Ngjarje

Kujtimet tona u zhdukën: Teatri palestinez i shkatërruar nga një bombë

A mundet të vijojë shfaqja? Një muzikant luan  mes rrënojave në Qendrën Kulturore Said al-Mishal, në Gaza, javën e kaluar. Foto:MustafaHassona/APAImages/Rex/Shutterstoc

The Guardian –Paniku i madh prej sulmit të  fundit, i pushtoi të gjithë brenda teatrit. Një nga regjisorët e tij,  një 27 –vjeçar i rritur para kohe,  i cili punon në teatër që  kur ishte adoleshent, po përgatiste produksionin e tij të ri; një komedi të zezë. Stafi skenik dhe aktorët kishin muaj që punonin, të gjithë për t’i dhënë jetë performancës “Eid al-Adha”, një nga produksionet më të mëdhenj të vitit, i  planifikuar për periudhën e festës islame.

Shfaqja do të mbahej në auditorin kryesor të Gazës, Qendrën Kulturore ‘Said al-Mishal’, ku publiku do të pushonte i qetë në ndenjëset me cohë të kuqe, gati  për arratisjen e një nate. Më 9 gusht, po ngjiteshin dekorimet e fundit për shfaqjen. Jashtë, nën diellin e mëngjesit, njerëzit në qytetin mesdhetar po nisnin fundjavën. Shumë prej tyre me shpresën e një fundi të sulmit  24 orësh, në të cilin grupi militant Hamas kishte hedhur breshëri raketash në Izrael, i cili nga ana e tij u përgjigj me goditje ajrore.

Regjisori palestinez, Idrees Taleb, ishte i fokusuar në përgatitjet e  shfaqjes, jo tek avionët në qiell. Zyra e tij ndodhej në katin e katërt të Al-Mishalit për më shumë se pesë vjet dhe ai nuk gjente arsye se,  pse ushtria izraelite mund të bombardonte një teatër.

Bombat bien në Gaza, 9 gusht. Foto: Ali Jadallah/Agjencia Anadolu /Getty Images
 

“Gjatë luftërave do të dilja nga shtëpia dhe do të flija tek ajo ndërtesë”, thotë ai. “Gjithnjë kam menduar se është vendi më i sigurt në botë.”

Nuk kaloi shumë nga çasti  kur Talebi doli për në punë,  kur  banorët e zonës morën  lajmërimin nga ushtria izraelite se ndërtesa mund të goditej. Ushtria u telefonon vendasve dhe u thotë të sprapsen. Në këtë rast, forcat izraelite lëshuan edhe  të shtëna mbi godinën, jo për të shkatërruar apo vrarë, por për të paralajmëruar. Palestinezët në Gaza janë mësuar me këto të shtëna paralajmëruese – i quajnë “trokitje”.

Dy orë më vonë, municione më të mëdha e shndërruan Al-Mishalin në pluhur, beton të thërrmuar dhe çelik të shtrembëruar. Të paktën 18 njerëz u plagosën gjatë sulmit, tha  ministri i shëndetësisë së Gazës.

Rrafshimi i pikës referuese të kulturës, që mbante një bibliotekë dhe zyra për shoqata artistike, si trupa vallëzimi dhe muzikantë, tronditi komunitetin krijues dhe jehoi tek mbështetësit e tij, nëpër botë. Themeluar në vitin 2004 dhe i pagëzuar me emrin e Said al-Mishalit, një biznesmen palestinez, politikan dhe bashkëkohës i presidentit të Palestinës Mahmoud Abbas, ndërtesa strehonte një qendër rekreacioni për fëmijët e prekur nga tri luftërat e bëra mes Izraelit dhe Hamasit, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Kafenetë e saj ishin përplot me kërcimtarë, aktorë e artistë. “Al-Mishal nuk ishte thjesht zyrë për ne; ishte histori dashurie dhe frymëzimi. E gjithë puna jonë ishte atje; jetonim atje; kujtimet i kishim atje”, thotë Talebi. “U dhashë pak shpresë kolegëve se mund të ndodhte ndonjë ndryshim, por nuk di ç’mund të them pas shkatërrimit të vendit tonë.”

Javën e kaluar, disa nga dramaturgët kryesorë të Britanisë kritikuan ashpër bombardimin, duke e quajtur “një humbje shkatërrimtare për një komunitet që jeton në izolim” dhe rrafshimin e “një prej shesheve më të mëdhenj për performanca teatrore dhe muzikore në Gazën e rrethuar.”

https://www.youtube.com/watch?time_continue=24&v=vutHocL1ZYo
 
Sadeel Media mbërthen çastin e shkatërrimit. Forcat izraelite pretendojnë se godina përdorej nga Hamasi për qëllime ushtarake.

Në një letër për ‘The Guardian’, 14 figura të rëndësishme të teatrit anglez, si regjisori i Teatrit Kombëtar Rufus Norris dhe dramaturgu Caryl Churchill, dënuan shkatërrimin e qendrës pesëkatëshe. “Ne mbështetim miqtë tanë të dashur dhe kolegët,  që e përshkruajnë zemëratën e tyre të madhe dhe dhimbjen e thellë në shuarjen e këtij simboli të kulturës dhe identitetit palestinez”, thonë ata.

Elyse Dodgson, regjisori ndërkombëtar në teatrin “Royal Court”, nisi letrën dhe tha se të gjithë firmëtarët kanë punuar me artistë palestinezë, në dy dekadat e fundit. Aty,  në Bregun e pushtuar Perëndimor, pjesë e territoreve palestineze të shkëputura nga Gaza, kanë mbajtur workshop-e  dhe janë përpjekur në disa raste të marrin leje që shkrimtarët e Gazës të udhëtojnë deri atje.

Por si një enklavë e izoluar bregdetare prej 140 miljesh katrorë, Gaza është një nga vendet më të pakalueshëm në Tokë, ndërsa Izraeli dhe Egjipti mbajnë një bllokadë ndëshkuese që kufizon lirinë e lëvizjes. Shumë njerëz aty nuk janë larguar kurrë, as nga Bregu Perëndimor – në pikën më të ngushtë, vetëm 20 milje më larg.

“Gjatë tri punëtorive, kemi aplikuar disa herë që katër shkrimtarë të udhëtonin dhe çdo herë na u refuzua nga autoritetet izraelite”, thotë Dodgson. Nga ana e tij, Royal Court është përpjekur t’u japë leje qëndrimi artistes nga Gaza, Nahil Mohana, në Londër, por viza iu refuzua tri herë nga autoritetet britanike. Më në fund, Royal Court vendosi të bëjë një film të shkurtër rreth procesit të të punuarit me një skenarist, të cilin regjisori nuk mundet ta takojë personalisht.

Të shohësh dyfish… “Në shtëpi në Gaza dhe Londër”, videoja live e performancave në të dy qytetet. Foto: Qendra e Artit Battersea

Një tjetërperformancë britaniko-palestineze me bazë në al-Mishal, “Në Shtëpi, në Gaza dhe Londër”, çau bllokadën duke i lidhur njerëzit virtualisht në të dy vendet, përmes në serie performancash simultane, me anë të  video-projektimit  live, në ekranet e mëdha.

Bashkëregjisorët britanikë  nuk kishin shkelur kurrë në ‘al-Mishal’, por e njihnin ndërtesën me hollësi. Ata kaluan muaj duke punuar dhe bërë prova me kolegët e tyre nga Gaza, përmes projeksionit të videove live në studiot e njëri-tjetrit, edhe pse ishin ndarë nga 2 mijë milje. Qendra ishte aq popullore në Gaza sa performanca e tyre më e fundit pati një përplasje datash dhe u desh të mbahej në një tjetër teatër.

Choucair-Vizoso thotë se Al-Mishal ka pasur një etikë unike pune, me provat që mbaheshin me dyer të hapura në mënyrë që artistët e tjerë, muzikantët dhe performuesit,  mund të hynin brenda kur të donin. “Mbajmë mend se ishte e çuditshme sepse këtu kishe dhomë provash,  që nuk ishte aspak private. Njerëzit zakonisht nuk hyjnë e dalin, por atje është ndryshe. Është tjetër mënyrë të punuari, ka thënë regjisori britanik i Teatrit ‘Az’, i cili ka ngritur një fond prej 3 mijë paundësh britanikë, gjatë javëve të fundit. E megjithatë, edhe me parà, ka vështirësi të ndërtimit për shkak të bllokadës që vazhdon, në të cilën karburanti dhe materialet e ndërtimit janë të kufizuara.

Chadwick ka punuar me një grup alternativ skenik në Gaza, të cilët performuan “Lufta dhe Paqja” , përshtatur nga romani i Tolstoit dhe përkthyer në arabisht, shfaqur qindra njerëzve në “al-Mishal”, në 10 performanca përgjatë 2015 –ës. Për njerëzit këtu në komunitetin artistik dhe në shoqërinë e Gazës si të tërë, bombardimi ishte një shpërthim i madh dhe i jashtëzakonshëm”, thotë Chadwick.

Palestinezët mblidhen në qendrën e shkatërruar kulturore. Foto:Haitham Imad/EPA

Vetëm nëse një ndërtesë merret në përdorim ushtarak, shënjestra e  qëllimshme e  pronës kulturore është e  jashtëligjshme,  nën ligjin ndërkombëtar. Izraeli është pjesë e Konventës së Hagës të vitit 1954, një marrëveshje e firmosur pas shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është hartuat për të mbrojtur “sitet sensitive”, përfshirë pronat kulturore, spitalet, shkollat dhe stacionet energjetike.

Në ditën e bombardimeve, Forcat izraelite të Mbrojtjes, lëshuan një deklaratë pa përmendur  qendrën kulturore, por tha se avionët kanë vënë në  shënjestër  një strukturë që pretendohej se ishte “përdorur nga forcat e sigurisë së brendshme të organizatës terroriste Hamas,  për qëllime ushtarake.” Duke iu përgjigjur një kërkese për koment rreth kësaj  historie, Forcat Izraelite të Mbrojtjes  kanë thënë se ende e konsiderojnë strukturën se është përdorur nga Hamasi, por ishte në dijeni se “përdorej gjithashtu për qëllime civile, si qendra kulturore dhe ky fakt u llogarit gjatë procesit të planifikimit të sulmeve.”

Sameer al-Mishal, drejtor i përgjithshëm i qendrës dhe i afërm i bamirësit, e ka hedhur poshtë idenë e një pranie ushtarake brenda qendrës, ku punojnë dhe dalin vullnetarë afro një mijë e pesëqind njerëz. Qysh prej fillimit, ndërtesa ka qenë një mburojë e lirisë së shprehjes dhe mendimit progresiv, ka thënë ai, që e ka futur stafin e tij në telashe për shkak të ideologjisë së reptë të Hamasit.

Në vitin 2007, dega vendase e Hamasit  i anuloi licencën dhe “al-Mishal” nuk mundi të rihapej, deri në vitin 2009. “Jemi përballur me shumë telashe nga policia dhe ndërhyrje në drama dhe performanca. Personalisht, jam marrë në pyetje nga Hamasi; njëherë u arrestova për tri ditë”, thotë ai.

Armëpushim… një koncert skenik më 10 gusht, një ditë pas bombardimeve. Foto: Majdi Fathi/NurPhoto nga Getty Images

Forcat Izraelite të Mbrojtjes e kanë përvijuar ndërtesën me vijë të kuqe të pikëzuar,  në zonën e  katit të parë. Al-Mishal thotë se ishte dhoma e zhveshjes, pas skenës. Që Hamasi do të mund të vendosej këtu, më duket “pa logjikë”, thotë ai. “Ne po sfidonim ligjet e tyre.”

Al-Mishal u dha kolegëve të mi pak shpresë se do të ndodhte një ndryshim. Tani nuk di ç’tu them. Idrees Taleb

Në një deklaratë për shtyp, Rrjeti i Arteve Performuese të Palestinës ka akuzuar ushtrinë izraelite se e kanë vënë në shënjestër  me paramendim kulturën palestineze. “Qendra ishte simbol i trashëgimisë kulturore palestineze dhe u vu  me qëllim në shënjestër nga pushtuesi izraelit sepse arti dhe kultura forcojnë dhe fuqizojnë identitetin kulturor dhe kombëtar palestinez.”, thuhet në deklaratë. Disa banorë në Gaza, në mënyrë private sugjerojnë një mundësi të tretë – se ndërtesa u ngatërrua me një tjetër zyrë të sigurisë së brendshme të Hamasit, në të njëjtën zonë.

Për Mohammad Obaid, “Al-Mishal” ishte shtëpi e dytë. 28 –vjeçari kishte ndihmuar Al-Anqa’a (Feniksin), një trupë që mësonte traditat. “Donim të mbështesnim folklorin palestinez,” thotë ai, “Grupi humbi të gjitha pajisjet, kostumet dhe një vend për të trajnuar 250 fëmijë, të cilët ndiqnin programin gjatë periudhës së pushimeve verore. Një ditë pas bombardimeve, grupi iu bashkua qindra të tjerëve për të performuar në rrënojat e ndërtesës,  si shfaqje e forcës dhe solidaritetit. Pro edhe kjo po zbehet. “Kujtimet tona janë zhdukur tashmë. Nuk e di nëse mund të krijojmë të tjera”, thotë Obaidi, “Do të përpiqemi sërish, por nuk jam i sigurt nëse do të mund të bind kolegët për të vazhduar.”

Hazem Balousha nga Gaza dhe Oliver Holmes nga Jerusalemi/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë