Mjedis

Kumbaro bën bilancin e mjedisit dhe u kujton gjobat kryebashkiakëve: Promovojmë riciklimin dhe kompostimin

Gazeta Si - Nga Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bëri bilancin e një viti në fushën e mjedisit, duke njoftuar drejtimin që do të marrë ky sektor drejt riciklimit dhe kompostimit dhe duke u kujtuar kryebashkiakëve gjobat.

Kumbaro tha se në një vit janë mbyllur në vendin tonë 15 venddepozitimesh ilegale “dhe janë dhe dhjetra të tjera që kërkojnë zgjidhje”.

“Mbyllëm e rehabilituam që nga tmerri i Gërhotit në Gjirokastër apo nga fusha e plehrave që digjeshin në Përmet, deri në venddepozitimet e paligjshme në Burrel, Kukës apo Krujë. Nga Skrapari apo Këlcyra deri në Laç, Cërrik, Fier e Lushnjë, Dimal, Kuçovë, Berat”, tha Kumbaro.

Në eventin me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe pjesëmarrjen e të gjithë kryetarëve të bashkive, Kumbaro tha se aktualisht mblidhen 90% e mbetjeve në territor, po riciklimi është në nivele shumë të ulëta.

“Nga 50% që arrinim të mblidhnim në 2013, sot mbledhim rreth 90% të volumit të mbetjeve urbane, por pak arrijmë të riciklojmë, rreth 15%. Ndërkohë që prodhojmë mbi 888,000 ton mbetje urbane në vit”, tha Kumbaro.

Ajo përmendi se Plani i Pastrimit Kombëtar ka vazhduar gjatë gjithë vitit me rezultate, ndërsa u përmendi kryebashkiakëve edhe gjobat nëse neglizhojnë në pastrimin e qytetit.

“Nuk e fsheh, nuk jam ndjerë aspak mirë kur Agjencia Kombëtare e Mjedisit është detyruar të marrë masa e të gjobisë disa kryetarë bashkie”. Kumbaro tha se është detyrë funksionale dhe përparësi për çdo kryebashkiak që të mos ia lejojë vetes dështimin në mbajtjen pastër të territorit”, duke nënkuptuar gjobat që për herë të parë iu vendosën këtë vit kryebashkiakëve të Malësisë së Madhe, Poliçanit, Krujës dhe Vlorës për shkak të problemeve me pastrimin e territoreve të tyre.

Eventi u organizua në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar / GIZ duke promovuar modelet e suksesshme të Sarandës dhe Himarës ku mblidhet letra dhe plastike për riciklim duke krijuar të ardhura për bashkitë, apo modeli i Cërrikut që sipas Kumbaros është pioner në procesin e kompostimit.

Ne Forum ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama i cili përmendi pikërisht bashkinë e Sarandës si një vend që ka bërë përparime.

Ai tha gjithashtu se modelet të mbledhjes së letrave dhe plastikës për riciklim do të shtrihen dhe në 10 qytete të tjera këtë vit teksa theksoi si prioritet për vitin 2023 është edhe edukimi mjedisor në shkolla për ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve ndaj mbetjeve.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf i pranishëm në këtë forum, u shpreh se ekonomia qarkulluese është një prej shtyllave kryesore të rritjes së shtyllës së gjelbër në Bashkimin Europian. Teksa shprehu mbështetjen e Gjermanisë, Zingraf theksoi se sektori i menaxhuar i mbetjeve është përmirësuar gjatë viteve të fundit.

“Qeveria gjermane po mbështet ndërmjet GIZ dhe ekonomia qarkulluese është një nga shtyllat kryesore të rritjes së shtyllës së gjelbërt në BE. Me mbështetjen e GIZ si dhe Ministrisë së Turizmit, Gjermania vlerëson se sektori i menaxhuar i mbetjeve është përmirësuar gjatë viteve të fundit. Niveli i mbulimit është rritur. Por nuk është mbuluar tërësisht. Targeti i riciklimit është i ulët. Ekonomia qarkulluese është një kërkesë ambicioze sa i takon rrugës drejt BE-së nga qytetarët vetë. Ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë”, tha Zingraf.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë