Keshilla

Pse disa njerëz kanë nevojë për vetëm katër orë gjumë

Ndërsa shumica e të rriturve kanë nevojë për 7-9 orë gjumë në natë, një numër shumë i vogël njerëzish arrijnë të funksionojnë normalisht edhe me vetëm katër deri në gjashtë orë. Shkencëtarët po zbulojnë se pas këtij fenomeni mund të fshihen disa variante të rralla gjenetike.

Kjo gjendje njihet si gjumi i shkurtër natyror familjar (FNSS) dhe lidhet me mutacione të trashëgueshme që ndikojnë në kohëzgjatjen e gjumit. Studimet e udhëhequra nga biologu molekular Ying-Hui Fu, në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, kanë identifikuar disa prej këtyre varianteve gjenetike.

Hulumtimet sugjerojnë se këto mutacione mund të bëjnë që disa njerëz të kenë nevojë për më pak gjumë, pa përjetuar të njëjtat pasoja që zakonisht shoqërojnë mungesën e tij.

Në eksperimente me minj, studiuesit zbuluan se disa variante gjenetike të lidhura me gjumin e shkurtër mund të ofrojnë mbrojtje ndaj problemeve të kujtesës. Ndërsa një studim i vitit 2014 me binjakë tregoi se individi që mbartte mutacionin e gjumit të shkurtër kishte rreth 40% më pak rënie të performancës pas 38 orësh pa gjumë, krahasuar me binjakun tjetër.

Megjithatë, gjenetika ndikon në gjumin tonë në mënyra shumë më të gjera. Sipas studimeve, rreth 30-65% e ndryshimeve në kohëzgjatjen e gjumit mund të lidhen me faktorë gjenetikë. Një analizë e të dhënave nga afro 650 mijë të rritur identifikoi rreth 244 variante gjenetike që mund të ndikojnë në këtë proces.

Gjenetistja Isabelle Austin-Zimmerman, nga King’s College London, shpjegon se secili prej këtyre varianteve ka një ndikim shumë të vogël më vete, por efektet e tyre mund të grumbullohen. Sipas saj, ndryshimet gjenetike mund të ndikojnë mesatarisht me rreth 20 minuta në kohëzgjatjen e gjumit.

Një tjetër studim, i udhëhequr nga Chiara Petrosellini, akademike klinike në University College London, gjeti se gratë me prirje gjenetike për të pasur nevojë për më pak gjumë kishin gjysmën e rrezikut për të zhvilluar psikozë pas lindjes, krahasuar me ato me prirjen më të ulët.

Por të qenit gjenetikisht i predispozuar për të fjetur pak nuk është domosdoshmërisht një avantazh. Studimet e Austin-Zimmerman dhe ekipit të saj kanë lidhur disa variante të gjumit të shkurtër me rrezik më të lartë për pagjumësi, lodhje, depresion, ADHD dhe diabet të tipit 2.

Pse nuk duhet ta neglizhojmë gjumin?

Shkencëtari i gjumit Hans van Dongen, nga Universiteti Shtetëror i Uashingtonit, paralajmëron se njerëzit nuk janë gjithmonë në gjendje të vlerësojnë saktë pasojat e mungesës së gjumit.

Në një studim, të rriturit që flinin vetëm katër ose gjashtë orë në natë shfaqën përkeqësim të vazhdueshëm në testet njohëse, megjithëse pas dy javësh e vlerësonin veten si vetëm pak të përgjumur.

Sipas van Dongen, mungesa e gjumit mund të dëmtojë gradualisht performancën, ndërkohë që individët bëhen gjithnjë e më pak të vetëdijshëm për këtë dëmtim.

Shkencëtarët shpresojnë se studimi i këtyre varianteve gjenetike do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të mekanizmave të gjumit dhe, në të ardhmen, në zhvillimin e trajtimeve për çrregullimet e tij.

Megjithatë, deri atëherë, rekomandimi mbetet i qartë: për shumicën e të rriturve, 7-9 orë gjumë në natë janë të nevojshme për të mbështetur shëndetin dhe funksionimin normal të organizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë