Vizatimore

Kultura në sytë e Shefit …Duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga vitet ’70

Një karikaturë e vitit 1970, që satirizon mbi shpërfilljen a verbërinë që tregon shteti ndaj artit dhe kulturës, duket më aktual se kurrë. Ndoshta kuratorët e ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk e kanë vendosur rastësisht, në holl si ballafaqim i parë i publikut me veprat e ekspozuara, dalë nga fondi i arkivit.“Kushtuar atyre që nuk kushtojnë vëmendjen e duhur për problemet e artit dhe të kulturës”, shkruhet në diçiturën e karikaturës, firmosur “Sinapi” (me siguri pseudonim) me titullin “Sytë e shefit tim”.

Ndërsa ekspozita sjell edhe disa karikatura të tjera që çojnë gjuhën në dhëmbin që dhemb të kulturës, pak metra nd’anë Galerisë qëndrojnë rrënojat e Teatrit Kombëtar, ndërsa qeveria pat thënë vite më parë se shteti nuk kishte buxhet mjaftueshëm për ta ndërtuar vetë nga e para një godinë për teatrin e ri. Madje ideja ishte shumë më e hershme, qëkur kryeministri Rama ishte ministër Kulture më 1998. Duke e gjykuar si të pavlerë dhe se duhej rrëzuar, ministri i Kulturës hidhte idenë e bashkëpunimit me sektorin privat.

Karikatura të ekpozuara në GKA

Herë ishte ngrehinë që po rrënohej, e ndërtuar nga italianët thjesht si “dopolavoro” , herë ishte asbesti i përdorur që u kishte shkaktuar gati edhe kancer aktorëve, ndërsa lagështia brenda i kishte marrë jetën nga pleviti aktorit Naim Frashëri. Ishin të gjitha këto argumente të përdorura herë nga qeveria e herë nga kreu i bashkisë, deri në ditën ku godina që pat shërbyer jo vetëm italianëve, por edhe shqiptarëve si qendër kulture e më pas kinema, ishte përshtatur për të parin gjyq –ndoshta më famëkeqin – komunist, ende a e marrë zyrtarisht pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga rezistenca më shumë se 2 vjeçare, ku triumfoi më në fund forca dhe brutaliteti i fadromave, lëvizjet e qeverisë kaluan nga ligji special i miratuar në Kuvend më 2018-n, që i hapte rrugë ndërtimit të godinës nga “Fusha shpk”, tek kalimi i godinës së teatrit në pronësi të Bashkisë e deri tek deklaratat e disa muajve më parë të kryebashkiakut që thoshte se teatrin e ri, dinjitoz siç shpreheshin të majtët në pushtet, do ta ndërtonin vetë. Me hua bankare. Ky projekt i Veliajt, që nuk humbi kohë t’i vinte ruspën teatrit aq shumë të anatemuar menjëherë me të kaluar godina në pronësi të bashkisë e madje të mblidhte edhe këshillin bashkiak, që firmosën shembjen me po aq ngut, do të vinte pasi komisioni që merrej me vlerësimin e ofertave të privatëve në bashki, e nxori jashtë garës “Fusha sh.p.k”, pasi sipas tyre nuk e kishte kapacitetin ta përfundonte në kohë projektin për Teatrin e ri Kombëtar.

Sipas aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Komisioni i Prokurimit Publik, ka rrezuar ankimimin e dy firmave që morën pjesë në tenderin për hartimin e projektit të Teatrit të ri, të cilat akuzojnë se tenderi nuk ka qenë i drejtë. Sipas komisionit ankimimi i tyre bie pas janë kaluar afatet e dorëzimit të tij. Në një intervistë televizive, Veliaj pat zbuluar se firma Fusha i pat falur projektin e saj për Teatrin bashkisë së Tiranës, e cila më pas do ta ndërtonte me para që do të merrte hua në bankë...Ajo që është e sigurt deri tani, është ngrehina e “ArTurbina”, e cila nga rrënojat e institutit të dikurshëm Hidrometeorologjik, arriti të rijetëzohej si një skenë alternative artesh në qytet, ku regjisorët mund të vënë në skenë veprat e tyre.

Karikatura të ekpozuara në GKA

Një tjetër karikaturë e realizuar gjatë viteve të regjimit komunist ironizon me rëndësinë e institucioneve kulturore si “Shtëpia e Kulturës” apo “Vatra e Kulturës” që shndërrohet në fund në dyqan buke.  

....Pak më tutje pranë sheshit qendror të kryeqytetit, në sallat e rikonstruktuara të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, drejtoresha Zana Çela flet për rritje të biletave dhe pohon se me buxhetin e dhënë nga shteti nuk arrihen të realizohen shfaqjet dhe se nga fitimet, vetëm 30 përqind i kalohen për administrim institucionit, që ende nuk është kthyer në shtëpinë e tij.Në analizën katër vjeçare të punës, drejtoresha Çela cilësoi si suksese personale fokusin tek marketingu dhe rritjen e sponsorëve, që kishin mundësuar 97 përqind të kostove të shfaqjeve.

Me politikën e re të biletave të rritura, Çela lajmëroi edhe ndryshim të menaxhimit të të ardhurave, duke e ndryshuar raportin 70 për shtetin e30 përqind për TKOB.Kjo do të mbështetej nga ministrja e Kulturës Margariti, e cila u shpreh se institucioni duhet të dalë jashtë skemës së varësisë totale nga shteti. “Në asnjë vend tjetër nuk gjejmë formula të tilla, me një investim të tillë të qeverisë, një rrugë të hapur, infrastrukturë të shtruar, të ndryshojë mentaliteti në të gjithë vendin. Le të jetë kjo shtëpia e parë, ku kjo konkurrencë të marrë jetë”, do të shprehej ministrja Margariti.

Karikatura të ekpozuara në GKA

Fjalët e saj do të ndiznin hamendjet se edhe TKOB do të menaxhohej nga ndonjë firmë koncesionare , ashtu siç është marrë vendimi për Parkun Kombëtar të Butrintit, që i kalohet për menaxhim në 10 vitet e ardhshëm Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.Të shqetësuar nga deklarimet e paqarta të ministres që fliste për konkurrencë dhe dalje nga varësia e shtetit, punonjësit e operas – këngëtarë lirikë e balerinë – kanë ngritur zërin dhe kërkojnë më shumë hollësi.

“Kjo deklaratë ka stresuar artistët e operës, është e papranueshme nga artistët edhe sindikata, pasi ka të bëjë me varësinë shtetërore të kësaj godine TKOB ndaj Ministrisë së Kulturës. Me ligjin e parlamentit, 10/ 352 11 tetor 2010, në nenin 5 thuhet se: Institucionet publike të varësisë kombëtare, siç është edhe TKOB, edhe të tjera janë në varësi të qeverisë edhe Ministrisë”, do të deklaronte kreu i Sindikatës së Artistëve të Pavarur Reshat Ibrahimi.

Ai e ka cilësuar bombë tymuese, një skenar të ngjashëm me atë të viteve 2000, ku u ndez një debat i ashpër për ta shndërruar operan dhe baletin në kompani private teatrore.“Mënyra se si po trajtohet problemi, kjo shashkë nga ministrja i ka frikësuar artistët, sepse i lë pa bukën e gojës”, ka thënë Ibrahimi për mediat.

Nga Ministria nuk ka ende një deklaratë zyrtare, por ka një të tillë që mundohet të sqarojë se Parku Kombëtar i Butrintit nuk do të jepet me koncesion. Projekti i përbashkët i Ministrisë së Kulturës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit është hartuar dhe miratuar për të menaxhuar shërbimet dhe jo parkun arkeologjik që i mbetet në pronësi shtetit.

Por kjo ka ndezur zemëratën e ekspertëve vendas, që pretendojnë se AADF, është në fakt një bankë e regjistruar në shtetin e Delaëare dhe jo një fondacion dhe ky është një konflikt interesi. Sipas këtyre zërave kritikë, vendi ka plot specialistë të cilët mund ta menaxhojnë dhe nuk ka pse të bëhet nga të huajt.

Nga ana e tyre, AADF, premton se do të sjellin modelet dhe praktikat më të mira për ta bërë Parkun Kombëtar të Butrintit një pikë atraksioni që e kalon edhe famën e rajonit e që do të sjellë përfitime jo vetëm nga shitjet e biletave, por edhe komunitetit vendas. Ata ngulmojnë se do të procedohet si me Pazarin e Ri, Piramidën – ku vetë kryeministri dhe kryebashkiaku kanë prezantuar dy herë deri më tani projektin e godinës që pasi të rijetëzohet do të kthehet në qendër novacioni të teknologjisë, Pazarin e Korçës, e të tjera.

Karikatura të ekpozuara në GKA

“Ky është një rast i mirë për të vënë disa pika mbi ‘i’, pasi po ngrihet volumi i vajtimit për të zezën që e gjeti kulturën dhe artin për shkakun tonë. Ne nuk kemi bërë mrekulli, por 571 monumente janë përtej greminës, 20 operacione shpëtimi po zhvillohen aktualisht, ndërsa 67 projekte janë gati për t’u futur në zbatim”, deklaronte kryeministri Rama, në ceremoninë përuruese të “ArTurbina” dy vjet më parë.

Ndërsa thoshte se pas dekadash as asnjë ndërtim në fushën e kulturës – kur për një periudhë ai ka qenë vetë në krye të dikasterit të Kulturës si ministër, ishin ndërtuar katër muze të rinj, kryesisht ato në kryeqytet si Bunk’Art 1 dhe 2, “Shtëpia me gjethe” apo “Marubi” në Shkodër.

“Si mund të ndërtojmë ne këto vepra, ndërkohë që shuma e nevojshme i kapërcen, ndoshta 100 fish mundësitë e buxhetit vjetor të investimeve?!”, arsyetonte kryeministri Rama, ndërsa sillte shembuj për të mësua nga vendet më të pasur se Shqipëria “dhe i përgjigjen me PPP, bashkim forcash për të ndërtuar vepra, ku shteti garanton atë që përfiton dhe kapitali privat mundëson realizimin e veprës”.

Atëkohë kreu i qeverisë ngulte këmbë që Teatri i ri do të ndërtohej 100përqind nga privati, ndërsa shfaqte edhe në profilin e tij në Facebook projektin e studios “Bjarke Ingels”, ndërsa nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thuhet se institucionet e drejtësisë në Danimarkë janë vënë në lëvizje për të hetuar kompaninë në fjalë, për projektin e Teatrit Kombëtar. Kjo ka ndodhur pas një shkrese që Aleanca i drejtoi Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë.Nga 531.9 miliardë lekë shpenzime në total në buxhetin e shtetit për 2020-n, Ministria e Kulturës ka marrë 1.48 miliardë, që rritet lehtë për 2021 me 1.49 dhe më 2022 me 1.5 miliardë lekë. Ndër rriskat që ndahen për çdo dikaster, kultura merr kotheret.

Ministrja Margariti shprehej e kënaqur që buxheti i 2020 kishte shënuar rritje me 11,7%, në krahasim me një vit më parë. “Ngjarje të mëdha na presin përpara, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të artit”, parashikonte ajo, parashikime që nuk u realizuan për shkak të pandemisë, e cila vetëm në sektorin e artit dhe të kulturës kishte shkaktuar humbje në rreth 27 milionë lekë. Për muaj me radhë institucionet e kulturës ishin të ngrira dhe vetëm prej pak kohësh po zhvillohen aktivitete, kryesisht në mjedise të hapura dhe me numër të reduktuar audience ,nën masat dhe protokollet anti-covid.

Sikur ta kishte parandier shumë vite më parë karikaturisti Aziz Karalliu, i cili në një skicë të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve ironizon patriarkalizmin, por edhe mungesën e kulturës tek qytetarët ku burri i thotë gruas se teatrin dhe kinemanë mund ta shohësh me dylbi. Me kinematë, vetëm ato verore që varen nga zemërgjerësia e motit dhe teatrot po ashtu që sajohen në mjedise të hapura, karikatura duket më aktuale se kurrë./S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë