Biznes

Kujdes kur jepni shtëpitë me qira në Booking e Airbnb! Ju monitorojnë Tatimet

Si çdo vit, në prag të çeljes së sezonit turistik, Administrata Tatimore sjell në vëmëndje të individëve që ofrojnë akomodime si edhe të subjekteve me aktivitet sezonal në zonat turistike e bregdetare, që të respektojnë detyrimin e tyre ligjor për t’u riaktivizuar dhe për të deklaruar.

Gjatë periudhës 15-26 prill 2019, administrata tatimore ka identifikuar në rang kombëtar, 564 subjekte apo individë, të cilët ofrojnë struktura akomoduese, nëpërmjet platformave online si Booking.com, Airbnb etj.

Deri tani janë kontaktuar 275 individë, si kujtesë për të regjistruar aktivitetin që kryejnë, ndërsa vazhdon informimi ndërgjegjësues për të gjithë personat apo subjektet e identifikuar.

Informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga administrata tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, thuhet në njoftim.

Mbi 2000 apartamente të listuar në Booking

Në prag të sezonit turistik, vetëm në njërin prej portaleve më të mëdha të dhënies së pronave me qira, Booking.com, numërohen rreth 2122 apartamente të regjistruara për t'u dhënë me qira nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e apartamenteve të regjistruara janë në zonat turistike.

Sipas faqes, në kryeqytet ka 240 apartamente të regjistruara, në Sarandë 717, në Durrës 242 dhe në Ksamil 212, pjesa tjetër janë të shpërndara në qytetet e tjera të vendit.

Portalet si Booking.com apo Airbnb janë bërë mjaft popullore në vitet e fundit në të gjithë botën duke shërbyes si ndërmjetës mes pronarëve të shtëpive dhe turistëve. Përveç hoteleve, pjesë e këtyre portaleve janë edhe individë të cilët regjistrojnë pronat e tyre për t’i dhënë me qira ditore.

Shpesh, midis kompanive që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe autoriteteve lokale ka pasur një konflikt të vazhdueshëm mbi taksat që duhet të paguhen në shtet për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë.

*Burimi: Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë