Keshilla

Muaji i Ramazanit/ Nutricionistja Berisha: Në Iftar pini dy litra ujë ndërsa në Syfyr shmangni sheqerin dhe kripën

Prej disa ditësh besimtarët muslimanë në të gjithë botën po agjërojnë çka do të thotë se nga lindja e diellit deri tek perëndimi i tij, ato nuk mund të konsumojnë asgjë. Kjo mund të jetë disi e vështirë për personat që kanë një jetë aktive, me punë dhe me aktivitete. Disa njerëz kanë pikëpyetjet e tyre në lidhje me ushqimet që duhet të konsumojnë për të pasur fuqitë e duhura gjatë ditës dhe për ushqimet që duhet të shmangin.

Nutricioniste Ardiana Berisha-Hoxha ka shpjeguar për Gazetasi.al se trupi zakonisht ka rezerva të mjaftueshme si të yndyrës po ashtu edhe Proteina dhe “që nga dita e parë e agjërimit, në mungesë të ushqimit, sidomos të karbohidrateve si burim i shpejtë dhe i pari i energjisë, fillon trupi të shndërrojë yndyrë në energji”, thotë Berisha e cila shton se për të marrë mjaftueshëm lëndë ushqyese gjatë agjërimit, është veçanërisht e rëndësishme balancimi i pjatës së ekuilibruar qoftë në mbrëmje në Iftar, ashtu edhe në Syfyr.

Nutricioniste Ardiana Berisha-Hoxha. Gazeta "Si", 6 prill, 2022.

Duke filluar nga pirja lëngjeve në mbrëmje...

Nutricionistja tregon se gjithsej duhet të pini deri 2 litra ujë për të evituar një Dehidrim të mundshëm gjatë ditës së nesërme ku prioriteti duhet të jetë uji ose çaji pa sheqer. Pijet me kafeinë, apo pijet energjitike, kola ose çaji i zi, duhet të shmangen gjatë Ramazanit pasi ato gjithashtu privojnë trupin nga lëngjet (dhe rrjedhimisht mineralet).

“Sugjeroj që Iftari të fillohet me një gotë të madhe ujë të vaktë me pak pika limon shoqëruar me një Hurmë mundësisht cilësore organike”, kjo sepse uji i vaktë do të stimulojë zorrën dhe me këtë e parapërgatit për një ushqim më të dendur në sasi dhe kalori. Ndërkohë hurma, përveç se ka sheqer që e shoqëron trupin tonë me energji, përmban edhe minerale, vitamina që i kanë munguar trupit gjatë gjithë ditës. Gjithashtu hurma ka edhe Fibra që ju jep një ndjesi ngopjeje dhe kjo është edhe një mënyrë për të shmangur mbingopjen. Më pas, nutricionistja tregon se duhet të kalohet deri gjysmë ore kohë për ta përgatitur organizmin për një darkë më të bollshme se zakonisht, ku duhet të jetë me supe me perime apo edhe mish pule shoqëruar me buke integrale. Gjithashtu mund të përfshini edhe drithëra të plota si orizi integral, makarona integrale apo Thjerrëza. Frutat dhe perimet gjithashtu nuk duhet të mungojnë gjatë gjithë kohës sepse janë të pasura me vitamina dhe sasi të lartë të fibrave që rrit ndjenjën e ngopjes.

Nutricioniste Berisha thotë se diçka shumë e rëndësishme që duhet të kenë parasysh besimtarët që agjërojnë është se nëse jeni shumë të uritur në mbrëmje, duhet të hani gjithmonë ngadalë dhe me kënaqësi.

“Provojeni të përtypni disa herë kafshatën sepse truri jonë merr sinjalin e ngopjes vetëm pasi të kenë kaluar 10 minuta ngrënie që do të thonë një ngrënie e shpejtë jo vetëm që nuk do na ngopë si duhet (pra do abuzojmë me ushqim pa nevojë) por edhe nga mos përtypja e duhur, do ngarkohet stomaku gjatë gjithë kohës dhe më pas edhe zorra ku as përthithja e lëndëve ushqyese nuk do kryhet si duhet”, shpjegon Berisha.

E gjithë kjo bën që edhe pse në fakt keni ngrënë mjaftueshëm, do të ndjeni uri gjatë vaktit dhe më pas edhe neps për të ngrënë shpejt dhe shumë. Gjithashtu, nutricionistja tregon se duhet të evitohen për iftar ushqime të yndyrshme, të skuqura , me erëza ose pikante, pasi ato rrisni rrezikun për dhimbje stomaku, probleme me tretjen ose urth. Më pas dhe problemet me gjumin po ashtu bëhen shoqëruese të problemeve sepse keni stomakun plot. “Duhet të bëjmë një përzgjedhje me vetëdije të ushqimit”, thotë Berisha për Gazetasi.al.

Për syfyrin rekomandohet ushqim i larmishëm dhe i ekuilibruar dhe me përmbajtje të ulët të sheqerit dhe kripës për të shmangur etjen gjatë ditës, po ashtu karbohidratet komplekse që përmbajnë fibra, produkte me drithëra të plota, si tërshërë, bishtajoret, pastaj produktet e qumështit si ajrani, gjiza si dhe frutat e perimet, qoftë në formë Smoothie apo edhe të freskëta.

“Të gjitha këto ushqime sigurojnë një ndjenjë të qëndrueshme të ngopjes dhe furnizojnë trupin me lëndë ushqyese si duhet”, tregon nutricionistja.

Brumrat dhe karbohidratet e rafinuara nuk duhet konsumuar pasi këto ushqime rrisin shpejt nivelin e sheqerit në gjak dhe si pasojë e kësaj do ndjeheni të lodhur dhe të rraskapitur.

Së fundmi, nutricioniste Berisha ka treguar një recetë të thjeshtë, të lehtë dhe të shëndetshme.

Një Smoothie e njohur si pije magjike në Marok që konsumohet në Iftar

Përbërësit:

6 Hurma

6 bajame apo Lajthi

250 ml qumësht

Të gjithë përbërësit futen në blender dhe përzihen derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë