Keshilla

Kujdesi me ushqimet pas agjërimit është po aq i rëndësishëm sa agjërimi

Fotografi ilustruese e një personi që po konsumon ushqim të shëndetshëm

Gazeta "Si" - Jemi dy ditë pas festës së Fitër Bajramit dhe personat që kanë agjëruar duhet të tregojnë kujdes më shumë se kurrë me ushqimin pasi është periudha që shtohet në peshë dhe krijohen probleme me aparatin tretës.

Festa e bajramit mbi të gjitha, shërbehet me bakllava apo ëmbëlsira të tjera që janë të bëra nga arra, brumi, mielli dhe yndyrat.

Nutricioniste Ardiana Berisha-Hoxha thotë për Gazetasi.al se tani pas agjërimit është pikërisht koha që agjëruesit duhet të kenë kujdes sepse ushqimi hiperkalorik shkakton mbingarkon organizmin.

Ajo tregon se do të ishte mirë të fillohej me hapa të ngadalshme për tu rikthyer më lehtë në përditshmërinë ushqimore.

Ditëve pas agjërimit, ushqimet që agjëruesit duhet të konsumojnë janë:

- lëngje jeshile të freskëta të shtrydhura.

- supë perimesh.

- qumësht, djathë, kos, ajran, ose qumësht i bërë nga tërshëra, sojë, bajame

ose oriz, patate të ëmbla.

Në mënyrë që të shmangni shtimin e kilogramëve të humbura gjatë agjërimit, nutricionistja sugjeron disa hapa që mund të ndiqni.

-Filloni ngadalë

“Mendohet se duhet të shpërblehet trupi me një vakt të bollshëm pasi i ke ‘mbijetuar’ periudhës së agjërimit”, thotë nutricionistja. Megjithatë, kjo është një sfidë për stomakun. Gjatë gjithë muajit të Ramazanit, sistemi tretës dhe aktiviteti i enzimave tretëse janë ulur thuajse tërësisht. Gjatë muajit trupi përdorte energjinë nga rezervat e veta. Fillimisht metabolizmi i duhet kohë për të punuar edhe gjatë ditës. Njerëzit duhet ti lënë kohë vetes.

Ushqimet e pasura me karbohidrate dhe sasi të mëdha të yndyrave mund ta mbingarkojnë traktin tretës dhe pas agjërimit kjo mund të çojë në siklet, ndjenjën e ngopjes, ngërçe në stomak dhe fryrje. Prandaj është e rëndësishme që sasia e kalorive të rritet ngadalë dhe me përzgjedhje të mençur.

Në raste me problemet me tretjen do të ndihmonin çajra të ndryshme si ato të mentes, Xhenxhefilit apo edhe të turmerikut. Këto stimulojnë lëvizshmërinë e traktit tretës dhe në këtë mënyrë lehtësojnë ndjenjën e ngopjes dhe fryrjes.

-Shijoni ushqimin me kujdes dhe me vetëdije

Pas agjërimit, ndjenja e shijes është me e theksuar dhe aromat e ndryshme perceptohen intensivisht. Prandaj, mjafton që vaktet t’i shijoni lehtë, më shpesh dhe më pak. Ushqimet e kripura dhe të ëmbla gjithashtu kanë shije shumë më intensive tani, kështu që reduktoni kripën dhe sheqerin edhe më pas. Konsumoni ushqim të freskët, natyral, nëse është e mundur nga vendi dhe kini kujdes gjatë përgatitjes. Ushqimet duhet të gatuhen pak, që t’i mbeten edhe vitaminat dhe mineralet.

- Duhet të pini veçanërisht ujë, çaj pa sheqer ose lëngje frutash shumë të holluara pasi ndihmojnë edhe kundër urisë në rritje.

Agjërimi dhe efektet pozitive në jetën e përditshme

Agjërimi ndihmon edhe në disiplinim pas agjërimit. Krijon një stil jete ku kontrollohet pjata e çdo vakti, sasia si dhe cilësia. Pas agjërimit është shumë më e lehtë të ndryshohet një stil jo i shëndetshëm jete.

“Pas agjërimit është më e lehtë të rregullosh zakone të reja të një mirë ushqyerje”, thotë nutricionistja.

Mirë ushqyerja pas agjërimit mund të jetë një ushqim i gatuar mirë, bukë e zezë, bollgur, fruta, perime, produkte të qumështit.

“Këto të gjitha na japin më shumë fibra të cilat ndihmojnë të jemi të ngopur dhe lehtësojnë tretjen.  Duhet të jetë një pjatë e ekuilibruar mirë me makro dhe mikronutrientë që i duhen trupit tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë