Kosova

Hovenier: Vendimi i Kurtit për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet SHBA-Kosovë

Nga Gazeta 'Si' - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës

Duke folur të enjten(15 shkurt) për gazetarët në Prishtinë, Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës - e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin - hyri në fuqi më 1 shkurt.

"Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme... ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë", tha Hovenier.

“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment saqë se qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O'Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.

O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë