Kosova

Heqja e dinarit serb / KE: Vendimi pa konsultë paraprake. Të shqetësuar për ndikimin në shkolla dhe spitale

Nga Gazeta 'Si'- Komisioni Evropian u është bashkuar zërave kritikë ndaj Kosovës, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parashikon përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

Zëdhënësi kryesor i KE-së, Eric Mamer, gjatë një konference për media në Bruksel më 2 shkurt, tha se ky institucion shpreh keqardhjen për këtë vendim dhe iu bashkohet thirrjeve të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marr parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, tha Mamer.

Mamer tha se KE-ja mbështet deklaratën e lëshuar një ditë më parë edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Komisioni merr në dijeni vendimin e BQK-së për të lejuar një fazë tranzicioni. KE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë që ky afat tranzitor të jetë mjaftueshëm i gjatë për të gjetur një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Mamer.

Në pyetjet pse KE-ja dhe BE-ja po kritikojnë një shtet që përdor euron dhe vendimin e një institucioni të pavarur, siç është BQK-ja, zëdhënësi Mamer tha se në këtë rast po kritikohet mënyra se si është miratuar vendimi.

“Nuk duhet të keqinterpretohet deklarata jonë. Nuk e kemi kritikuar Kosovën për vendosjen e euros apo vendimin se cila valutë duhet të përdoret. Kemi komentuar vetëm faktin se ky vendim u miratua pa konsultime paraprake. Sepse në këtë moment keni njerëz, institucione, përfshirë edhe spitale të cilat veprojnë në një kornizë, duke marrë ndihmë financiare nga Serbia, dhe ato duhet të kenë kohë të mjaftueshme që të përgatiten”, tha ai.

Ai tha se kjo çështje është dashur të adresohet në dialogun për normalizim, “para se të shpallej vendimi në mënyrë që të gjendej një zgjidhej praktike, që njerëzit dhe institucionet të përshtateshin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë