Motosport

Kthesa e fundit e Airton Senës, kampioni që rishkroi historinë e Formula 1

Edhe sot, çerek shekulli pas asaj fundjave të zezë, piloti brazilian vazhdon të jetë në “pole position” në zemrën e miliona të apasionuarve të Formula 1. Ishte ai piloti që rishkroi historinë e Formula 1.

Ishte ora 14:17 e së dielës së 1 majit 1994, kur makina “Williams FW16” e Airton Senës vazhdoi rrugën drejt në kthesën e Tamburelos në pistën e Imolës, për shkak të një defekti në pjesën e boshtit të timonit. Një përplasje e fortë, që i mori jetën kampionit brazilian, i cili u godit drejt në fytyrë. Një hekur i mprehtë penetroi brenda kaskës së pilotit dhe fati nuk i la asnjë shans për të shpëtuar Senës. Kanë kaluar 25 vjet nga ajo pasdite e tmerrshme, e mbushur me dëshpërim dhe dhimbje.

Hetimet kanë vërtetuar më pas se vdekja e Senës nuk erdhi për shkak të një manovre të gabuar të pilotit. Makina e tij doli jashtë kontrollit pas problemit në boshtin e timonit, që ishte modifikuar dhe salduar gjatë natës me qëllim përmirësimin pozicionit të pilotit. Sena praktikisht nuk kishte më mundësi ta drejtonte makinën, por vetëm të frenonte. Ishte një ngjarje e dhimbshme dhe e bujshme, pasi ngriti shumë pikëpyetje mbi sigurinë e jetës së pilotëve.

Fotoja që zbardhi gjithçka mbi shkakun e aksidentit, ku duket timoni jashtë makinës së Senës

Gjykata italiane hapi një hetim ndaj përgjegjësit të skuderisë Frenk Uilliams dhe projektuesin Adrian Njuei. Fajtor u shpall edhe drejtori teknik Patrick Hed. Në vitin 2007, Gjykata e Kasacionit konfirmoi atë të Apelit, duke i konsideruar modifikimet e boshtit të timonit të projektuara keq. Pas vdekjes së Airton Senës, në Formula 1 ndryshuan shumë gjëra edhe sa i takon legjislacionit.

Sena po përgatitej për një fundjavë pasioni dhe feste. Asgjë më shumë se kaq. Jo më larg se 24 orë më parë ishte varë piloti gjerman Roland Ratzenberger, pas përplasjes në mur të makinës së tij Simtek, vetëm pak metra larg Tamburelos. E keqja dukej se kishte kaluar, aq më shumë që edhe makina e “Jordan” e Barrikelos kishte fluturuar në provat e lira, por jo. E keqja ishte duke ardhur. Ndarja nga jeta e Airton Senës ishte një tragjedi globale. Edhe sot miliona njerëz në gjithë botën e kujtojnë me saktësi se ku ishin dhe se çfarë po bënin në orën 14:17 të së dilës së 1 majit 1994. Çdo vit, dita e parë e majit risjell në mendje kujtime të trishta jo vetëm për tifozët e Airton Senës, por për të gjithë të pasionuarit e Formula 1. Duket sikur kampioni brazilian ishte gjithmonë aty, ndërsa Botërori vazhdonte.

Makina e Senës, e shkatërruar pas aksidentit

Të gjithë i kanë të stampuara në mendje imazhet e ceremonisë mortore në San Paolo, ndërsa Brazili shpalli tri ditë zie kombëtare për ndarjen nga jeta të kampionit të madh. Janë ende aktuale fytyrat e tifozëve të brazilianit, të cilët vendosnin tufa me lule dhe flamurin e Brazilit, teksa bënin homazhe në varrezat e Morumbit. “Fondacioni Sena” ka bërë shumë për fëmijët brazilianë. Airton donte të bënte diçka për ta bërë më të bukur fëmijërinë e shumë personave në vendin e tij. Nuk e kanë humbur domethënien fotot që kanë shenjuar karrierën e jashtëzakonshme të Senës, e nisur në Itali me makinat kart, për të vazhduar në Angli me Formula 3 e deri te mbërritja në Formula 1 në vitin 1984 me skuderinë modeste “Toleman”. Ishin hapat e parë dhe të nevojshëm para se piloti brazilian të ngjitej në majën e triumfit.

Airton Sena

Një ngjitje e jashtëzakonshme në një 10-vjeçar, me 3 tituj kampion bote të fituar me McLaren-Honda, 41 fitore dhe 65 “pole position”. Të gjithë e kujtojnë rivalitetin e Senës me Prost. Numrat e përmendur janë të asaj kohe dhe që në kohët e sotme do të ishin shumë më ndryshe, shumë më të mirë: duke i dhënë Prostit atë që është e Prostit, Shumakerit atë që është e Shumakerit dhe Hamiltonit atë që është e Hamiltonit. Tre, dyzetenjë, gjashtëdhjetepesë janë shifra, ekzaktësisht si njëzetepesë, njëzetepesë vite. Shifra që nuk e kompletojnë distancën, nuk e mbushin boshllëkun dhe nuk rikthejnë asgjë nga madhështia e Airton Senës. Mbeten ende të gjalla magjia dhe nostalgjia. Në ndonjë moment gjithçka është më e prekshme dhe të bën të shkosh thellë deri në fund të këtyre 25 viteve, nëse të ndodh të shohësh kaskën e verdhë dhe të dëgjosh atë zë. Janë ndjesi që shfaqen sa herë që mendon për kënaqësinë dhe krenarinë e të qenit dëshmitar në kalimin e një komete vezulluese. Prevalon ndërkohë për ata që kanë qenë shumë të vegjël në atë kohë skepticizmi përballë emocioneve të pabesueshme që të fal një kampion modern dhe kaq ndryshe nga të sotmit. Një kampion unik.

Nga homazhet në San Paolo për përcjelljen e Senës për në banesën e fundit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë