Biznes

Tatimet kontrolle në bizneset turistike. Në ‘lupë’ edhe agroturizmet, guidat e aktivitetet ujore

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka nisur monitorimin e subjekteve turistike në vend, me qëllim goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit si dhe rritjen e të ardhurave tatimore.

Në një dokument të publikuar, Tatimet tregojnë se subjektet me risk më të lartë që do të jenë nën lupë, janë ata që deklarojnë zero xhiro, rënie të pajustifikuar në pikun e sezonit, ose numër të lartë punonjësish me pagë minimale.

Me risk mesatar vlerësohen subjektet që kanë mospërputhje mes kapaciteteve dhe punonjësve të deklaruar, ose mungesë e pajisjeve POS.

Një nga pikat më të forta të planit për vitin 2026 është edhe kontrolli në platformat e qirasë afatshkurtër.  Tatimet do të monitorojnë çmimet, kapacitetet, yjet dhe komentet në Booking/Airbnb për të identifikuar subjektet që operojnë jashtë regjimit fiskal. Do të ketë verifikime specifike në terren për të dokumentuar pronësinë dhe qiranë e këtyre strukturave.

Për herë të parë, Plani Sektorial i Turizmit vendos një fokus të veçantë te degët më të vogla të turizmit që shpesh mbeten jashtë vëmendjes fiskale, duke nisur me agroturizmin, ku synohet formalizimi i strukturave rurale dhe shitja e produkteve ushqimore me normën e duhur të TVSH-së. Në kuadër të turizmit malor dhe kulturor, Administrata Tatimore do të monitorojë nga afër guidat, kabinat, kampet dhe bizneset artizanale, duke u siguruar që këta operatorë të vegjël të integrohen plotësisht në sistem. Gjithashtu, një vëmendje e shtuar do t’u kushtohet aktiviteteve ujore përmes verifikimit të licencave për mjetet e lundrimit dhe kontrollit të rreptë të stacioneve të plazhit për ekzistencën e kontratave me AKB-në, me qëllim minimizimin e evazionit në zonat bregdetare.

Administrata Tatimore do të përdorë një teknologji të re të quajtur “AI Vision për të monitoruar bizneset dhe deklarimet e tyre, duke rritur eficienën dhe shkurtuar kohën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë