Futboll

Kukësi vuan në “Loro Boriçi”, vë në rrezik kualifikimin

E gjithë vëmendja e sportit botëror në mbrëmjen e 11 korrikut ishte e përqendruar në “Luzhniki Stadium” të Moskës, aty ku luhej gjysmë – finalja e Kupës së Botës “Rusi 2018”, mes Anglisë dhe Kroacisë, por në “Loro Boriçi” të Shkodrës luhej një ndeshje e rëndësishme për futbollin shhqiptar.

Nënkampionia e vendit, Kukësi debutonte në Ligën e Kampioneve në sfidën e parë eleminatore kundër skuadrës kampione të Maltës, F.C Valeta.

Teksa të gjithë prisnin fitoren e lehtë për Kukësin, duke parë që kundërshtari ishte modest në letër, në fushën e lojës ka ndodhur plotësisht e kundërta. Një skuadër shumë e ngadaltë që lëvizte me vështirësi dhe që me shumë zor shkonte te porta kundërshtare, kështu mund ta përshkruajmë Kukësin që luajti mbrëmjen e së mërkurës në “Loro Boriçi”. U duk sikur largimi i Sindrit Gurit dhe një pjese tjetër të lojtarëve kryesorë të sezonit të shkuar kishte bërë efektin e vet. Vetëm në minutat e fundit, lojtarët e Kukësit “u zgjuan” dhe filluan të reagojnë, por atëherë ishte shumë vonë për ta kthyer ndeshjen dhe çdo gjë  mbyllet në shifrat e bardha 0-0.

Një ekip si Kukësi që ka krijuar një identitet të tijin në Kupat e Europës, ky barazim me një skuadër modeste si Valeta është shumë zhgënjyes. Trishtimi dhe mërzia dukej pas ndeshjes tek të gjithë, duke fllluar nga trajneri, Peter Pakult deri tek presidenti i klubit, Safet Gjici.

Kjo është paraqitja e gjashtë radhazi për Kukësin në Kupat e Europës dhe e dyta në Champions League. Pa dyshim që performancën më të mirë verilindorët e kanë pasur kur në stol ishte Armando Cungu, me të cilin shkuan deri në fazën “play-off” të Europa League. Këtë sezon Kukësi ka nisur një projekt të ri dhe kërkon me çdo kusht që të kalojë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve apo të Ligës së Europës.

Ndeshja e kthimit mes Kukësit dhe F.C Valeta luhet të martën e ardhshme, aty ku verilindorët do të bëjnë gjithçka për të fituar, pasi në të kundërt do duhet t’i thonë lamtumirë Ligës së Kampioneve për këtë sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë