Futboll

Kukësi kualifikohet me shumë sforco, mbushet arka e klubit verior

Kukësi kalon në turin e dytë eliminator të Champions League. Kualifikim shumë i vështirë, por shumë i rëndësishëm, pasi mbush arkat e klubit. Skuadra veriore, që në kompeticionin më të madh për kluve ka zënë vendin e Skënderbeut të dënuar nga UEFA me 10 vite pezullim nga Kupat e Europës, ka kaluar me shumë sforco maltezët e Valetës, pas dy barazimeve. Ka vendosur goli në fushë kundërshtare, i shënuar nga gjeorgjiani Dzaria në ndeshjen e sotme në Maltë, 6 minuta para fundit të kohës së rregullt. Ndeshja e parë ishte mbyllur pa gola.

Një kualifikim historik për Kukësin, që për herë të parë e sheh veten në turin e dytë të Champions League, ndërkohë që më parë ka pasur sukses në Europa League me trajnerin aktual, Armando Cungun. Trajneri shkodran zuri vendin e austriakut Peter Pakult, që u largua nga stoli i nënkampionëve të Shqipërisë pikërisht pas barazimit 0-0 në stadiumin “Loro Boriçi” javën e kaluar. Një kualifikim që ka sjellë entuziazëm, edhe pse Kukësi ka qenë shumë larg nivelit të lojërave të ndeshjeve të kampionatit të fundit.

Nga ndeshja e sotme, Valeta-Kukësi, 1-1

Ka vuajtur shumë skuadra veriore ndaj Valetës. Trajneri Cungu hodhi në fushë të njëjtin formacionin si kolegu i tij Pakult. Skuadra e tij ka vuajtur shumë për të shkuar te goli dhe gjatë gjithë kohës ishin maltezët ata që diktonin në fushë, pavarësisht se diferencat mes dy kampionateve janë të mëdha. Kuksianët janë kujdesur shumë për të mos pësuar gol, por rezistenca e tyre ra në minutën e 67-ë, kur Valeta kaloi në avantazh me anë të Siantiagos. Më parë trajneri Cungu kishte bërë tre ndërrimet. Kukësi, duke qenë se nuk ksihte çfarë të humbte, ka shtuar sulmet dhe fati i ka buzëqeshur në minutën e 84-t, kur gjeorgjiani Irakli Dzaria shënoi golin e kualifikimit, pas një asisti të Rrumbullakut. Në minutat e mbetura Kukësi është mbrojtur mirë dhe ka siguruar kualifikimin e vështirë. Largimi i lojtarëve me shumë peshë si sulmuesit Guri dhe braziliani Kale, e kanë dobësuar Kukësin në lojën sulmuese.

Në turin e dytë eliminator të Champions League, Kukësi me shumë mundësi do të ketë skuadrën e ish-kapitenit të Kombëtares, Ansi Agollit. Veriorët presin të mësojnë fituesin e çiftit Karabagh-Olimpija Ljubjana, por duke qenë se azerët e kanë fituar ndeshjen e parë në transfertë, 0-1, do të thotë se kualifikimi i tyre është formalitet. Kuptohet që në turin e dytë do të jetë më e vështirë për Kukësin, që pas ndryshimeve në merkaton e verës po has vështirësi, por ekipi i presidentit Gjici do të luajë shanset e veta. Ndeshja e parë e turit të dytë luhet javën e ardhshme në Shkodër. Pas kualifikimit ndaj Valetës, skuadra ka përfituar një premio të majme nga presidenti Safet Gjici.

Ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, me Karabaghun në një ndeshje ndaj Interit

Kualifikimi ndaj Valetës ishte shumë i rëndësishëm në aspektin financiar për kuksianët, të cilët do të arkëtojnë tashmë të paktën 940 mijë euro nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Kukësi përfiton 280 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e parë të Champions League dhe 380 mijë euro të tjera për pjesëmarrjen në turin e dytë të Championsit. Nëse eliminohet në turin e dytë të Champions League, Kukësi kalon në Europa League, ku përfiton 280 mijë euro të tjera për pjesëmarrjen në turin e tretë, kështu që të ardhurat janë të konsiderueshme, ndaj dhe presidenti Gjici e ka “zgjidhur qesen”, duke i shpërblyer të tijtë për kualifikimin. Pjesëmarrja në Kupat e Europës është burimi kryesor i të ardhurave për skuadrat shqiptare, ndërkohë që klubet kryesore tani kanë nisur të sigurojnë të ardhura edhe nga shitja e lojtarëve.

Dyluftim nga ndeshja e sotme Valeta-Kukësi

Në Europë luajnë këtë verë edhe Partizani, Laçi dhe Luftëtari, por në bazë të rezultateve të ndeshjeve të para në Europa League, vetëm kurbinasit kanë shanse kualifikimi, pas humbjes 2-1 në fushën e qipriotëve të Anorthosis. Të enjten luhet ndeshja e kthimit në Laç dhe ekipit vendas i mjafton një gol për kualifikimin. Partizaani luan në Slloveni me Mariborin, ndërkohë që në ndeshjen e parë u mund 0-1 në Tiranë, kurse Luaftëtari u shpartallua në Letoni nga Ventspils 5-0. Pas së enjtes, skuadrat shqiptare në Kupat e Europës do të jenë e shumta dy: Kukësi dhe ndoshta Laçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë