë, as Thorp, frymëzimi i Felps, nuk kishte arritur një rekord botëror në moshë kaq të re: sapo kishte lindur një legjendë. Një raketë në ujë, një makineri e aftë të perfeksionohej në 16 vite karrierë. Kulmi ishte pa dyshim “Pekin 2008”, ku Felps fitoi 8 medalje ari, theu rekordin e Mark Spic dhe vendosi 7 rekorde botërore.

Majkëll Felps impresionoi me urinë për fitore edhe pas rikthimit të tij të parë, pas “Londër 2012”. Ai hoqi 15 kg nga pesha e tij dhe pas thuajse dy vitesh pa aktivitet, në 2014-ën u hodh sërish në pishinë. U kualifikua për në “Rio de Zhaneiro 2016”, ku ishte edhe flamurmbajtësi i Amerikës. Felps u dha lamtumirën përgjithmonë garave me 5 fitore. Në total ka fituar 28 medalje olimpike, 23 nga të cilat të arta. Ka thyer 39 herë një rekord botëror (një prej tyre, ai i 400 metrave miks reziston ende prej 12 vitesh). Prej shumë kohësh dikush po stërvitet për të bërë më mirë, por “Peshkaqeni” duket i paarritshëm.

https://youtu.be/f43ojMojzsM
Momente nga garat e Felps në Pekin 2008. Gazeta Si, 5 prill 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë