Politike

“Kemi një problem me Presidentin!” A u thye krisja Rama-Meta?

“Shumë nga ne në këtë sallë kemi votuar për Ilir Metën si President. Por, ne kemi një problem me Presidentin e Republikës”. Me këto fjalë u drejtohej deputetëve socialistë në ditët e para të nëntorit Kryeministri Edi Rama, ku shprehte “zhgënjimin” ndaj vendimit të Presidentit të Republikës për të mos dekretuar Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm.

Kryeministri e interpretonte si “krisje” mes mazhorancës së tij dhe kreut të shtetit këtë vendim dhe mes fjalive që pasonin ishte një tjetër, që përcillte një mesazh më të drejtpërdrejtë dhe me tone më të ashpra ndaj Presidentit Ilir Meta.

“Unë vetë besoj se Presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit për këtë temë, prandaj uroj që të gjejmë edhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos e çuar krisjen në thyerje”, deklaronte mes të tjerave Kryeministri Edi Rama.

https://www.instagram.com/p/Bp155hDg8El/

Pak më shumë se dy muaj më vonë, në bulevardin e madh të Tiranës, në aksin Kryeministri-Presidencë po luhet thuajse i njëjti skenar, por me të tjerë “ushtarë”. Presidenti Ilir Meta ktheu kandidaturën e Gent Cakajt për ministër të Jashtëm të Shqipërisë. Cakaj ishte propozuar nga Kryeministri Rama si pasues i Ditmir Bushatit pas shkarkimit publik që kreu i Qeverisë i bëri më 28 dhjetor.

Ilir Meta dekretoi me shpejtësi largimin e Fatmir Xhafajt në gjysmën e dytë të tetorit, por për Sandër Lleshajn zgjodhi heshtjen dhe lënien në dorë të afateve kohore të parashikuara nga Kushtetuta për rrëzimin e emrit të tij në propozimin e parë të Kryeministrit. Për Gent Cakajn kreu i shtetit zgjodhi një tjetër rrugë, atë të rrëzimit dhe lënien ende në detyrë të Ditmir Bushatit.

Presidenti, Ilir Meta dhe Kryeministri, Edi Rama

Mes arsyeve që rendit Ilir Meta në këtë vendim të tij është “papjekuria politike” dhe “qëndrimi i Gent Cakajt” për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që mbetet për t’u parë në ditët, javët e muajt në vazhdim është fakti nëse ky vendim është fjala e fundit e Ilir Metës dhe nëse do të interpretohet si thyerje nga ana e Kryeministrit Edi Rama, e po ashtu edhe nëse shefi i Qeverisë do të ndjekë të njëjtin qëndrim si me Sandër Lleshajn edhe për Gent Cakajn, pra ridërgimin e emrit të tij për t’u dekretuar si ministër i Jashtëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë