Kosova

Ku gaboi Kosova me vendimin për dinarin serb?

Nga Megi Iskurti- Në komunat veriore të Kosovës, ku serbët etnikë zënë rreth 95% të popullsisë, i gjithë aktiviteti zhvillohet me dinar. Të paktën, deri tani.

Kosova e cila ka përdorur euron si monedhën e saj de facto që nga viti 2002, lajmëroi në fillim të shkurtit ndalimin e përdorimit të dinarit serb dhe përdorimin e euros si monedha e vetme zyrtare në vend.

“Nuk do të ketë më thasë me dinarë të holla që vijnë nga Beogradi në Kosovë për të shkatërruar pluralizmin politik dhe për të financuar organizatat terroriste. Vendimi është i panegociueshëm”, deklaroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti në përgjigje të thirrjeve të ndërkombëtarëve për të hequr dorë nga vendimi.

Megjithatë, ndonëse i vetmi “lëshim” që Kurti bëri ishte zgjatja e periudhës së tranzicionit për zbatimin e rregullores edhe me tre muaj të tjerë, në rrafshin diplomatik retorika kundërshtuese është ashpërsuar.

Fill pasi Kurti tentoi të hidhte poshtë deklaratën e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O'Brien, se Kosova po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara, në një konferencë për gazetarët, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier i mëshoi po së njëjtës deklaratë.

Pa shumë “gjuhë diplomatike” ai citoi se vendimi për dinarin ka lëkundur seriozisht partneritetin e Kosovës me SHBA-në dhe shtoi se ndihen të frustruar nga kjo situatë.

Ku gaboi Kosova?

Për Emir Abrashin, studiues i çështjeve ndërkombëtare, vendimi i Qeverisë Kurti për dinarin është i drejtë por mënyra se si ai është ekzekutuar, është e gabuar.

“Vendimi për dinarin është vendim të cilin cilido shtet do ta ndërmerrte në të drejtën e vet, pasi është e palogjikshme që brenda një shteti të ketë më shumë se një valutë zyrtare. Deri këtu, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme me vendimin e institucioneve të Kosovës. Megjithatë, ajo që përbën shqetësim për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, është afati tejet i shkurtër i lënë në dispozicion për të bërë ndalimin e pagesave në dinar.

Në rastin e vendimit të institucioneve të Kosovës, kanë munguar mekanizmat dhe afatet kohore, të cilat do t’i jepnin kohë të mjaftueshme qytetarëve serbë të veriut të vendit, për t’u mësuar me përdorimin e euros”, vëren ai për Gazetasi.al ndërsa shton se nuk është i mendimit që Kosova duhet të anulojë vendimin por të ndëmarrë hapa të tjerë për vënien në zbatim të tij.

"Vendimi për dinarin është i drejtë por mënyra se si ai është ekzekutuar është e gabuar", citon Abrashi

Abrashi ndërmend këtu rastin e Kroacisë dhe mënyrën se si operoi ajo me monedhat.

“Nëse marrim parasysh rastin e Kroacisë pas hyrjes në Eurozonë, përdorimi i kunës është lejuar për të bërë pagesa për një periudhë dy-javore pas 1 janarit 2023, ndërkaq të gjitha bizneset kanë qenë të obliguara që të shfaqin çmimet në të dy valutat deri më 31 dhjetor 2023 – pra, për një vit të plotë; këmbimi i kunave në euro (deri në 100 kartmonedha për një transaksion) është bërë pa kosto administrative poashtu deri më 31 dhjetor 2023, ndërsa rritja e çmimeve si pasojë e ndryshimin të valutës është ndaluar.

Ndaj dhe ajo që Kosova duhet të bëjë në këtë drejtim është të zgjatet afati i hyrjes në fuqi, të bëhen fushata sensibilizuese për qytetarët serb të vendit, si dhe të ofrohen masa lehtësuese sikurse në rastin e Kroacisë, si psh këmbimi pa kosto dhe siguri për mos ngritje të çmimeve të produkteve bazë”, deklaron ai për Gazetasi.ai ndërsa shton se pikërisht harku i shkurtër kohor për vënien në zbatim të vendimeve të tilla, po bën që Kosova të marrë vendime të nxituara duke i “zënë në befasi” partnerët ndërkombëtarë.

“Me të drejtë, shumë mund të pyesin se pse do të duhej që për çështje të tilla një vend sovran të koordinohej me këdo? E vërteta është që në rastin e Kosovës, kemi të bëjmë me një vend jo plotësisht të njohur ndërkombëtarisht, i cili nuk është anëtar i shumë mekanizmave ndërkombëtarë, e që për rrjedhojë ka një varësi të madhe nga ndihma e partnerëve të tij. Për këtë arsye, marrë parasysh që edhe vetë prezenca e Kosovës në nivel ndërkombëtar varet thuajse plotësisht nga partnerët e saj, është e natyrshme që ata (aleatët) të presin koordinim nga Kosova, veçanërisht në çështjet të cilat ndërlidhen me Serbinë dhe qytetarët serbë.

Në këtë aspekt, deklaratat e Hovenier duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës, të cilat duhet të evitojnë vazhdimin e një sjelljeje të tillë në raport me partnerët”, deklaron Abrashi për Gazetasi.al.

Protesta në veriun e Mitrovicës kundër vendimit për dinarin

Kosova po i ‘bën nder’ Serbisë

Pavetëdijshëm, me veprimet e veta Kosova ka hequr vëmendjen nga kërcënimi më i madh që i është bërë sigurisë së saj që nga shpallja e pavarësisë, 16 vjet më parë.

Kështu mendon Abrashi referuar sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, vëmendja ndaj të cilit u zbeh me daljen në skenë të vendimit të dinarit.

“Kosova duhet të shpenzonte energji që t’i hiqte maskën Serbisë për përfshirjen në këtë sulm. Por tani Kosova duhet t’i kanalizojë ato energji për të arsyetuar para partnerëve të vendit – e besa edhe para Këshillit të Sigurimit – vendimet e drejta, por të pakoordinuara”, citon ai.

Sipas Abrashit Kosova po i bën favor Serbisë, e cila në vend se të arsyetohej për implikimin e institucioneve të saj të sigurisë në Banjskë, tashmë ka një kartë për të sulmuar Kosovën.

A rrezikon Kosova sanksione nga SHBA?

“Unë dyshoj se SHBA do të ndalojë se trajtuari Kosovën si partnere, për shkak se investimi i saj në Kosovë është jashtëzakonisht i madh. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që SHBA të mos i ftohë marrëdhëniet e saj me Kosovën – siç ka ndodhur tashmë – dhe t’i ndëshkojë zyrtarët e saj, e cila në mënyrë formale akoma nuk ka ndodhur.

Megjithatë, unë dyshoj se në këtë fazë SHBA-të do të ndërmerrnin veprime të tilla – aq më tepër kur kemi parasysh fokusin që kanë tek zgjedhjet presidenciale sivjet”, vijon Abrashi për Gazetasi.al ndërsa shton se gjërat mund të marrin tjetër rrjedhë në rast të një rikthimi të mundshëm të Trump.

“Në rast se Trump rikthehet në krye të Shtëpisë së Bardhë, marrë parasysh edhe historinë e Kurtit me eksponentë të Administratës së tij unë nuk besoj që do të kishte aq ‘mirëkuptim’ sa ç’ka tani, me Administratën Biden.

Administrata e Presidentit Biden megjithatë po tregohet e butë karshi Kosovës, marrë parasysh frekuencën e vendimeve të pakoordinuara që Qeveria Kurti i ka ndërmarrë që nga ardhja në pushtet, në vitin 2021”, mbyll ai për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë