Futboll

Kupa e Botës, ja sa para xhiroi

Kupa e Botës “Rusi 2018” u finalizua ditën e dielë me 15 korrik në përballjen e madhe të “Luzhniki Stadium” mes Francës dhe Kroacisë. “Ishte Kupa e Botës më e bukur e të gjitha kohërave”, kjo ishte ajo që presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino pati deklaruar më 14 korrik në konferencën para gazetarëve. Për të mbështetur këtë mendim të tij, Infantino tha se kjo është një Kupë Bote që ka pasur sukses në shumë plane.

Presidenti i FIFA Xhani Infantino

Përtej aspekteve sportive që do të vijojnë të diskutohen, siç gjithmonë ndodh për një kompeticion të përmasave të tilla, ka edhe çështje të tjera gjithashtu të rëndësishme. Për këtë kampionat botëror një temat më të rëndësishme që ka zënë vend në mediet ndërkombëtare është edhe aspekti financiar, në lidhje me shpenzimet dhe përfitimet nga ky event.

Dy aktorët që kanë shpenzuar dhe fituar më shumë nga ana monetare nga kjo Kupë Bote, sigurisht që janë Rusia, si vend organizator dhe FIFA.

Sipas medieve ruse shifra totale që ky vend ka shpenzuar për këtë Kupë Bote i ka kaluar 12 miliard dollarë. Por sipas një raportimi të revistës prestigjioze amerikane, “Forbes” kosto totale e investimit të qeverisë ruse i ka kaluar 12.6 miliardë dollarët. Për Rusinë, përveç këtyre shpenzimeve që janë të deklaruar është e vështirë që të gjenden të dhëna lidhur me përfitimet nga Kupa e Botës. Ajo që mund të flitet për Rusinë ka të bëjë me potencialin ekonomik që ky vend mund të përfitojë nga eventi që priti në shtëpi nga data 15 qershor deri më 15 korrik. Në këtë pikë pritshmëritë në planin afatgjatë të Rusisë janë deri në 21 miliardë dollarë brenda.

Edhe FIFA nuk i ka bërë publike të dhënat e saj financiare lidhur me atë që nga Infantino u quajt “Kupa e Botës më e mirë në histori”.

Pas botërorit të Brazilit në vitin 2014, ku fitimet e FIFA ishin më shumë se 2.6 miliardë dollarë, doli në pah se Kupa e Botës nuk është vetëm një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, por është gjithashtu një çështje shumë e madhe biznesi. Kryesisht në sajë të shitjes së të drejtave të transmetimit dhe marketingut, FIFA gjeneron miliarda të ardhura çdo katër vjet dhe gëzon një sufiçit të konsiderueshëm.

Për shembull, në Kupën Botërore në Brazil, të ardhurat e FIFA-s arritën në 4.83 miliardë dollarë krahasuar me vetëm 2.22 miliardë dollarë në shpenzime. Të drejtat televizive ishin në 2.43 miliardë dollar dhe të drejtat e marketingut 1.58 miliardë dollar. Këtu dy sektor ishin më frytdhënësit për FIFA-n, por edhe sektorët e tjerë kanë kontribuuar në rritjen e arkës. Sakaq për shpenzimet, FIFA kishte harxhuar 453 milionë dollarë për prodhimin e sinjalit televiziv, 370 milion për prodhimin e biletave, 358 milion ishin shpenzimet e FIFA-s për çmimet dhe medaljet e prodhuara për turneun e vitit 2014.

Interesante është fakti që FIFA ka dhënë vetëm 100 milionë dollarë për Fondin e Humanitar të Kupës Botërore, që synon të mbështesë ndikimin afatgjatë të turneut, duke financuar projekte infrastrukturore dhe iniciativa të tjera në vendin pritës. Duke e parë fitimin 2.6 miliardë dollarësh të FIFA-s, duket sikur trupi i drejtimit global të futbollit mund të bëjë edhe më shumë për të lënë një trashëgimi kuptimplotë në vendet që kanë më shumë nevojë për të rritur kulturën e sportit dhe të futbollit më veçanërisht.

Një tjetër çështje shumë interesante për këtë Kupë Bote ishte dhe çmimi i biletave.  Bileta më e lirë për të parë një ndeshje të Kupës së Botës, “Rusi 2018” ishte 20 dollarë, (kjo për ndeshjet në fazën e grupeve). Për ndeshjet në këtë fazë çmimi më lartë shkoi në 210 dollarë, duke përjashtuar këtu ndeshjen hapëse, në të cilën çmimi shkoi deri në 550 dollarë.

Më kalimin e fazave të këtij kampionati botëror, çmimi i biletave gjithashtu erdhi gjithmonë e në rritje. Në fazën e gjysmë-finale çmimi më i lirë  i një bilete ishte 70 dollarë dhe bileta më e shtrenjtë shkonte deri në 750 dollarë. Sakaq për finalen e madhe të “Luzhniki Stadium” çmimi më i lirë për një biletë ishte 110 dollarë ndërsa bileta më shtrenjtë kushtonte 1100 dollarë.

Çmimet që në pamje të parë janë goxha të konsiderueshme, në fakt nga mediat ndërkombëtare janë quajtur si të arsyeshme, nëse do i krahasonim më çmimet e biletave për ndeshje më pak të rëndësishme futbollistike si finalja e “Champions League”, apo përballje të caktuara në kampionatet më të forta europiane.

Një e dhënë shumë interesante që raportonin mediat botërore, kishte të bënte më fakt se numri më i madh i biletave të prenotuara për ndeshjet e fazës së grupeve ishte nga vendet e Amerikës Latine. Ndërkohë për ndeshjet me eliminim direkt nuk janë bërë ende të ditura të dhënat zyrtare, sa i përket nacionalitet të tifozëve.

Por ndikim të fortë ekonomik, kjo Kupë Botë ka pasur edhe përtej Rusisë dhe FIFA-s. Anglia me rrugëtimin e saj që zgjati deri në gjysmë-finale ka patur benefite të konsiderueshme. Sipas VoucherCodes.co.uk, në ekonominë angleze gjatë muajit të botërorit kanë qarkulluar 2.7 miliard dollarë më shumë se një muaj i zakonshëm.

Për Kroacinë, finaliste në këtë Kupë Bote, gjithashtu pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi. Sipas medieve kroate, gjatë Kupës së Botës, në vendin ballkanik kanë qarkulluar rreth 300 milion euro. Duke qenë një shoqëri më shumë familjare, në Kroaci ndeshjet janë ndjekur në ambiente të mbyllura familjare, nëse këtë gjë do e krahasojmë me daljet masive në qendrat e qyteteve të Francës apo të Anglisë. Në Kroaci ka pasur një rritje të ndjeshme të shitjes së televizorëve dhe të produkteve ushqimore, por edhe të pijeve alkoolike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë