Kosova

Kosova dhe Serbia diskutojnë sot në Bruksel vendimin për dinarin serb

Nga Gazeta 'Si'- Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në Bruksel sot(27 shkurt) zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje rreth përdorimit të dinarit serb.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parashikon euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Ky vendim, sipas BE-së, ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë monedhë kanë marrë ndihmë nga Serbia. Prandaj, BE-ja ka thirrur takimin e 27 shkurtit për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Takimet në Bruksel nisin në mëngjes dhe sipas burimeve diplomatike, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, së pari do të takohet me delegacionin e Serbisë, pastaj me atë të Kosovës. Sipas praktikës nga e kaluara, pas takimeve të ndara që Lajçak do të zhvillojë me palët do të zhvillohen edhe takime trepalëshe.

Ndonëse BE-ja një ditë më parë njoftoi se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, në këto takime duket se përbërja e delegacioneve do të jetë e ndryshme nga e kaluara. Në takime Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori i saj për dialog, Petar Petkoviç, nga Kosova në takimet në Bruksel do të marrë pjesë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësja e BE-së për çështje të jashtme, Nabila Massrali, tha një ditë më parë se takimi i së martës do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të bisedohet “për gjetjen e zgjidhjeve”.

“Takimi i nesërm (i së martës) është takim i dialogut që do të përqendrohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha ajo.

Nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

“Në këtë kuptim, (BQK-ja) edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë