Gazeta Si – Reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ka dëshmuar në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Rajku është thirrur si dëshmitar, pasi më herët ka qenë shënjestër e një sulmi me lëndë plasëse në ambientet e biznesit të tij në Durrës, ku një sasi tritoli u vendos në lokalin dhe dyqanin në pronësi të tij.
Sipas hetimeve të SPAK dhe dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, ky sulm dyshohet se është kryer me urdhër të Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale, pas sherrit të Noizy-t me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin Cllevio Serbiano.
Asokohe, në rrjetet sociale doli edhe videoja kur Noizy pati një sherr fizik me Cllevio-n, duke i shkaktuar mpiksje gjaku në kokë.
Ishte i penduari i drejtësisë Artan Tafani ai i cili zbuloi porositësin e vënies së tritolit, Haxhiun, i cili nuk kishte hezituar pasi kishte parë dhunën e ushtruar ndaj shokut të tij, Cllevio-s.
Haxhiu, është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si Masakra e Lushnjes, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.
Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.
SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje